E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e kapi vrasësin Gusho?

Poli Hoxha

Ekzalitimi i gjithë hierarkisë së policisë pas kapjes së 44-vjeçarit Viktor Gusho, mund të quhet në pamje të parë si i përligjur. Po ashtu edhe gëzimi dhe përgëzimi i kryeministrit Berisha. Psiko-killeri në fjalë, ishte kthyer në tmerr, jo vetëm për bankat por edhe në stres deri në panik, për vetë uniformat blu. Edhe mediat glorifikuan punën e tyre por askush, nuk u kujtua të falënderojë qytetaren edhe pse anonime, edhe pse morri 10 mijë euro shpërblim, e cila identifikoi vrasësin më shpejt se qindra agjentët e policisë që veprojnë në kryeqytet.

Në fakt policia e kapi e kapi 44-vjeçarin nga Patosi që vepronte i qetë prej 4 vitesh, apo qytetarët?  Policia pas festës, duhet të bëjë urgjentisht një analizë të thellë të rastit,  metodikës dhe profesionalizmit të punës së vet. Viktor Gusho, e ka nisur veprimtarinë e tij grabitëse në mënyrë sistematike me armë në kryeqytet, që në vitin 2008. Pas fakteve që dolën, nuk mund të thuhet, se kishim të bënim me një kriminel profesionist të sofistikuar.

Pistoletën e parë e bleu te sheshrrotullimi i Zogut të Zi, po aq lehtë sa mund të blesh bukë me qofte aty. Pistoletën e dytë, e siguroi akoma më me lehtësi, pa lëvizur as nga makina e kumarit, thjesht duke biseduar me kolegun rastësor që luante në krah të tij. Pra për të gjetur një armë në Tiranë, nuk ka nevojë të kesh njohje me trafikantë e kriminelë. Pastaj analiza e policisë, duhet të vazhdojë me kapjen e njerëzve të gabuar në vend të vrasësit real.

Madje suksesin, e kapjes të një të riu nga kosovar, të akuzuar si vrasësin e argjendarit, e proklamuan përpara mediave, krerët më të lartë të uniformave blu. Ndërkohë siç deklaron vetë Gusho tani, pas çdo grabitje, ai shihte TV e lexonte gazeta ku mësonte lajmin se policia e kishte kapur ose identifikuar autorin, kurse ai i qetë planifikonte aksionin e radhës. Në çfarë përmasash, mes mijëra krimesh e të shoqëruarve për ato, është ky fenomen? Pra që kapen e madje edhe mund të dënohen jo me prova reale, njerëz të gabuar nga policia, e cila tashmë dihet që e ka kthyer në qëllim në vetvete, shifrën e përqindjes së zbulueshmërisë së krimeve. Por shkojmë më tej. Policia e ka pasur në duart e saj grabitësin e bankave, 2 vjet pasi ai kishte nisur veprimtarinë e tij në vitin 2008. Vërtet për një aksident por nëse do të ishte punuar me profesionalizëm, ai mund të ishte zbuluar që atëherë duke parandaluar kështu vrasjet dhe grabitjet që bëri më pas.

Nallbanllëku i policisë, ka arritur deri aty sa që në dosjen që ka çuar në prokurori dhe gjykatë atëherë, rezulton se Gusho ka qenë pa precedent penal edhe pse dyshohej për një vrasje në vitin 1997, edhe pse kishte vuajtur dënimin me 5 vjet burg në Greqi, edhe pse në vitin 2005 ishte kapur nga vetë ata për një vjedhje. Kur u kap pas aksidentit në vitin 2008, pasi kishte ikur nga vendi i ngjarjes, a u pyet nga hetuesit,  për të kaluarën e tij? Ku jetonte, ku punonte, çfarë të ardhurash kishte, nga i siguronte? Kaq do të mjaftonte dhe verifikimi do të shkonte edhe më tej.

Do të ishin zbuluar llogaritë e tij bankare, do të ishte gjetur pistoleta e krimit, maskat e dorezat, nëse do ti ishte bërë një kontroll rutinë banesës së tij. Pastaj duke parë edhe profilin e tij psiqik të shfaqur vetëm pak minuta pas kapjes, duke u rrëfyer që në makinën e agjentëve të SHKB, gjasat për zbulimin e tij si grabitës i rrezikshëm do të ishin teje të larta, duke parandaluar kështu një seri krimesh të rënda që kreu në 2 vitet në vazhdim. A e ka bërë këtë analizë policia e kryeqytetit por edhe në gjithë vendin?

Sa vrasës apo punëtorë të krimit në Shqipëri, bien në duart e policisë për kundërvajtje apo krime banale dhe pastaj dalin sërish në rrugë pas një gjobe, vetëm sepse hetuesit janë të paaftë të investigojnë më thellë se ajo që ju shfaqet momentalisht? Pra policia, ta ndërpres festën e pamerituar për kapjen nga qytetarët të këtij vrasësi të rrezikshëm, dhe të analizojë rastin, duke nxjerrë mësime për metodologjinë dhe profesionalizmin e punës së tyre. Viktorgushra të tjerë, nuk është çudi ti kemi me shumicë mes nesh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›