Kush ishte Tom Sawyeri i vërtetë

Revista prestigjioze mujore amerikane ka vendosur që numrin e saj të ri të sqarojë njëherë e përgjithmonë çështjen që ka kohë që po i preokupon historianët e letërsisë: A është e vërtetë që kryeprotagonistin e vet Twain e emërtoi sipas mikut të tij, Sawyer, i cili ishte “një doganier fytyrë-rrumbullakët, një zjarrfikës vullnetar, një polic special, dhe një bohem dhe hero lokal”.
Sipas revistës, del se dy burrat ishin njohur në vitin 1863, diku në kafenetë e tymosura të San Francisco’s, në të cilat Sawyeri tregonte sesi kishte shpëtuar disa dhjetëra njerëz kur një anije me avull ishte kapluar nga flaka, diku në afërsi të Kalifornisë. Ky tregim i tij, duket se kishte prekur shkrimtarin Twain, vëllai i të cilit kishte vdekur si pasojë e zjarrit që kishte shpërthyer në një anije me avull. Sido që të jetë, sipas rrëfimit, Sawyer kishte notuar ndërmjet anijes dhe bregut, dhe kishte arritur të shpëtonte plot 90 persona, 26 prej të cilëve i kishte shpëtuar personalisht.
Autori i tekstit, Robert Graysmith, pohon se, që nga ajo ditë Sawyer dhe Twain u bën miq të ngushtë. Nga ana tjetër, Twain për të thoshte se ishte qenë një pijanec të cilit s’i ndalej goja, aq sa “mund të pinte dhe të fliste më tepër se kushdo tjetër” që kishte njohur deri atëherë.
"Ai ulej diku, e pastaj fillonte të pinte e të na fliste. Ndërkohë, dikush ia qeraste ndonjë pije, kështu që ai vazhdonte gjithë ditën e lume”, shkruante Twain, i cili asokohe punonte si gazetar.
Vetë Sawyer, ndërkaq, planifikonte të hapte një bar – plane këto që i realizoi më vonë.
Një ditë, shkruan Graysmith, pas një meditimi të befasishëm, Twain i tregoi mikut të tij se do të shkruante një libër për një djalosh. Për djaloshin më të zhdërvjellët në botë, me emrin Tom, i cili do të ngjajë shumë me Sawyerin sa ishte i ri.
Në vitin 1866 Twain braktis qytetin e San Francisco’s, dhe që prej atëherë nuk takohet më kurrë me Sawyerin.
Libri "Aventurat e Tom Sawyerit” është botuar në vitin 1976, bashkë me komentin se, kryepersonazhi i veprës bazohet në karakteret e tre djelmoshave. Më vonë, Twain deklaron se, ai vetë kishte qenë inspirim për personazhin e Tom Sawyer, dhe se, me aq sa i kujtohej, Sawyer “nuk ishte emri i vërtetë i asnjë njeriu” që e njihte.
Graysmith pohon se Twain’it i pëlqente të prezantohej si një shkrimtar personazhet e të cilit lindnin nga mendja e tij kreative, edhe pse zjarrfikësi – pas asnjë dyshim – e dinte se ishte pikërisht ai që shkrimtarit i shërbeu si inspirim për krijimin e njërit prej personazheve më të adhuruar të letërsisë për fëmijë. Këtë gjë ai ia kishte thënë edhe një gazetari, në një artikull të botuar në vitin 1898.
Në këtë artikull, Sawyer tregon për atë sesi shkrimtarit Twain i kishte rrëfyer për çapkënllëqet e tij fëmijërore, të cilat ky i fundit i dëgjonte dhe i shënonte me kujdes. Madje, sipas Sawyer, me një rast, Twain i kishte thënë:
"Tom, së shpejti do të të fus mes kopertinave të një libri”.