E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: “Qeveria po na mashtron dhe po na rënon me rimbursimin e TVSH-së”



Ervin Koçi

Rimbursimi i TVSH-së edhe pse është miratuar me një ligj të posaçëm nga qeveria, përsëri nuk po zbatohet për firmat dhe kompanitë e biznesit të cilat presin të marrin paratë e tyre. Për biznesin shqiptar, kryesisht për atë eksportues, rimbursimi i Taksës së Vlerës së Shtuar duket se është kthyer në një “makth”, pa mbarim. Kjo për vetë faktin se, për të përfituar atë çka në fakt ligji ua njeh bizneseve, duhet një kalvar i gjatë me dokumenta dhe me burokraci shtetërore, deri sa në fund kompania apo subjekti të marrin në dorë paratë e rimbursimit të TVSH-së. Përfaqësuesit e dhomave të ndryshme tregtare në vend shprehen se administrata tatimore vendos barriera të panevojshme burokratike, të cilat gjenerojnë vonesa disbursimi për biznesin. Sipas tyre, problemi është më i theksuar në rrethet e tjera të vendit se sa në kryeqytet. Aty kompanitë dhe bizneset duhet tu “falen” inspektorëve të tatimeve dhe zytarëve të tjerë për të marë paratë që u takojnë nga disbursimi. Shumë herë këta përfaqësuesus i janë drejtuar Ministrisë së Financave për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi dhe prej tyre kanë marrë garanci se, “detyrimet do të shlyhen në kohën e duhur për bizneset”.

Akesat e eksportuesve

Përfaqësuesit e kompanive të eksportit dhe kryesisht fasonistët, po ankohen gjithnjë e më tepër për këtë problem që sipas tyre është kthyer në një “ngërç”. Sipas përfaqësusve më të lartë të këtij biznsi, fenomeni përbën një rrezik të vazhdueshëm potencial për biznesin e fasonit (punës me material porositësi), të cilët duket se nuk kanë shumë shpresa për të përfituar atë çka i’u takon me ligj. Sipas kryetarit të Dhomës së Prodhuesve të Veshjes dhe Tekstileve, Edmond Rusmali, biznesi i fasonit po përballet me një mungesë të theksuar të rimbursimit të TVSH-së. “Janë dy raste flagrante, të cilat janë evidentuar nga Dhoma dhe i janë bërë prezent edhe administratës tatimore. Dy subjekte, të cilat kryejnë aktivitetin e fasonit në vend, prej një kohe të gjatë, 3- 4 vjet nuk janë rimbursuar nga shteti për këtë taksë. Bëhet fjalë për një detyrim të konsiderueshëm, që administrata ka ndaj tyre, përkatësisht për shuma që variojë nga 1.2- 2.4 milion lekë”, - deklaron për gazetën Rusmali. Sipas tij shkaku i vetëm i këtij problemi është mungesa e likuiditetit nga administrata tatimore. “Disa herë me radhë kemi paraqitur ankesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, por prej tyre kemi marrë përgjigje se mungojnë fondet për rimbursimin e kësaj takse. Problemi nuk ka pengesa nga ana ligjore, por fakti është se shumat nuk po rimbursohen në kohë, duke u mbartur nga viti në vit dhe një gjë e tillë krijon probleme për biznesin”,- thotë Rusmali. Sipas tij, zgjidhja e vetme e këtij problemi është se shteti duhet të tregohet korrekt ndaj detyrimeve të tij ndaj biznesit, si edhe në rastet e ndërsjellta kur kërkon që biznesi të shlyejë në kohë detyrimet, që ka.

Dhomat e Tregtisë

Por ku problem edhe pse mjaftë serioz duket se ka edhe një anë tjetër të medaljes. Sipas drejtuesit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj, ka një përmirësim të ndjeshëm në rimbursimin e TVSH-së ndaj biznesit në krahasim me vitin 2007. “Problemi ekziston, por po vërehet një vullnet i mirë nga ana e qeverisë për të rimbursuar biznesin, në këtë të drejtë të tij”, - thotë Uldedaj. Sipas tij, vonesat kanë ardhur si shkak i procedurave burokratike dhe kontrolleve të panevojshme të administratës tatimore. Sipas tij, më problematike janë pikërisht degët e tatimeve në rrethe, të cilat nuk po reagojnë në kohën e duhur, madje edhe me shumë vonesë ndaj biznesit. Uljededaj, thotë se është një marrëdhënie, e cila e lodh biznesin dhe bën që të minimizohet besimi ndaj strukturave fiskale. Duket se të njëjtin opinion ndan edhe kreu i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla, i cili thotë se “në bazë të kontakteve, që kanë pasur me krerët drejtues të administratës tatimore, problemi do të zbutet dhe biznesi do të shlyhet në kohë për rimbursimin e kësaj takse”.

Administrata Tatimore ka shlyer vetëm 40 për qind të TVSH-së

Administrata e tatimeve ka rimbursuar vetëm 40 për qind të tatimit mbi vlerën e shtuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke bërë që pjesa tjetër e parave të shkojë në zërin e të ardhurave dhe të raportohet si e tillë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në krahasim me vitin e kaluar, administrata e tatimeve ka dhënë 400 milion lekë më shumë si rimbursim për TVSH-në, por kjo sasi është tepër e vogël krahasuar me vlerën që i detyrohet administrata e tatimeve biznesit. Sipas të dhënave zyrtare, vlera me të cilën sot shteti i detyrohet biznesit për shkak të rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, i kalon 40 milion dollarë.

Problemet që has biznesi nga mosrimbursimi i TVSH-së

Subjektet dhe kompanitë e biznsit të cilave me ligj u njihet rimbursimi i TVSH-së nga Tatimet, ankohen se kanë mjaftë probleme prej vonesave të këtyre proedurave, si dhe për shkak të burokracive dhe dokumentave të shumta. Për efekt rimbursimi, vazhdon të kërkohet deklarata doganore e importit të vendit pritës, ndërkohë që ekziston deklarata doganore e eksportit, e konfirmuar nga Dogana Shqiptare, e cila është në varësi të të njejtit dikaster siç është dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (Ministria e Financave). Por akoma mbeten disa probleme të pazgjidhura dhe që përbëjnë shqetësim për biznesin, të cilat po nuk u zgjidhen do t’i lënë dorë të lirë arbitraritetit të administratës tatimore. Disa nga këto probleme janë: 1) Nuk përcaktohet saktë se kujt duhet t’i drejtohet biznesi për të përfituar kamatëvonesat, në rast se nuk i rimbursohet TVSH-ja në kohë; 2) Nëse për këtë do t’i drejtohej Gjykatës, çështja do të zgjatej shumë dhe biznesi do të “asfiksohej” nga paratë e bllokuara; 3) Nuk përcaktohet saktë se çfarë do të kontrollohet, ndërkohë që çështja e kreditimit të TVSH-së dhe rimbursimi janë një fenomen mjaft i thjeshtë dhe i kontrollueshëm lehtë; 4) Po kështu nuk sqarohet se cilat janë rastet kur subjektit nuk i njihet rimbursimi i TVSH-së dhe për rrjedhojë nuk i kryhet sipas afateve të përcaktuara; 5) Duket absurd fakti që për efekt rimbursimi, vazhdon të kërkohet deklarata doganore e importit të vendit pritës, ndërkohë që ekziston deklarata doganore e eksportit, e konfirmuar nga Dogana Shqiptare. Por për të përballuar konkurrencën në tregjet e rajonit dhe në tregjet e BE-së, biznesi e ka kryer misionin e tij, duke prodhuar mbi bazën e teknologjive moderne e sipas standardeve europiane. Tani i lind detyrë qeverisë që të punojë për të përafruar legjislacionin tonë tatimor me atë të vendeve të rajonit, duke shkallëzuar tarifën e TVSH-së, dhe duke hequr pagesën e saj për importimin e lëndëve të para, të cilat përpunohen për realizimin e produktit të gatshëm për eksport.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›