E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e ngriti gomarin në çati, edhe mund ta zbresë

Urtësia perse vjen në shqipe me "Fjalë të urta perse". Përkthyesja Drita Lazri ka përkthyer dhe përshtatur më shumë se 1700 proverba. Orientalizmat dhe zhargoni i japin nota komike që të bëjnë të qeshësh me lot


Në Bibël, moria e gjuhëve të huaja që ekzistojnë mbi tokë shpjegohet me historinë e Kullës së Babelit. Njerëzimi donte të realizonte një kullë të madhe për të arritur qiellin (Zotin).


Atëkohë flitej një gjuhë e vetme, dhe për të ndaluar këtë sipërmarrje, në Bibël thuhet se Zoti e ndau gjuhën dhe njerëzit nuk arritën dot kurrë të ngrinin Kullën. Por nëse i referohemi kësaj historie mund të themi se Zoti ndau gjuhën, por jo mendjen dhe përvojën njerëzore.

Urtësia, mençuria, përvoja e popujve para dhe pas Kullës së Babelit është e njëjta, ndryshon vetëm gjuha në të cilën është shprehur. Një shembull i mirë për të treguar këtë janë fjalët e urta apo proverbat e një populli.


Në gjuhën shqipe prej pak kohësh është botuar "Fjalë të urta Perse". Nuk do të kishte asgjë interesante nëse përkthyesja Drita Lazri nuk do të kishte ndjekur modelin sipas të cilit, fjalës së urtë të huaj i vendosej korrespondentja në shqip (në ato raste kur ka). Proverbat e popujve të ndryshëm kanë ngjashmëri, dhe kjo ndodh sepse ato janë përgjithësimi i përvojës së njerëzve, i mësimeve dhe dështimeve, janë një sintezë e vëzhgimeve të përditshme.


Nëse për një njeri që si natyrë ka gjithmonë frikë ne themi "Trembet nga hija e vet" të njëjtin përcaktim bëjnë edhe persët.


Po ashtu njësoj shprehen edhe për njerëzit kokëfortë "T'i fut këmbët në një këpucë" apo për të përkëdhelurit "E bën vezën me dy të verdha", ose një fjalë e urtë si kjo që kemi zgjedhur për titull: "Kush e ngriti gomarin në çati, edhe mund ta zbresë", e cila i referohet përgjegjësisë që duhet të mbajë individi apo grupe shoqërore në situata të ndryshme.


Përkthyesja Drita Lazri shpjegon se sjellja e proverbave që i përkasin një qytetërimi të lashtë ka qenë një aventurë. Duhet thënë se fjalët nuk kanë ardhur në shqipe nga origjinali persisht, por nga rusishtja, më saktë nga një botim i Akademisë së Shkencave të Taxhikistanit.


"Kam pasur frikën se si do të arrija të jepja në gjuhën shqipe nëpërmjet kësaj gjuhe ndërmjetëse, filozofinë e një gjuhe tjetër", thotë ish pedagogia e rusishtes, Drita Lazri. "Duke mos ditur persisht përpiqesha të paktën t'i përmbahesha numrit të fjalëve në persisht edhe kur në variantin rus ishin tejkaluar".

Dhe këto fjalë të urta nuk kanë ardhur në shqipe si një përkthim i thjeshtë nga njëra gjuhë në tjetrën. Në këtë proces përkthyeses i është dashur të kombinojë disa njohuri, jo vetëm në gjuhën ruse por edhe në ato hulumtuese dhe në njohjen e orientalizmave. "Jam munduar që arsenalin e fjalëve të mia orientale t'i përdorja, t'i fus në proverb, t'i jap një ngarkesë stilistikore e humor atje ku ka pasur mundësi.


Për shembull, nëse proverbi "Shpëtimi është në fund të filxhanit", është përkthyer fjalë për fjalë nga rusishtja, mendova përse ta vë "shpëtimi" kur ne përdorim edhe fjalën "dermani", kështu proverbi qëndroi: "Dermani ndodhet në fund të filxhanit"".
Ja dhe një shembull tjetër: "Një hajdut i zoti në fillim shuan llampën e dhomës", në shqipe është sjellë "Sefte shuan llampën e dhomës", pasi "sefte" sipas përkthyeses ka ngjyresën orientale.


Për të sjellë këtë pasuri të botës perse në shqipe tregon se e kanë ndihmuar shumë shprehjet dhe proverbat e hasura në libërthin me materiale folklorike të Përmetit të Nazif O. Maraqit, te "Bleta shqiptare" e Thimi Mitkos, si dhe botimi i viti 1983 të Akademisë së Shkencave "Fjalë të urta të popullit shqiptar". Por më shumë nga të gjitha i kanë vlejtur bashkëbisedimet me njerëzit.


Përkthyesja tregon se për gjetjen e fjalës në shqipe nuk ka lënë pa ngacmuar çdo njeri që njihte. Kështu ekuivalenten në shqip të "Nuk zbardhet shajaku i zi nga sapuni" e ka marrë nga një e njohur nga Shkodra, ku thonë "Dëm sapuni tek arapi".


Në raste të tjera një fjale të urtë perse i korrespondojnë dy a më shumë fjalë të urta në shqip, nga krahina të ndryshme. Nëse në persisht për një njeri që vetë është fajtor për diçka thuhet:


"E dogji mjekrën me dorën e vet" në shqipe i korrespondojnë dy variante: "Vajti cjapi te kasapi" dhe "Vetë pylli ja vuri bishtin sëpatës". Ajo tregon se një pjesë të këtyre fjalëve të urta e ka koleksionuar në mendjen e saj në kohën kur jepte lëndën e Rusishtes në universitet.


Shpesh gjatë leksioneve haste proverba ruse dhe ishin studentët që jepnin ekuivalenten e krahinës së tyre. Gjithë kjo përvojë i erdhi në ndihmë gati 18 vjet pas daljes në pension.


Kur për një çështje të mistershme persët shprehen: "Ku ta dish ku i bën macja vezët" në Shkodër thuhet: "S'ke për ta dit ku i çil dreqi zogjtë".

E nëse persët thonë "Njeriut i duhet mendja e jo forca" në veri të Shqipërisë thuhet "Duhet me pas më shumë men se dhen" e në jug "Ç'e do mallë e ç'e do gjënë, kur s'ka mendjen për të qenë".


Ajo që i karakterizon të gjitha fjalët e urta si në shqipe edhe në persishte është një ndjenë e hollë humori. Kjo është më e dukshme në rastet ku populli kërkon të vërë në lojë fodullëkun apo dembelizmin.

P.sh. nëse persët për një njeri të cilit nuk mund t'i besosh një punë thonë: "Majmuni s'bëhet marangoz", në shqip i qëndron "Vëre ujkun të ruajë dhëntë", apo në persisht "Të gjatit i arrin mendja gjer në mesditë" dhe në shqip "Shtati pyll e mendja fyell". Ose më tej "Budallait ia ka ënda lëvdatat" dhe në shqip "Kalliri bosh e mban kokën përpjetë".


Duke qenë se qytetërimi pers i ka kapur të 7 mijë vjetët, përvoja e tij e madhe në arsim dhe administratë është shenjuar edhe ajo në urtësinë e proverbave.


Fëmijët që nuk e kanë qejf shkollën qesëndisen me shprehjen "Lutu të vdesë alfabeti se kemi shumë mësues" apo "Dhe një herë që u bë mbarë Ahmadaku të vejë te mësuesi, ishte e premte" ose " Po të kishte fuqi lutja e fëmijëve, nuk do të kishte mbetur gjallë asnjë mësues". Ndërsa "punët" e shtetit thumbohen: "Taksat e shtetit janë si dimri, nuk harrohen" apo "Më mirë zë hekurin e skuqur se sa ti bëj temena emirit".


Si populli pers dhe ai shqiptar kanë krijuar proverba për të gjitha dukuritë dhe fenomenet që i kanë shqetësuar. Të 1700 proverbat perse dhe ca më pak shoqërueset në shqipe tregojnë se virtytet dhe veset janë pjesë e natyrës njerëzore kudo që ajo gjëllinë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›