Si në stërvitje, Barcelona në finale

Barcelona ka siguruar kalimin në finale të Kampionatit botëror të klubeve pas fitores ndaj kampionit të Azisë, Al Sadd me rezultat 4-0.
Gjiganti katalan, kampion në fuqi i Evropës dhe La Ligas me lehtësi kaloi pengesën e saj të parë, dhe të vetme, në rrugë drejt finales ku e pret skuadra braziliane Santos, të dielën.
Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 25-të nëpërmjet mbrojtësit Adriano. Pikërisht braziliani, realizoi edhe golin e dytë në minutën e 43-të, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë e përballjes.
Edhe e dyta shkoi njësoj, Barcelona realizoi edhe dy gola të tjerë nëpërmjet mesfushorit Seydou Keita (min 64) dhe mbrojtësit Maxwell (81) dhe kompletoi ‘stërvitjen’ dhe kalimin në finale. Por, lajm i keq për gjigantin katalan është lëndimi i sulmuesit David Villa u cili u bart jashtë fushës në pjesën e parë.