Qendrat e votimit, ndalohet hyrja e policisë
PS-ja propozon që të ndalohet edhe qëndrimi i njerëzve me mandat
TIRANË- Qendra e votimit shpallet "vend i shenjtë". Asnjë person jo votues i njësisë dhe i paautorizuar nga KQZ-ja dhe KZAZ-ja, nuk do të mund të hyjë brenda ambienteve ku do të ngrihet qendra e votimit.
Ky është përcaktimi që ka bërë dje KQZ-ja, nëpërmjet udhëzimit të saj të radhës, sipas të cilit, ndalohet hyrja në KQV e personave jo votues apo edhe e personave me uniformë, siç mund të jenë policë, ushtarakë, etj. Megjithatë, në këtë udhëzim parashikohen dhe përjashtime, që kanë të bëjnë me ndërhyrjen në këto vende të uniformave blu, por vetëm në rastet kur në KQV ka probleme me mbarëvajtjen e rendit.
Kështu, në nenin 7 të këtij vendimi, përcaktohet se kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja, me vendim, thërret organet e Policisë së Shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit, u paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe rrethanave.
Me marrjen e vendimit, Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo antar i KQV-së, thërret menjëherë policinë dhe njofton KZAZ-në për incidentin e ndodhur. Ndërkohë që, gjatë diskutimit të djeshëm ka lindur dhe një debat, për një nga çështjet më të prekshme dhe më shqetësuese që janë vërejtur në zgjedhjet e shkuara, ndërhyrja në qendrat e votimit e personave me mandat, siç janë deputetët apo edhe persona të tjerë me pushtet.
Duke i cilësuar ata si shkaktarë të jo pak problemeve, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, ka kërkuar që ky institucion të ndalojë në zgjedhjet e ardhshme hyrjen në këto qendra të njerëzve me mandat.
"Është e nevojshme që ne në këtë udhëzim, të sqarojmë edhe një herë se cilët janë personat që duhet të rrinë në qendrat e votimit. Kjo për të gjitha arsyet e ndryshme, por edhe për faktin se ne, në të gjitha zgjedhjet që kemi parë, shikohet se në qendrat e votimit ndërhyjnë në mënyrë flagrante njerëz me mandat.
Prandaj, do të ishte e mira që në këtë pikë të citonim nenin 110 të kodit, ku përcaktohet se cilët janë personat që mund të rrinë në qendrën e votimit. Në qoftë se ka ardhur ndonjëherë prishja e procesit të votimit, kjo nuk na ka ardhur për shkak të policisë, por nga ndërhyrja e njerëzve me mandat, siç janë deputetët që hyjnë e dalin nga qendrat e votimit.
Pra, të shtohet një pikë, ku të thuhet se në qendrën e votimit qëndrojnë vetëm anëtarët, vëzhguesit vendas dhe të huaj", - tha Gjonçaj. Megjithatë, KQZ-ja e ka parë të arsyeshme që për këtë çështje të diskutojë një herë tjetër.