Tinguj qytetarë për hir të së bukurës
Kitaristi Alfons Balliçi i prezantoi publikut tingullin e pastër të muzikës elbasanase
Artisti Alfons Balliçi i dhuroi në fundjavë publikut kryeqytetas një mbrëmje me muzikë popullore qytetare elbasanase. "Një lulishte me trëndafila" solli një buqetë me disa nga këngët e vjetra të këtij qyteti si dhe krijime të mirëfillta të kompozitorit.
Artisti nga Elbasani i njohur për publikun e gjërë si një ndër kitarrat më të mira në Shqipëri, atë mbrëmje e kishte lënë mënjanë instrumentin e preferuar për të prezantuar një tjetër "dashuri" të jetës së tij, muzikën popullore qytetatare të Elbasanit.
Koncerti nuk ishte një eksperiment por një programi i menduar dhe i realizuar me kujdes, madje vetë artisti tregon se disa nga këngët i kishte testuar në koncerte të ndryshme në Elbasan para se t'i sillte në Tiranë.
Ai....................... njëherësh kompozitorin dhe dirigjentin. Herë në njërën anë të skenës duke drejtuar orkestrën e herë në mes të skenës duke drejtuar këngëtarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Alfons Balliçi mbajti të "mbërthyer" publikun për gati 90 minuta.
Ishin 20 numrat e përzgjedhur që u interpretuan, këngë të vjetra elbasanase, ndoshta 400-vjeçare, të përpunuara dhe të sjella në kohë nga kompozitori Balliçi. Nga këto vetëm pesë ishin krijime të mirëfillta të tij.
Punën për mbledhjen e këtyre këngëve ai tregon se e ka nisur qysh herët, në kohën kur duhej të mbronte temën e diplomës, në degën e kompozicionit në Institutin e Lartë të Arteve. "Këto këngë i kam gërmuar gjatë viteve 1962-1966, kohë kur punoja për të mbrojtur diplomën me temë "Disa karakteristika të këngës popullore Elbasanase në përgjithësi dhe të asaj të Artistit të Popullit Isuf Myzyri në veçanti",- kujton ai.
Një pjesë të tyre, thotë se i ka marrë drejtpërdrejt nga goja e nxënësve të Myzyrit, njësoj si i këndonte ustai. Për pjesën tjetër i është dashur të udhëtojë drejt Malësisë së Elbasanit por jo vetëm për të mbledhur këngë po edhe për të parë se si ato kishin evoluar.
Në fund ka zgjedhur variantet origjinale, të cilat i ka "freskuar" me tingujt e sotëm dhe i serviri për admiruesit e muzikës qytetare të Elbasanit.
Ndonëse këngët janë mbledhur thuajse 40 vjet më parë dhe disa prej tyre janë luajtur në atë kohë, në mbrëmjen muzikore"Lulishte me trëndafila" janë prezantuar me një tjetër orkestrim.
Kompozitori tregon se pjesa më e madhe është orkestruar gjatë këtyre dy muajve të fundit, në të tillë mënyrë që t'u përshtateshin zërave të Ansamblit. "Nuk do të më dukej e drejtë të bëja një koncert në formën tradicionale, me një linjë strikte, psh vetëm kënga labe apo popullore, ku dilte një solist dhe tek-tuk kishte ndonjë përpunim dyzërash dhe aq. Në koncertet e realizuara në Elbasan kam vënë re që ka pasur sukses ndërthurja.
madOse më mirë të them vërtetova se sado i talentuar të jetë një kompozitor po nuk pati vokalin që ta realizojë nuk bën gjë. Unë e mata këtë hap. Njoh vokalin e artistëve të Ansamblit dhe shkrova pikërisht për ta.
Mendimet e mia u realizuan me vokalin tyre dhe besoj se ky ishte suksesi i tyre",- shprehet kompozitori.
Mbrëmja përcolli këngë të tilla si "Një lulishtë me trëndafila", "Kur Hyra në portë të kalasë", "Dy gishtë përmbi vetull", "Prita një pranverë", "Këngë për Aqif Pashë Elbasanin"etj. Skenografia e kësaj mbrëmjeje - vazo me lule natyrale në çdo 2 metër të skenës dhe një ekran i madh që shfaqte pamje nga Elbasani të ndëthurura me imazhe virtuale të natyrës, të gjitha këto nën sfodnin e tulipanëve të kuq - u mbulua nga zëri i këngëtarëve.
Një lulishte me trëndëfila e përshëndetën edhe dy nga zërat më të njohur të këngës elbasanase, Mustafa Merja dhe Mehdi Zena.
Një nga numrat që u mirëprit nga publiku ishte edhe variacioni për fizarmonikë, tingujt e së cilës ngjasonin si të valseve të Shtrausit.
Por kompozitori shpjegon se pjesa nuk ka asnjë ndikim nga ky kompozitor, madje ai siguron që asnjë pjesë e krijimtarisë së tij nuk është e ndikuar nga asnjë kompozitor. Pjesa që tingëlloi shumë familjare, kompozitori shpjegon se është përpunuar mbi motivin e titulluar "Ishin dy kunata moj zonjë, që shkojshin posi motra".
"Me sa duket në Elbasan para 100 vjetësh ka pasur ndonjë rast ku dy kunata shkonin si motra, dhe populli i përjetësoi me këngë",- tregon Balliçi. "Këto këngë i kam dokumentuar "pa dashje" për hir të së bukurës" shton kompozitori.
-----------------------------------------------------------------------------------------------
"Planetariumi" që eksperimenton me tingullin
Ambasada e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë prezanton sot dokumentarin
"Planetarium". Filmi shfaqet me rastin e "Pranverës së Frankofonisë", në ambientete e Aleancës Franceze në orën 19:00.
Dy muzikantët Yves Dormoy dhe Rodolphe Burger prej vitesh eksperimentojnë me forma të ndryshme të muzikës jazz dhe rok". "Planetarium" është rezultati i punës së kryer në "Cité des Sciences" në Paris në shtator të 2003-it. Dokumentari sjell kërkimet e tyre muzikore me klarinetën, saksofonin, kitarrën elektrike dhe vokalin.
Orfeu dhe Euridiçja kthehen në Akademi
Opera "Orfeu dhe Euridiçja" e kompozitorit Christofer Williband Gluck që mbylli sezonin koncertor të dimrit në Akademinë e Arteve propozohet sërish. Studentët e vitit të tretë dhe të katërt të kantos do të ngjiten në skenën e Akademisë nesër dhe pasnesër në orën 19:00. Opera me regji të Nikolin Gurakuqit dirigjohet nga Dritan Lumshi.