9 shtatori do të dëshmojë përçarjen qeverisëse
Qeveria e re e premtimeve të pambajtura
Qeveria e re do të bëhet efektive me vendimin parlamentar të 9 shtatorit, duke dështuar me ‘të prerat’ që e kishin pështjelluar kandidatin për kryetar të ekzekutivit, që të vinte ”nën kujdestari” qeverisjen endé në fuqi. E. Ramës. I vinte ndoresh qyshkur për këto gjetje “origjinale”. E kishte bërë flamur nenin 28 të statusit të PS-së, për t’i marrë pushtetin F. Nanos. Por, kur humbi vetë, e drodhi, meqenëse “ia kishin vjedhur votat”. Ky stereotip i pabesueshëm u përdor edhe në zgjedhjet pasardhëse të mëvonshme, gjer në zgjedhjet e 23 qershorit, kur na doli se kishte të njëjtat vota si të mëparshmet; me një ndryshesë të papërfillshme prej o pikë...x. Këto ndryshime as që ngrinin kandar. Sidoqoftë, Dr. Berisha u tregua luajal që dha dorëheqjen, ndërsa kundërshtari i tij politik përdridhej për t’i bishtnuar pyetjes. Me pirueta hileqare s’dha e s’dha një përgjigje të sinqertë. Por doktori, amà, e realizoi (për koalicionin e tij) premtimin për zgjedhje të lira e të ndershme, gjë që u pranua nga të gjitha palët në zgjedhje, madje edhe nga vetë Rama. Veçse na u zbulua një gjë thelbësore: Se të gjitha shabllonet e lajtmotivit “na i vodhën votat” kishin qenë pjellë e fantazisë së Ramës! Pa atë hapin e njohur të I. Metës, Rama do të ishte ende në opozitë! Dhe, kuptohet, do ta mbante sërish atë ‘ison’ e tij, si stampë gojore: “Na i vodhën votat”! Së paku, u tret si kripa në ujë, një shprehje e ngurtësuar e cila e vë një shtetar – do-s’do ai – në gjendjen e një pehlivani!
Tertipet groteske të Ramës vazhduan edhe me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe (LMN-në) që e dërmoi me manipulimet e tij të zakonshme, në obskurantizëm të plotë. Dhe kjo errësirë tërësore, me thyerje kamerash të gazetarëve, u quajt si “transparencë”! Na u shpuan timpanet e veshit me mungesën e ‘transparencës’ së të tjerëve dhe , njëherësh, me ‘transparencën’ e tij të epërme. Si çdo gjë e TIJ! Ndërkaq, ai rituali i dyerve të mbyllura vazhdon, edhe sot e kësaj dite, në bunkerizimin e tri ditëve të para të konferencës “Shqipëria, gjenerata e ré”. Si në kohën e ithtarit të tij, Enverit, në mbledhjet sekrete për të vrarë pa gjyq njerëz të pafajshëm, në atë mbledhjen mortore të shkurtit të zi të 1951-shit...Mbledhje stalinistësh!
Në këto zgjedhjet e 23-shit, Rama ndërhyri në votat për të zgjedhur një megaloman (siç është vetë), që mëtonte të kishte një grup parlamentar (!), por që nuk pati vota as për veten e tij. Dhe numëruesit u keqtrajtuan gjer në rrahje që të realizohej një batakçillëk zgjedhor, me anë të një shebeku të vet që ka emër e mbiemër! Ja ç’na qenka ky qaraman, gjithmonë në rol të viktimës, kur nuk i jetësohen ambiciet e tij vetjake... Në rol të viktimës, të KURBANIT, na del edhe kur një gazetar investigativ ia kishte nxjerrë për fije e për pé Ramës të gjithë atë gjyq të turpshëm ndaj një aktoreje të talentuar, - bashkëshortes së tij të parë, - me akuza skandaloze, paçka se e përmend në “Kurbanin” e tij të mashtrimeve si... “në mungesë etike”! Përse kaq lëshues? Se tani autori i librit të mashtrimeve e ka aleat atë zbuluesin e të gjitha bëmave gjyqësore, që i shërben për synimet e tij pushtetare. Veçse fjalët e gjyqit dhe dëshmitë e gazetarit që tani bën lojën e tij, Rama ia vë në gojë doktor Berishës, që t’i japë vetes të drejtën ta përçmojë kundërshtarin si t’i dojë qejfi, duke mos i folur, qoftë edhe për reciprocitet, me një ‘zoti’ para emrit! Vetëm Saliu... Saliu! Madje edhe kandidatin për bashkinë e Tiranës, i cili ia përmendte emrin me “zoti Edi Rama” , ky e quante me nofkën “Lulzim Saliu”! Por ja që ky karagjozllëk nuk i eci. Dhe Komisioni i Venecies ia hodhi poshtë atë +10-n vocërrake, që u zëvendësua me një shifër më shumë se 10-ra herë më të madhe!
Ai s’di të drejtojë, se i mungojnë edhe njohuritë e gjithfarshme (Ekonomi- nul, Mjekësi-nul, Financa- nul), siç ka thënë, me të drejtë, Dr. Kastriot Islami. E më 9 shtator do të marrim habere të zymta, si shpikjen e kolapsit energjetik, (“për tre muaj nuk do të kemi drita!”), heqjen e 400 koncesioneve, vënien në panik të biznesit të huaj, spitalet xhaba që do të lihen për në 1917-n, “s’kemi pare” ndërsa do të paguhen këshilltarë të huaj me pare sa të luan mendja e kokës nga fukarai ‘i përkorë’ me shtëpi me qira dhe me një të ashtuquajtur pasuri vetjake prej 3000 eurosh, ndërsa vetëm helikopteri për një punë me kohë as një orë të plotë paguhet me 315000 dollarë...
Ç’panoramë e zezë sterrë, e shpallur që tani, sa pa marrë ende në dorë skeptrin e kryeministrit. Ndërkaq kanë lindur pakënaqësitë brenda radhëve. Sepse, pasi i zhvati mirë e mirë titullarët e vet të bregdetit për propagandë zgjedhore, tani kërkon t’i zëvendësojë ata me biznesmenët e tij vetjakë sepse... nuk po i përgjigjen si duhet pareve ‘që i mungojnë’ për të qeverisur! Pasqyrë e kësaj përçarjeje brenda radhëve, është konferenca e tij vlonjate, në të cilën refuzuan të merrnin pjesë jo vetëm biznesmenët e keqpërdorur prej tij në fushatë, por edhe disa prej ish-të përzgjedhurve të tij nga më të rëndësishmit, që tanimë po i sheh ‘nga lart poshtë’! “Hodha lumin (...) kalin! Kundërthëniet janë ves i tij i pashërueshëm.
Tani, në përfundim, çështja thelbësore është kjo: Gjatë fushatës, ai doli me premtime euforike; do të bënte çudira! Parajsë! Po tani? Fjalët e bukura i mori era. Eldoradoja na doli një flluskë sapuni! Më shkoqur: Ai ka pas bërë një fushatë zgjedhore mashtruese! Populli, po se po, ndjehet qysh tani i zhgënjyer. Por u zhgënjyen edhe shumë e shumë nga të vetët, që arritën të kuptojnë, ndonëse me vonesë, se ai nuk ka qenë kurrë kolegjial. Tani nuk janë të paktë ata që thonë se ai që nuk kishte ditur të qeveriste një ministri (atë të Kulturës), si do të drejtojë një kryeministri? Në kundërshtim me thënien e spikatur të Xhon Kenedit, Edi Ramës i është zbuluar mendimi i pa fshehur dot, se ç’do të bëjë ekzekutivi për MUA, jo çfarë do të bëj UNË për ekzekutivin! Është kuint esenca e një egocentriku!