E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSh publikon afatet, kur dhe si do të merret shtesa e pensionit



Jonida Tashi

Ka përfunduar llogaritja e rritjes së re të pensioneve që u përcaktua nga qeveria. Të gjithë pensionistët, të cilët nuk kanë mundur ta marrin shtesën e pensioneve gjatë muajit gusht do ta marrin duke filluar nga data 1 shtator. Sipas specialistëve të ISSH-së, tashmë gjithçka është gati dhe pensionistët do të mund të tërheqin masën e ndryshuar të pensionit të tyre. Burime nga ISSH-ja bëjnë të ditur se shtesa e prapambetur e pensioneve në bazë të vendimit të qeverisë, në të cilin thuhet se rritja e pensioneve do të ketë efektet e saj duke filluar që nga muaji korrik ka filluar të shpërndahet që në muajin gusht. Kështu, pensionistët do të mund të përfitojnë rritjen në masën 10 për qind për pensionet e qytetit dhe 15 për qind për ato të fshatit.
Shtesa
Pas përfundimit të llogaritjes së shtesës, çdo pensionist do të mund të marrë në datën e tij të pensionit, masën e re të pagesës. Kjo do të thotë se pensionistët nuk humbasin të drejtat e tyre financiare edhe nëse këto shtesa i marrin në muajin shtator, pra efektet do të fillojnë që nga data 1 korrik. Çdo pensionist gjatë muajit shtator do të marrë dhe shtesën e prapambetur të pensioneve, në bazë të vendimit të qeverisë, në të cilin thuhet se rritja e pensioneve do të ketë efektet e saj duke filluar që nga muaji korrik. Sipas specialistëve të ISSH-së, pensionistët duhet të jenë të sigurt se në datën që do të paraqiten pranë arkave paguese do të marrin pensionin e rritur. Kështu në datën 1 korrik, në këto arka janë dërguar urdhër-pagesat e reja, në të cilat është shënuar edhe masa e rritur e pensionit.
Pensionet
Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që kanë datë fillimi nga 1.07.2008 e në vazhdim nuk caktohen më pak se 9 515 lekë në muaj dhe më shumë se 19 030 lekë në muaj. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të ligjit nr.7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1 korrik 2008 e në vazhdim nuk mund të caktohen më pak se 5 200 lekë në muaj. Me rritjen e re të pensioneve është tejkaluar edhe parashikimi për vendosjen e masës së pensioneve në 50 dollarë në fshat dhe 100 dollarë në qytet. Ndërkohë, sipas parashikimeve edhe gjatë vitit të ardhshëm pensionet do t’i nënshtrohen një rritjeje të re.
Aplikimi
Aplikimi për pensionin duhet të nisë pesë muaj përpara se i interesuari të plotësojë moshën e daljes në pension. ISSH rikujton se, të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, mund të paraqesin kërkesë me shkrim, që pesë muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Një aplikim i tillë do t’u jepte kohë të gjithë aplikuesve që të përfitonin pensionin që në muajin e parë të plotësimit të moshës. “Për shkak të migrimit, të ndryshimit të vendeve të punës, të vendeve të banimit, kërkohet kohë për të verifikuar dokumentacionin. Ndaj një aplikim i tillë do t’i jepte kohë punonjësve që të mblidhnin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, - pohon drejtori i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Saba Goci.
Ankimi
Në rast se një person nuk është dakord me ndonjë element të caktimit të pensionit siç është shuma e përgjithshme e vjetërsisë në punë, masa e pensionit etj. me të drejtën që i jep ligji 7703, ai mund të ankohet për vendimin e zyrës së pensioneve në Komisionin e Apelit të ngritur pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. “Nëse merr përgjigje negative nga ky Komision ai ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit Qendror të Apelit që është ngritur pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, - sqaron Goci, duke theksuar se, ankesat e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në gjykatë, nga e cila çështja zgjidhet përfundimisht. Sipas Saba Gocit, masa e pensionit, përcaktohet nga dokumentacioni që ndodhet në dosje. Në rastin konkret është caktuar në bazë të pagave të paraqitura me vërtetim page nga institucioni në të cilin ka punuar aplikuesi ku dhe janë mbajtur kontributet për sigurimet shoqërore. Kështu, nëse aplikuesi mendon se është bërë ndonjë gabim, duhet t’i drejtohet zyrtarisht ISSH-së, ku të parashtrojë ankesën e tij, si dhe të jap të dhëna konkrete, si emri, mbiemri, numri i librezës së pensionit dhe rrethin ku është caktuar pensioni. Pas kontrollit të dosjes së pensionit, kthehet një përgjigje e hollësishme si është vepruar për caktimin e masës së pensionit.

Pensionet që rriten, në masën 10 për qind
Pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, pensionet për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi, pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Pensionet e posaçme shtetërore dhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Shtesa mujore, e përfituar në përputhje me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
Pensionet e caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, miratuar me ligjin nr.7799, datë 24.2.1994.

Pensionet që rriten, në masën 15 për qind
Pensionet e plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara në përputhje me ligjin nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
Pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Rritja e pensioneve, e parashikuar në vendimin e qeverisë, do të zbatohet edhe për shtesat mbi pension, të dhëna në përputhje me nenet 33, 38 e 39, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me nenin 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
Rritje, në masën 10 dhe 15 për qind, përfitojnë edhe pensionet, të cilat caktohen nga data 1 korrik 2008 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30 qershor 2009, përfshirë edhe këtë datë.

Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensionave, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 1.7.2008 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 9 515 (nëntë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë në muaj dhe më shumë se 19 030 (nëntëmbëdhjetë mijë e tridhjetë) lekë në muaj.
Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.7.2008 e në vazhdim, nuk mund të caktohen më pak se 5 200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj.

Pensionistët, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, edhe pas rritjes së pensionit, në masën e caktuar në pikën 2, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e të ardhurave, në masën e përfituar nga zbatimi i vendimit nr.17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›