E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreh për vdekje nënën pse s'i jepte firmën për të shitur tokën

86-vjeçarja rrëfen nga shtrati i spitalit: "Im bir më rrahu me bishtin e kazmës, me grushta e shqelma"


ELBASAN- Një 86-vjeçare mbërrin në spital e nxirë në fytyrë, e gjakosur dhe dërrmuar nga djali i saj 70-vjeçar. Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Katund i Ri në periferi të Elbasanit, ku një e moshuar është gjetur nga fqinjët e saj në gjendje mjaft të rëndë, pasi ishte keqtrajtuar nga i biri.

Prene Totoshi, 86 vjeçe, lindur në Zavalinë dhe banuese në fshatin Katund i Ri ka mbërritur në spital me plagë të shumta. Policia ka ndaluar të birin, Isak Totoshi, 70 vjeç, si autor të keqtrajtimit të nënës së tij. Sipas të dhënave të para, 70-vjeçari kishte konsumuar alkool, por gjithsesi shkaku për të cilin ka rrahur nënën e tij ka qenë mohimi i saj për të firmosur dokumentet e shitjes për një tokë buzë autostradës.


E moshuara thotë se djali i kërkonte para dhe e rrihte herë pas here. Ajo tregon se pasditen e së hënës, djali i ka shkuar në shtëpinë, ku ajo jetonte e vetme dhe e ka kërcënuar. Më pas ka filluar t'i gjuajë me grushta, me shqelma, por nuk është mjaftuar me kaq dhe ka vazhduar ta godasë madje edhe me bishtin e kazmës që ka gjetur në oborrin e shtëpisë.

E moshuara, që me vështirësi nxjerr fjalët nga goja, thotë se Isakun e ka djalë të vetëm. Ajo e ka lindur në moshën 16-vjeçare. Isaku jeton me bashkëshorten në qytet dhe ka 3 vajza. Ai madje i çonte shpesh edhe ushqim, por pas ushqimit e kishte zakon ta rrihte. Këtë herë dhuna ka qenë disa herë më e madhe dhe e moshuara e nxirë dhe e gjakosur ka përfunduar në spital.

Ajo kishte vetëm një djalë dhe askush nuk i rri afër në shtrat veç personelit mjekësor të spitalit. Policia ka ndaluar 70-vjeçarin dhunues të nënës, i cili do të përgjigjet tashmë nga qelia për veprimin e tij. Gjithashtu është duke u verifikuar pista që deklaron e moshuara për përdorimin e alkoolit nga ai, si edhe për firmën e shumëkërkuar për të përfituar nga nëna e moshuar paratë e tokës që kërkonte të shiste.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›