E Diel, 1 Nëntor 2026

Oslo, autori i sulmeve para gjyqit

Seanca dëgjimore u zhvillua me dyer të mbyllura, sipas vendimit të gjykatësit, i cili më vonë pritet të dalë me një deklaratë.

Në mesditë, në Oslo u mbajt një minutë heshtje për nder të viktimave nga shpërthimi i bombës pranë zyrave të qeverisë dhe sulmi me armë në ishullin Otoeia.

Breivik, 32 vjeç, mori përsipër autorësinë për të dy ngjarjet, duke thënë se gjithçka e kishte bërë i vetëm.

Policia tha se i akuzuari pranoi vrasjet, por nuk mori përgjegjësi kriminale për to.

Anders Breivik, pjesë e grupimeve ekstremiste të djathta, the se kishte vite që i planifikonte sulmet.

Të paktën 96 persona mbetën të plagosur, ndërkohë që bilanci i të vdekurve mund të rritet pasi katër persona janë shpallur të zhdukur. Mendohet se ata janë mbytur në përpjekje për t’u larguar nga ishulli.

Ditën e djeshme, Breivik i cilësoi veprimet e tij “të tmerrshme por të nevojshme”.

Sipas ligjit norvegjez, ai rrezikon të dënohet maksimumi me 21 vjet burg, edhe pse ky dënim mund të jetë më i rëndë nëse vërtetohet se i akuzuari përbën kërcënim publik.

Një video 12-minutëshe anti-muslimane u publikua në YouTube, ku Breivik shfaqet i armatosur rëndë.

Gjithashtu, në internet qarkulloi pak orë para sulmeve një dokument prej 1 500 faqesh që mendohet se është i autorit të masakrës, nën pseudonimin Endriu Beruik.

/Start/E. Bylykbashi/

                                                                                             2011-07-25 16:00
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›