Piktori i diktaturave
50 vjet, rob i diktaturës. Nuk ishte i vetmi, as i fundit, por të drejtën e tij si i barabartë me ata, të quajturit “pa njollë”, e njohu shumë vonë. Shpresonte se një ditë do të triumfonte mirësia, sepse e vuante mungesën e saj që në foshnjëri, më saktë që kur ai nuk kishte mësuar as të ecte. Ishte vetëm gjashtë muaj, e censura e rriti. Piktori Lirim Biçaku, i cili sapo ka hapur një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar, gjen mundësinë për të shprehur atë që ka përjetuar nga epoka e diktaturës, kohë kur lindi e deri në ditët e sotme. Biçaku është një piktor që me anë të ekspozitave të tij tejçon moton që e ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës së tij. Dhe ende vazhdon ta besojë. Lufta e së mirës dhe të keqes. Ndonëse me vështirësi, sipas tij, është “e mira” ajo që kryeson. “Pikturat e mia shprehin një luftë mes të mirës dhe të keqes. Mendoj se e mira do të fitojë apo edhe nëse ende ka rrugë për të bërë, ajo është aty. Mirësia për mua është ajo që do të dominojë tek të gjithë ne dhe jam i sigurt se kush kryen veprime jo të mira, kundrejt të tjerëve apo në fund të fundit, edhe ndaj vetvetes, do ta pësojë”, - thotë piktori Lirim Biçaku. Në këtë ekspozitë gjenden piktura që ilustrojnë të përditshmen tonë, atë që na rrethon, edhe pse personazhi kryesor është vetë ai, piktori. Mes pikturash kishte shumë histori reale, ngjarje të vërteta, ku pas përjetimit, ai i ka përfytyruar edhe një herë në tablo sipas mënyrës së tij abstrakte. Gëzimin, trishtimin, natyrën e ndan me telajon. Atë çka ndien piktori, e shpreh me anë të penelave, ngjyrave shpesh “të trishta”. “Me anë të tyre kam dhënë mesazhin që çdonjëri prej nesh që shikon punët dhe problemet e tij ndiqet nga drita dhe ecën pa frikë në jetë”. Ndërkohë që një element përcaktues në këtë rast janë edhe ngjyrat të cilat ai i ka përshtatur me emocionin dhe realitetin. “Në varësi të ngjarjes i kam dhënë edhe llojin e ngjyrës. Piktura ngjan me letërsinë, por me ndryshimin se kjo e fundit flet me fjalën, ndërsa piktura me anë të ngjyrës”, - shprehet piktori Biçaku. Është 67 vjeç dhe pikturës i kushton vëmendje rreth tetë orë në ditë, ndërsa veçoria e karakterizon në çdo pikturë të varur në mur. “E veçanta ime në këtë ekspozitë është dalja graduale nga një humnerë 50-vjeçare. Jam mundur që duke parë të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur çdo ditë në periudhën e tranzicionit, t’i paraqes brenda kornizës së pikturës. Jam optimist se çdo ditë e më shumë do të vijnë ditë edhe më të mira. Këtë lloj ndjesie unë e kam treguar edhe në disa prej pikturave të mia, ku sërish një përcaktues i mirë është ngjyra. Ato kanë ardhur duke i çelur, kanë më tepër dritë, bardhësi. Janë shumë ngjarje reale të paraqitura në telajo”, - thotë ai. Në një prej tyre ai ka formësuar edhe një fatkeqësi të ndodhur disa vjet më parë. Ishte fqinji i tij. Një djalosh, i cili aksidentalisht humbi jetën në një motor. “Në bazë të përfytyrimeve të mia unë i paraqes ngjarjet reale. Rastin e kësaj fatkeqësie e kam pasqyruar si një ambient që s’ka rrugëdalje. Kjo është metoda ime”, - shton piktori i cili po në këtë formë ka ndërmarrë edhe nisma të tjera. Të gjithë i mbajmë mend ngjarjet e ‘97-ës. Pikërisht këtë periudhë piktori Biçaku e ka ilustruar në një tablo me ngjyra të errëta dhe një pamje me forma të çrregullta. “Në çdo pikturë unë shpreh një ide, pavarësisht se shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë. Unë kam dëshirë që çdo njeri i artit të flasë pa ndrojtje, mirë apo keq qoftë ajo.”
Punët e tij janë të orientuara më së shumti drejt pikturës abstrakte, por mes tyre kishte edhe nga ato të quajtura “reale”. “Kam shumë punë reale. Por edhe kopjoj shumë autorët e mëdhenj, si Van Gogu, Trepini etj. Por gjithsesi, gjithçka me një kufi, pasi unë kam idetë e mia, metodën time dhe dua të krijoj vetëm punë që më përkasin krejtësisht vetëm mua. Unë nuk i ngjaj askujt”, - tregon ai.
Puna e tij e parë është një pikturë e Simon Rrotës që daton në vitet ’60. Për të kjo ishte e para dhe e fundit deri në vitin 2000, fillimisht, për shkak të censurës politike të kohës diktatoriale, ndërsa më vonë për shkak të censurës ekonomike. Sepse Biçaku për shumë vite ka punuar si një punëtor i thjeshtë ndërtimi, ndërsa pikturën nuk e ka parë asnjëherë si një mjet përfitimi. Kjo është ekspozita e tij e dytë pas brenda dy vjetësh, ku 80 për qind e pikturave janë paraqitur për herë të parë.