E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është Lulzim Basha

Lulzim Basha, plot dy muaj e 16 ditë që kurse u zhvilluan zgjedhjet lokale, ka marrë zyrtarisht detyrën duke u betuar para 55 anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Ai mundi më 8 maj me një diferencë të vogël votash ish-kryetarin e bashkisë dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Po kush është Lulzim Basha, politikani i njohur tejet shumë duke nisur nga viti 2005, që ka shënuar jo pak suksese në karrierën e tij. Lulzim Basha, ka lindur në Tiranë më 12 qershor 1974. Ai nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Holandë në vitin 1993, duke u diplomuar në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare.

Pas studimeve, Basha punoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, duke udhëtuar drejt Kosovës për të hetuar krimet e luftës. Pas tre vjetësh punë, ai ishte pjesë e skuadrës që ndihmoi në përgatitjen e akt-akuzës në ndjekjen e Sllobodan Millosheviçit. Lulzim Basha më pas shërbeu si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.

Pas kësaj, në vitin 2005, Basha i njohur si një nga miqtë e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, bëhet pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave, i njohur si KOP-i, i cili solli në pushtet Partinë Demokratike me në krye kryeministrin Sali Berisha.

Në atë kohë, Basha ishte zëdhënës i fushatës së PD-së, ku më pas u bë anëtar i kryesisë dhe anëtar i  Këshillit Kombëtar. Po karriera e tij politike në ngjitje brenda selisë blu, nuk ndalet këtu. Me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2005 Basha caktohet në detyrën e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve.

Përgjatë dy viteve në këtë post Basha realizoi projektin e mazhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës- Morin, e njohur si “Korridori i kombit”, që lidh Kosovën me Shqipërinë. Në maj të vitit 2007 Basha emërohet ministër i Jashtëm, çka duke qenë në këtë post, Shqipëria u bë anëtar i NATO-s më 3 prill të vitit 2008. 

Pas zgjedhjeve të qershorit 2009 Basha emërohet si ministër i Brendshëm, dhe vetëm një vit më vonë Shqipëria përfiton nga procesi i liberalizimit të vizave, ku kriteret kryesore ishin ato që lidheshin drejtpërdrejt nga ministria që drejtonte Basha. Ai qëndroi në krye të dikasterit të brendshëm deri në mars të këtij viti, kur nisi rrugëtimin për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, çka sot është zyrtarisht në krye të saj. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-25 16:16
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›