E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush i shpëtoi hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore? Berisha apo shqiptarët?

Share

Ka një fakt që na bën vërtetë të ndjehemi krenarë sot. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familjet shqiptare nuk i dorëzuan hebrenjtë tek gjermanët.

Ka edhe një fakt të dytë që na bën vërtet të ndjehemi mirë. Jemi kombi më pro-amerikan në botë.

Megjithatë të dy këto fakte po përdoren rëndshëm nga kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës së tij në SHBA. E dimë që këtë faktin e dytë e përdor prej kohësh, por është e qartë se po abuzon ndjeshëm me faktin e parë, atë që kemi shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vizita e tij në SHBA është dominuar nga fjalët Holokaust dhe hebre, madje Berisha ka marrë edhe një çmim të posaçëm për këtë çështje. Ai së bashku me median e tij e kanë përdorur aq shumë këtë fakt, sa të duket se në Luftën e Dytë Botërore, të mos ishte për Berishën, hebrenjtë këtu do ishin zhdukur.

Në Muzeun e Holokaustit në Uashington u shfaq dje një dokumentar, i quajtur Besa, ku vlerësohen shqiptarët për faktin se kanë mbrojtur hebrenjtë. Berisha mbajti një fjalim, ku sigurisht merakun e kishte të tregonte se sa mirë e ka pritur Hillari Klinton. Unë takova dje, Sekretaren Clinton dhe në takim ishte edhe zoti Reeker, gjithashtu ambasadori Arvizu. Ai ishte një nga takimet më miqësore, sepse në çdo fjalë gjeta një vullnet të fortë për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët, një mbështetje të fortë për Shqipërinë për të ecur përpara, për të konsoliduar demokracinë, tha Berisha.

Por ishte një fjalim i ndjerë i Johanna Neumann, e mbijetuar e Holokaustit, që është ndihmuar nga një familje shqiptare për të shpëtuar nga nazizmi- dhe që tani punon në Muzen e Holokaustit, që na tregoi se sa komb i madh jemi, por me udhëheqës kaq të vegjël. Ajo tha se nderimin që po i jep qeveria shqiptare, e meritojnë në fakt shqiptarët.

FJALA E NEUMANN

Më e pakta që mund të them është që jam shumë e emocionuar nga fakti që qeveria shqiptare më nderon mua sonte me këtë çmim. Në fakt janë ata që duhet të nderohen. Janë shqiptarët që e meritojnë këtë çmim, jo unë. Ata vunë jetën e tyre në rrezik si dhe jetën e familjeve të tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Nuk ka mjaftueshëm fjalë për të shpjeguar kurajën që këta njerëz treguan për të shpëtuar hebrenjtë në vendin e tyre. Ata nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët. Kur ata refuzuan të dorëzonin listën e hebrenjve që ndodheshin në vend në atë kohë, ata patën kurajën. Dhe çfarë kuraje ishte kjo? Ti thonin nazistëve; unë nuk njoh hebrenj, unë njoh vetëm shqiptarë. Në shumë vende evropiane hebrenjtë kishin frikë se qeveritë e tyre do ti denonconte tek gjermanët por në Shqipëri kjo nuk ndodhi. Në Shqipëri pati bashkëpunim midis popullit dhe qeverisë shqiptare. Populli shqiptar jetonte me një standard të lartë moral, Besa. Ne ishim të huaj që kishim nevojë për ndihmë. Për rrjedhojë kodi moral i tyre u diktonte se ata duhet të ndihmonin me çdo çmim. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte një popullsi prej 1 milionë banorësh dhe pavarësisht kësaj numri i atyre të nderuar si Të Drejtë Mes Kombeve është rreth 70 individë dhe familje, pra numri është më i madh dhe në të përfshihen edhe fëmijët. Në familjen që na shpëtoi ne, kishin 2 fëmijë të vegjël dhe ata e dinin çfarë po ndodhte dhe nuk i thanë shokëve të tyre që në familjen e tyre kishte hebrenj. Asnjëherë. Është e vështirë ta krahasosh këtë me një numër vendesh evropiane. Në vendet ku gjermanët zbulonin se kishte hebrenj ata u mbyllnin aktivitetet. Kjo doli qartë nga një raport i gjendur në arkivën shqiptare ku autoritetet i përgjigjen Berlinit se ata e kuptonin shumë mirë se çfarë u kërkohesh, pra që të deportonin hebrenjtë menjëherë. Po flasim për vitin 43. Në këtë raport thuhet se kjo gjë do të ishte e dëmshme për Gjermaninë sepse populli shqiptar nuk do të bashkëpunonte. Ata e kishin kuptuar që Shqipëria nuk do të lejonte që të deportonte hebrenjtë nga vendi i tyre. Duke u rritur dhe duke lexuar e kuptuar më shumë për mizoritë e nazistëve ndaj hebrenjve, respekti, admirimi dhe mirënjohja ime për popullin shqiptar u rrit edhe më tepër. Unë jam këtu sot dhe kam mundësi të flas për këtë popull të mrekullueshëm, se këta njerëz duke e ditur që ishim hebrenj na shpëtuan neve në shtëpitë e tyre. Nuk pati diferencë, ata u shpëtuan si nga myslimanët, ashtu dhe nga kristianët. Pa mirësinë dhe angazhimin  e popullit shqiptar nuk do kisha mundësi tju flisja ju sot dhe të isha nëna e 4 fëmijëve dhe gjyshe e nipërve e mbesave. Ju falënderoj shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›