E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ishte Fransua Pukëvili?

Vazhdojmë portretet e Ali pashës nga libri i Pukëvilit Historia e ringjalljes së Greqisë" (në shqip: Historia e vezirit të tmerrshëm) në pesë etapa të karrierës së tij. Por më parë pak fjalë për autorin, një bir i Revolucionit Frëng, ende i panjohur madje edhe i anatemuar nga librat e historisë te ne.

François Pouqueville (Fransua Pukëvil), mjek, diplomat, arkeolog, historian, shkrimtar, u lind në një qytet të vogël të Normandisë në vitin 1770. Mësoi në fillim si seminarist, veshi më pas edhe zhgunin e famullitarit, por me shpërthimin e Revolucionit mori anën e republikanëve.


Fillon dhe e tërheq mjekësia; nisi studimet në qytetin amtar, për t'u zhvendosur më 1797 në Fakultetin e Mjekësisë në Paris, ku e ndihmoi mjeku A. Dubois, ai që do të ishte më pas gjinekologu personal i perandoreshës Mari Antuanetë, kur kjo lindi trashëgimtarin, Napoleonin II.


Më 1798 Pukëvili shoqëron Napoleonin në flotën frënge si mjek kirurg dhe i dërguar i Komisionit të Shkencave dhe Arteve në shpeditën e Egjiptit. Në Aleksandri caktohet përfaqësues i Francës në traktativat me admiralin anglez Nelson. Gjatë kthimit, pranë brigjeve të Kalabrisë bie rob së bashku me oficerë të tjerë francezë dhe dorëzohet si skllav te pashai i Moresë, i cili i mbyll në një burg të Trikallës.


Sillen diçka më mirë më mbas dhe Pukëvili pati mundësi të lëvizte dhe të eksploronte vendet antike të Peloponezit. Por sulltani kërkoi që robërit francezë të sillen në Stamboll, ku i mbyll në burgun e Shtatë Kullave. Pukëvili kaloi më shumë se dy vjet si i burgosur.


Si mjek arrin të shkojë deri në sarajet e sulltanit në Topkapi e në haremin e tij. Në ato vende murtaja ende i tmerronte njerëzit. Pukëvili u mor me studimin e kësaj sëmundjeje, të cilin më pas do ta zgjeronte si doktoraturë, një punim që u vlerësua shumë në kohë të tij.


Më 1801 lirohet dhe kthehet në atdhe. Më 1805 boton shënimet e tij, rreth 600 faqe që i kishte shkruar në formë ditari me një kod sekret, nën titullin Udhëtime në Epir, Konstandinopojë, Shqipëri dhe vise të tjera", në tri vëllime.


Libri pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe u përkthye në disa gjuhë; ai i kushtohej Napoleon Bonapartit. Suksesi i pazakontë i tij e shtynë perandorin dhe ministrin e tij të jashtëm Talleyrand ta caktonin autorin konsull të përgjithshëm të Francës në Janinë pranë Ali pashës.


Mbërriti në territoret e Aliut në fillim të vitit 1806, ku do të ishte për gati dhjetë vjet përfaqësues i Perandorisë, më pas i Mbretërisë së restauruar frënge në Janinë dhe në Patras (më 1816), ku ishte emëruar gjithashtu edhe i vëllai nëntë vjet më i ri Hygë.


Përveç aktivitetit diplomatik e politik gjatë gjithë kësaj kohe merret me eksplorime të shumta arkeologjike, etnografike e historike në trevat e Epirit, Shqipërisë së jugut, Thesalisë, Maqedonisë, Moresë.


Me të vëllanë Fransua Pukëvili arriti të zbulonte vetëm në Epir 65 site të harruara të antikitetit. Qindra faqet e ditarëve që mbush gjatë kësaj periudhe do t'i shërbenin më pas për botimet e tij, veçanërisht për "Historinë e ringjalljes së Greqisë".


Marrëdhëniet me Ali pashën patën oshilacione të shumta, në varësi edhe të gjendjes politike të ditës, të raporteve me perandorinë e Bonapartit dhe të rivaliteteve mes Anglisë dhe Francës në ato treva. Në tërësi mund të thuhet se Pukëvili ruajti ndaj, siç e quan ai, satrapit të Janinës, distancën e diplomatit por pa ngurruar të denoncojë në Stamboll sjelljet e tij ndaj qytetarëve dhe ushtarakëve francezë, ose të përkrahë hapur qytete a popullsi të caktuara të Epirit, sikurse bëri kur urdhëroi trupat frënge të mbrojnë Pargën përballë sulmit të Aliut.


Shpesh qëndrimi i tij i vendosur e bën Pukëvilin të rrezikojë; i duhet edhe të mbyllet në banesën e vet me ditë të tëra nga frika e vrasësve të vezirit. Edhe kur e ftonte ky për ndonjë punë, i dërgonte të vëllanë, ndonjë përfaqësues ose thjesht shkresat.


Me rrëzimin e Napoleonit më 1815 Pukëvili largohet nga Janina. Caktohet në Patras, ku qëndron një vit për t'u zëvendësuar si konsull nga i vëllai Hygë. Me shpërthimin e revolucionit grek më 1821, pikërisht në Peloponez, konsullata frënge bëhet i vetmi vend i sigurt në Patras për qindra grekë që arrijnë të shpëtojnë nga masakrat e forcave turke.


Sikurse e thotë edhe në këtë libër, bindja e Pukëvilit ishte se mënyra se si u sollën sundimtarët me të krishterët e Greqisë, shtypja, krimet dhe mizoritë e tyre mbi ta, ishin shkaku kryesor që shpërtheu kryengritjen greke.


Shtjellimit të kësaj historie, nën shembullin e veçantë të Ali Tepelenës, pasha e vezir i Janinës, do t'i vihet ai pas kthimit në Paris. Vepra "Historia e ringjalljes së Greqisë" u botua në Gjenevë më 1825-1826 në tri vëllime, me një numër të përgjithshëm prej rreth 1200 faqesh.


Prej kësaj vepre botojmë të plotë vëllimin e parë e rreth një të dytën e vëllimit të dytë (gjithsej afër 560 faqe) plus kapitujt që përshkruajnë fundin e Aliut. Pra mund të themi se kemi sot në shqip afër gjysmën e kësaj vepre, nga e cila mbetet jashtë historia e mëpasme e kryengritjes së Greqisë.


Kthimi në Paris i sjell gjithë nderet e merituara. Bëhet anëtar i Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave të Bukura, i Akademisë së Mjekësisë dhe i një numri institucionesh të tjera. Ishte ndër personat më të njohur në sallonet kryesore pariziene të kohës.


Midis miqve e admiruesve të tij bënin pjesë poeti Chateaubriand, i cili pat vizituar Greqinë më 1805 i frymëzuar nga vepra e Pukëvilit, Aleksandre Dumas, që e shtoi edhe më famën e Aliut në Europë me romanin "Konti i Montekristos" (vajza e supozuar e pashait, Haideja, martohet në fund me kontin) dhe portretin e tij që përmbahet te seria "Krime të famshme" (1839-1841). Ndër admiruesit e Pukëvilit bënte pjesë edhe piktori i madh i romantizmit frëng Domenique Ingres që i bëri atij një portret më 1834.


Përshkrimi i karrierës së Aliut, masakrat e Hormovës, Shën Vasilit, e sidomos Kardhiqit; qëndresa e Sulit, drama e Pargës, tragjedia e Frosinës, rezistenca e Aliut në dy vjetët e fundit - ja disa nga tablotë vigane të këtij libri që lanë përshtypje të thellë, që u morën e u rimorën nga historianë të tjerë, shkrimtarë, piktorë.


Kujtojmë ndër të tjera dy tablo të mëdha "Gratë suliote" nga Ary Scheffer (1827) sot në muzeun e Luvrit dhe "Tradhtia e Pargës" (1831) nga Francesco Hayez (në Pinakotekën e Brescias).


Fransua Pukëvili vdiq më 1838. Te varri i tij në Montparnasse ndodhet edhe medalioni i bronztë i punuar nga miku i tij i ngushtë skulptori David d'Angers. Epitafi thekson meritën që me sa duket ishte më e madhja në jetën e tij: "Me shkrimet e tij dha një ndihmesë të fuqishme në kthimin e vetëdijes për rrënjët antike ndër grekët e shtypur".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›