Mjekët në protestë mbyllin operacionet për 48 orë
Mjekët e spitalit të Elbasanit janë sensibilizuar me kolegët e tyre të QSUT-së
ELBASAN- Mjekët e Elbasanit i janë bashkuar protestës për t’u solidarizuar me Tiranën mbi sulmin ndaj mjekut Agron Ylli. Ka qenë kirurgjia ku edhe është zhvilluar një protestë demonstrative jashtë ambienteve të spitalit. Mjekët kanë kërkuar që të kenë një status që i mbron dhe të dënohen ata që sulmojnë mjekët.
Agron Braho, mjek kirurg thotë se kjo protestë ka si qëllim sensibilizimin. “Në qytetin tonë dhe në spitalin tonë të tilla veprime skandaloze ndodhin çdo ditë, sidomos në turnet e treta. Unë dua të them se veprimet korruptive ndodhin në tërë shoqërinë shqiptare, në çdo institucion dhe nuk ushtrohet dhunë dhe pikërisht ushtrohet dhunë ndaj mjekëve me konceptin që mjekët janë shërbëtorët e popullit. Vazhdon sërish një koncept monist, komunist që po e denigron figurën e mjekut. Mjekët dhe sidomos kirurgët janë profesioni më i vështirë dhe profesioni nr 1 në botë. Ndaj këtij profesioni që është më i vështirë, ushtrohet kjo dhunë. Mund t’ju them një gjë që nëse do ta mbyllim sot kirurgjinë do të shikoni se çfarë fatkeqësish do të regjistrohen. Ushtrohet dhunë ndaj këtyre njerëzve që shpëtojnë jetën e njerëzve. Në shëndetësi ka bashkshish falënderimi dhe nuk duhet përfshirë gjithçka në korruptim. Ne i kërkojmë opinionit publik të mbajnë një qëndrim njerëzor e miqësor. Kemi vendosur pezullimin e operacioneve të planifikuara për 48 orë, por jo për urgjencat, pasi ato do të vazhdojnë”.