Kush ia lypi Hashim Thaçit?
facebook.com/bledi.mane
1./Bashkimi
Kaloi thatë fare, pa u ndjerë e pa rënë në sy të askujt.
Media “e tredhur” e Tiranës, e tulatur nga behja e papritur e pranverës po shukullohej në diell e nuk pipëtiu fare. Media unmikase e Kosovës thjesht u mjaftua me informim sipërfaqësor e askund nuk u pa ndonjë debat i fortë e i thellë.
As në Evropë e as në Amerikë prestigjozet kualitative nuk u morrën fare me atë deklaratë. Ndoshta duke na i ditur midenë e mendjen askush nuk u lodh të analizonte me detaje plane B apo C. Hashimi e nxori nga goja atë deklaratë e a ishte konsultuar me tutorët ndërkombëtarë kjo duhet verifikuar. Duhet verifikuar me patjetër edhe nëse i ka marrë mendim këtij tonit sepse pesha e deklaratës është e rëndë si lart edhe poshtë Morinës. Të pretendosh në unifikim të një shteti mbarëshqiptar pa marrë opinionin edhe të gjakovarit që zallamahis Tiranën këto 21 vitet e fundit është e paimagjinueshme.
Megjithatë kryeministri kosovar si kundërpeshë të kërcënimeve serbe për zgjedhje në Mitrovicë në mes të parlamentit të Republikës foli hapur e qartë:- “Me ndryshimin e kufijve në Ballkan, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në një shtet të vetëm.”
E mendoi, e nxori nga goja, e tha Hashimi. Po kë pyeti, kush ia kërkoi?
***
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë deri në fund të shekullit të XX-të ishte me të vërtetë në modë. Pleksur sa me patriotizëm sa legjendar, sa me nostalgji sa me respekt e duke kulmuar me spastrimin masiv të 1999-s dy vendet amë preknin e puthnin njëri-tjetrin plot dashuri të sinqertë. Shqipëria pavarësisht deficencave të një ekonomie stabile mundi të strehonte e ushqente motrën e saj më të vogël Kosovën derisa kjo e fundit falë edhe ndihmës ndërkombëtare hoqi bebelinat, filloi të ecë e tashmë si një adoleshente e bukur e përkëdhelur pak përtace, na shet pordhë përtej tunelit të Kalimashit.
Pavarësisht se ideja e rrugës së kombit ishte e socialistit Majko, pavarësisht se Shqipëria e tërë hapi dyer e dritare e zemër e shpirt e xhepa duke pritur një milionë vëllezër në vitet kur qeverisnin të majtët prapësëprapë, nuk ndjehet përpjestim i drejtë dashurie.
Duke pretenduar se gjakovari i tyre, muslimani Sali Berisha prin në Shqipëri siç duhet, duke pretenduar se rruga e (pa)përfunduar e kombit ishte dhe mbetet vepra e një njeriu të vetëm, duke pretenduar dhe etiketuar të majtët apo jugorët si filogrekë e komunistë, opinioni publik kosovar ende mbetet i mbingarkuar me këtë lloj energjie negative të propagandës bajate të të dyja kaheve.
Pas nuk mbetet as Shqipëria.
Qeverisja e stërgjatur e lodhur krahiniste e së djathtës ka ngritur tashmë karabinanë e një ngrehine, e cila pavarësisht se nuk legalizohet kurrë, do të mbetet për kohë të gjatë e pa shembur duke shpërndarë si eternit në eter afshin kanceroz të urrejtjes.
Tani që kufinjtë u shembën, u ndërtuan lidhjet e biznesit e të krushqive sporadike, por ende nuk është institucionalizuar dashuria reciproke dhe tërësia identitare.
Legjendat urbane të Tiranës po çimentojnë si pa kuptuar e rrezikshëm një lloj patetizmi sfidues ndaj bashkëkombasve tanë.
Kosovarët porsi pjesa dërmuese e veriorëve në Shqipëri konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë e më pak inteligjentë. Adhurohet muzika e tyre por aspak dialekti. Trendet në veshje dhe stili i tyre admirohet, por kurrsesi mentaliteti i theksuar oriental. Fajësohen se njohën para nesh perëndimin duke na mësuar monstruozitetin e të bërit kriminel. Letërsia, arti, media e tyre ndoshta qëllimisht nuk penerohen nga paria opozitare influencuese e vendit e kjo bën që të gjymtohet identiteti i tyre. Rexhep Qosen e anatemojmë se kundërshton Kadarenë tonë të paprekshëm, Hashim Thaçit ia kemi pirë lëngun duke e njehësuar me ushtarët e Berishës si Pollo, Alibeaj, Nishani ndërsa përjashtim bën respekti dhe admirimi për Albin Kurti që nuk njeh regres.
A mendonim e silleshim kështu ne me kosovarët e kosovarët me ne më 1989, 1991, 1997, 1999, 2002, 2005???
Ndryshe nga kurba e fqinjësisë me grekët, e cila lehtas pësoi progres me hyrjen në NATO, nënshkrimin e marrëveshjes asociim-stabilizim, liberalizim vizash Schengen, kurba e fqinjësisë dhe vëllazërisë me Kosovën thjesht luhatet pakëz dhe vazhdon ftohjen.
Në mendjet tona tashmë një kosovar është pikturuar bardh e zi si berishian. Si një okupator verior, i cili bashkë me këtë kryeministër kërkon ti zaptojë vendit tonë pronat, plazhet, bizneset. Një kosovar mendohet si okupator dhe tjetërsues historie, etnografie, linguistike. Duket sikur duan të hakmerren ndaj diktaturës së jugorit Enver Hoxha, i cili ua paska lenë në skamje e injorancë dardanët e mbetur të Shqipërisë. Duan të hakmerren edhe për përmbysjen e pushtetit të 1997 e për këtë i qëndrojnë ushtarë besnikë doktorit.
As vizitat e liderit të opozitës në Kosovë, Preshevë e Maqedoni ende nuk e zbutën mërinë patetike mes dy shqiptarizmave ndaj mendoj se deklarata e Hashimit tingëllon thjesht parodi.
Në Shqipëri si poshtë a si sipër Shkumbinit nuk kërkon njeri bashkim me Kosovën sepse një gjë e tillë do i katërfishonte oreksin këtij tonit e duke vjedhur vota në Prishtinë e Tiranë do të kthehej në rrezik jo më lokal, por rajonal e më gjerë.
Hashimi para se të marrë mikrofonin në dorë e të flasë për bashkim, duhet ti shkëputet kopjimit të shëmtuar që i bën kryeministrit tonë të shëmtuar. Duhet të punojë të rikthejë në bina dashurinë mes veti, atë dashuri që kishim në 97-98 kur Hashimi jetonte i paparagjykuar në Tiranë dhe gjuante gocat e bukura në kioskat e shëmtuara të parkut Rinia.
Të më falin mediat e Tiranës, Prishtinës, Brukselit dhe Washingtonit për reagimin e zbehtë. Hashim Thaçi le të flasë gjithë ditën për bashkim. As Beogradi, Shkupi dhe Athina nuk tremben. Nuk bashkohet dot shqiptaria në këtë lloj katastrofe ku e kanë katandisur. Nuk ka nerva e para UNMIK dhe EULEX të merret me një tjetër Republikë amorfe pa standarde, ndaj o burra kosovarë e shqiptarë le të punojmë fort të ndarë për veten e ndoshta kur të bashkohemi në Bruksel le të fillojmë të duhemi e të puthemi.
2./Puthu Ekrem!
Të puthemi?
Të puthet një shqiptar e një kosovar në Bruksel në sy të botës?
Bëni kujdes se u vjen Eqerem Spahia me hu. Vjen Eqeremi se nuk i duron dot puthjet dhe ledhatimet e seksit të njëjtë.
Eqeremi i Berishës, i Zogut, i Imamit, Eqerem burgaxhiu i grushtit të shtetit të ’98 qenka konvertuar në homofob?
Qyqja mi gra, po Aldo Bumçi dhe Lul Basha do të reagojnë pas reagimit të Eqeremit?
