Vjedhja e zezë
Nafta blihej dje në pikat e shitjes me pakicë të karburantit me një mijë e katërqind e pesëdhjetë lekë të vjetra litrin. Benzina një mijë e pesëqind. Të dyja janë ulur vetëm pesëdhjetë lekë të vjetra, që kur nafta në botë, pasi arriti rekordin me njëqind dollarë fuçinë tre muaj më parë, nisi gradualisht uljen në gjashtë javët e fundit. Tani, në shpërthim të plotë të krizës financiare në SHBA dhe gjithë Evropën e zhvilluar, çmimi i naftës ka pësuar rënie të dukshme. Nafta shitet këto ditë me 90 dollarë fuçinë ose 10 për qind më pak! Nga humbja e besimit të konsumatorëve tek bankat dhe mungesa e investimeve, studiuesit e tregut parashikojnë që nafta të vijojë uljen dhe të arrijë në 70-75 dollarë fuçinë, sidomos kur vetë Kina ul përqindjen e interesit në bankën e saj qendrore, dhe Kina konsiderohej deri tani faktori kryesor që rrit çmimin e naftës. Po tek ne? Tek ne importuesit me shumicë të arit të zi në Shqipëri sikur nuk dinë se ç’ndodh me naftën që blejnë! Nuk kujtohen të ulin gjë. Kalojnë disa javë, dhe ja, nga fundi i shtatorit e ulin me pesëdhjetë lekë të vjetra. Çfarë bujarie! Ndërkohë që nuk mund të justifikohen se ende kanë rezervat e blera me naftën 100 dollarë, pse u bënë gjashtë javë që nafta po ulet në botë. Ulja e çmimit tepër vonë me vetëm pesëdhjetë lekë përfaqëson 3.3 për qind të shumës prej një mijë e katërqind e pesëdhjetë lekë që ishte litri i naftës. Kur importuesit me shumicë duhet ta ulnin të paktën njëqind e pesëdhjetë lekë. Dhe nuk kanë pse ngrenë si alibi lojën e shitësve me pakicë. Kjo është punë karteli, lojë e vjetër 18 vjet në tregun shqiptar. Lojë me pasojë një vjedhje masive e të përbindshme: vjedhjen e zezë. Janë praktikisht njëqind lekë të vjetra për litër që po vidhen nga xhepi i 350 mijë konsumatorëve shqiptarë pronarë automjetesh. Po të marrim një mesatare pesë litra naftë e benzinë në ditë që ata harxhojnë, i bie që çdonjërit prej nesh importuesit e naftës t’i vjedhin 15 mijë lekë të vjetra në muaj ose 12 euro. Për të gjithë ne, rrjepja që na bëjnë bëhet masive, pse kalon në 4.2 milionë euro në muaj ose 50 milionë euro në vit. Po kush kujdeset që shqiptarëve të mos u vidhen këta lekë? Qeveria jonë nuk bëzan. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit u përpoq të bëjë diçka për ndërgjegjësim, por hasi, si jo rrallëherë, në veshin e shurdhër të specialistëve të qeverisë, por edhe të opinionit publik. Ky i fundit dhe konsumatorët e thjeshtë, të pamësuar me përpjekjet kundër politikave monopol, qëndrojnë gati indiferentë. Asnjë nuk merr mundimin të pushtojë sheshet për interesat konkrete të xhepit të tij. Kjo indiferencë vrastare ka bërë që në këto 18 vite tranzicion karburantet tek ne të jenë gjithnjë nga 20-40 për qind më të shtrenjta sesa në vende po ashtu importuese dhe të ngjashme me ne nga fuqia ekonomike, sikurse Maqedonia apo Mali i Zi. Njësoj si tarifat e telefonisë celulare, e me radhë. Abuzimi bën “muu!” dhe është flagrant, por mungesa e një presioni publik të fortë i jep mundësi qeverisë të bëjë gjumin e ariut. Vjedhja me arin e zi ka 18 vjet jetë dhe arrin në qindra milionë euro. Ajo përbën një vrimë të zezë në të ardhurat e gjithsecilit prej nesh që ka një automjet. Kjo qeveri e përbetuar të luftojë abuzimin e ka për detyrë të kontrollojë me tatimorët e saj përse nafta në tregun shqiptar nuk ulet në përpjesëtim me uljen në tregjet botërore. Mjafton vetëm të shikojnë se sa e kanë ulur naftën vendet fqinje importuese të pastra të naftës. Italia me 11 për qind; Maqedonia me 9 për qind. Kjo bazë krahasimi mjafton të kërkojnë me forcë pse veprimtarët në tregun shqiptar e ulin naftën vetëm 3.3 për qind. Nuk dinë se ç’po bëhet në botë, nuk njohin mekanizmin e një çmimi që bazohet mbi vlerën e një malli të importuar apo duan të përfitojnë nga ulja në tregjet botërore dhe të vjedhin rehat?
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli