Kutia e Berishës
Po të ishte për fabulën e historisë antike me kutinë e Pandorës, askush nuk do të kishte dëshirë ta hapte atë. Sepse siç thotë gojëdhëna, sapo Hera e hapi kutinë me çelësin që ia kish dhuruar Zeusi dhe me porosinë pas që "nëse doni të jetoni të lumtur të mos e hapni", prej saj dolën dhimbjet, vuajtjet, sëmundjet dhe të gjithë të këqijat me të cilat njeriu duhet të përballet në jetë.
Edhe kutia e Berishës, si në ndodhinë e lashtë është e veshur me stolitë e pushtetit. Nuk ia ka dhuruar Sovrani, siç quan me cinizëm popullin, por ia ka bërë dhuratë vetes, për të qenë i lumtur në pushtetin e tij. Ndryshe nga Hera, ai nuk është kurioz ta hapë, sepse e di se çfarë ka brenda. Për të mbushur atë kuti, kish punuar me muaj, kish shkrirë gjithë paratë e shqiptarëve, kish rekrutuar me hir e me pahir nga pleqtë deri te çiliminjtë.
Se ç'ka brenda kutisë së zgjedhjeve parlamentare, ai e di shumë mirë prej ditës së 28 Qershorit 2009, kur pasi kishte votuar në qendrën e votimit në Tiranë, deklaronte krenar dhe fitimtar: "Këto janë zgjedhje, në të cilat shqiptarët firmosin projektin e tyre evropian". Nuk gabonte.
Shqiptarët e firmosën projektin e tyre evropian, duke votuar të qetë dhe të qartë në zgjedhjet e tyre. Vëzhguesit vendas dhe të huaj janë dakord me këtë dhe asnjë vërejtje nuk mund t'i hiqet sjelljes së zgjedhësve shqiptarë ditën e 28 Qershorit 2009.
Të lodhur nga handikapi i zgjedhjeve me probleme, ata hodhën hapin e tyre elektoral si evropianë, votuan të sigurtë dhe arritën të fitojnë sfidën e tyre të parë me mentalitetin e shtresëzuar prej zgjedhjeve të marsit 1991, se zgjedhësit shqiptarë nuk dinë të votojnë si qytetarë të një shoqërie pluraliste. Por, ashtu si djalli fshihet në detaje, vota e tyre fshehur djallëzisht në kutitë e votimit.
Pamjet filmike që tregojnë se si është deformuar projekti evropian i shqiptarëve, janë vetëm maja e asjbergut të maskaradës zgjedhore që Qeveria Shqiptare organizoi pas mbylljes së qendrave të votimit, gjatë numërimit dhe apelimeve të kërkuara nga opozita e majtë.
Nuk është vetëm Shkodra me rezultate 300 me zero në favor të PD-së apo PR-së. Atje janë rrëmbyer vota të mjaftueshme për të shtuar një deputet blu, por deputetë e tjerë, prapa të cilëve qëndrojnë mijëra vota për opozitën janë në mbarë vendin.
"Si në Shkodër, ka pasur raste edhe në Buçimas, ku është përmbysur rezultati në favor të PD-së" - thotë një dëshmi e sotme nga Pogradeci. Dëshmitë mund të jenë të pafundme, ndërsa raporti përfundimtar I OSBE/ODIHR-it jep një hartë shqiptare të deformimit dhe të tjetërsimit të votës së zgjedhësit shqiptar.
Është një e treta e qendrave të numërimit të votave, ose 22 nga 66 të tilla, ku numërimi është kryer keq ose shumë keq. Dhe me një raport, ku "fituesin" Berisha nga "humbësi" Rama i ndajnë 4 deputetë, 22 QNV të numëruara keq apo shumë keq do të thonë shumë.
Shumica qeverisëse është e qetë dhe e tejkalon problemin me një fjalë: kanë firmosur edhe komisionerët e majtë. E kush ishin ata? Të bindurit ndoshta mund t'i gëzojnë ende punët e tyre në administratën vendore të vendbanimeve të tyre dhe të pabindurit prej korrikut janë larguar në emër të "reformës".
Të bindur dhe të pabindur (apo siç etiketohen të blerë e të pablerë) ishin njerëz hallexhinj, sepse me firmën e tyre lidhej vendi i punës, buka e fëmijëve dhe cinizmi qeveritar arriti t'i prekë deri aty në emër të blerjes së pushtetit të pamerituar.
Po edhe pa firmën e tyre, procesverbalet e qendrave të votimit janë të denja për 26 majin e 1996-ës. Ndryshe nga atëherë nuk ndodhi pasivisht mbushja me fletëvotimi të përgatitura më parë, por në mënyrë më të "fisme" - marrja e votave të opozitës dhe të partive të tjera për t'ua shtuar në procesverbale PD-së, PR-së, apo partive të tjera aleate.
Hapja e kutive të votimit dhe përballja e tyre me procesverbalet do të tregonte se deri ku ka shkuar 26 maji tjetër. Kolegji Zgjedhor ishte një tentativë e dështuar për opozitën.
Sepse për Q!everinë, gjyqtari është njëlloj si ai komisionieri i trembur deri në palcë për të ardhmen e vet, njëri prej anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor kish dhënë justifikimin pas votës që rrëzoi kërkesën e opozitës, duke rrëfyer dramën e saj familjare të atyre ditëve para se të jepte votën e saj pro Qeverisë:
"Një leshpalarë për 10 ditë nuk u shkul me benz-in e bardhë përpara shtëpisë sime". Me gjyqtarë të frikësuar të Kolegjit Zgjedhor, opozita e majtë e humbi betejën e parë për të faktuar para gjithë botës deformimin e votës në disa zonë zgjedhore, që mund t'i kishin dhënë ndonjë deputet më shumë.
Beteja tjetër është më e rëndësishme dhe vendimtarja për të faktuar para opinionit të brendshëm, votuesve që nuk e dhanë votën për këtë qeveri dhe të huajve se e keqja është atje, te kutia e Berishës dhe po nuk u nxorr prej andej, do ta kemi nëpërkëmbë bashkë me krijuesin.