E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është Gianni de Biasi?

Gianni de Biasi, i lindur në Sarmede, provincë e Trevisos, është një ish-lojtar dhe trajner italian. Karrierën si futbollist profesionist e ka nisur tek Interi, por nuk ka arritur të luajë asnjë ndeshje zyrtare me Nerazzurrët. Pavarësisht kësaj, në aktivizimin 15-vjeçar është aktivizuar në Serinë A me Regginan dhe Brescian.

Karrierën si trajner e ka nisur në vitin 1990 me ekipet e moshave te Bosano dhe Vicenza. Në vitin 1992 debutoi si trajner i parë në stolin e Vasteses, në Serinë C2 italiane.

Më pas ka punuar te Carpi, Cosenza, Spal, ndërsa në vitin 2000 u emërua te Modena, ku shfaqi edhe të gjitha cilësitë teknike. De Biasi arriti ta ngriste klubin nga Seria C1 deri në kampionatin elitar italian brenda dy sezonesh, ndërsa në vitin 2002 fitoi çmimin “Bankina e Argjendtë” në Itali, duke u renditur pas Fabio Capellos.

Në vitin 2003 u largua nga Modena për të punuar te Brescia, ku pati mundësinë ta drejtonte Roberto Baggion, ndërsa u largua nga detyra në sezonin 2004-05. Më tej ai mori drejtimin e stolit të Torinos, duke e kthyer skuadrën në Serie A, por u largua pa zhvilluar asnjë ndeshje të sezonit 2006-07.

Në shkurt të 2007-ës, klubi “Granata” e riktheu në vend të Alberto Zacheronit dhe skuadra siguroi mbijetesën mes më të mirëve. Në edicionin 2007-08, De Biasi u emërua te Levante në La Ligan spanjolle, por për shkak të krizës financiare dhe largimit të disa lojtarëve kryesorë në afatin kalimtar të janarit, nuk arriti t’i siguronte ekipit mbijetesën.

Pavarësisht këtyre problemeve, Levante regjistroi disa fitore befasuese, ndërsa në një prej numrave të gazetës “AS” italiani u vlerësua si trajneri më i mirë i kampionatit. Në prill 2008, strategu u emërua sërish te Torino, ku e drejtoi skuadrën për 15 javë përpara se të shkarkohej nga detyra, ndërsa më 22 dhjetor 2009 te Udinese në vend të Pasquale Marinos.

Por, duke qenë se ‘Friulianët’ nuk po paraqiteshin mirë, De Biasi dha dorëheqje në shkurt të 2010-ës. Prej asaj periudhe ka punuar si komentator sportiv për ndeshjet e Europa League dhe Serisë A.

Në Itali, De Biasi vlerësohet si një trajner i cili është taktikisht shumë i zoti, ndërsa seancat stërvitore që ai organizon cilësohen një art në vete. 55-vjeçari njihet ndryshe edhe si një “gjeneral” në kuptimin e mirë të fjalës, pasi kërkon të ketë kontrollin mbi dhomat e zhveshjes dhe të vendosë rregulla që ndihmojnë në forcimin e grupit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›