E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, marrëdhënie të ngrira me amerikanët



Eljona Ballhysa
Vetëm një ditë pas kritikave të diplomatëve amerikanë drejtuar qeverisë, ka reaguar dje kreu i kabinetit qeveritar, Sali Berisha. Ndryshe nga ndërkombëtarët, Berisha pohon se vendi ka bërë përparime dhe se po ecën me ritme drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Një deklaratë e tillë e kryeministrit vjen nga Velipoja ku ai po vazhdon turin e nisur muaj më parë, nën moton “Shqipëria në NATO”. Ndonëse një ditë më parë diplomatë amerikanë hodhën kritika të ashpra drejtuar qeverisë Berisha, vetë kreu i ekzekutivit shqiptar duket se nuk ka reflektuar, përkundrazi po tregon hapur për një marrëdhënie të ngrirë midis tij dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Qëndrimi i kryeministrit
I pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet e tij me institucionet e tjera shtetërore Berisha u shpreh dje, se këto institucione janë më të pavarura se kurrë. Ndërsa një ditë më parë diplomatët amerikanë u shprehen se qeveria po ushtron presion ndaj institucioneve të pavarura, veçanërisht Prokurorisë së Përgjithshme, Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por kreu i qeverisë shqiptare mendon ndryshe për këtë çështje. “Në gjykimin tim institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura. Debatet janë debate, janë konstante të demokracisë. Standardet janë standarde dhe për këtë qeveria është e vendosur që të vendosë standardet më të mira”, - tha kryeministri, Berisha, ndërsa mori si shembull debatin për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Ka debate për probleme të ndryshme. Për shembull pati debate dhe përplasje për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, por ky debat solli një procedurë bilaterale, siç ua paralajmërova, më transparente dhe parlamenti shqiptar votoi si një nga parlamentet më të mira dhe futi seancën e dëgjimit. Presidenti bëri hapat e tij dhe futi një proces transparent para qytetarëve”,- u shpreh Berisha. Më tej ai theksoi se Shqipëria po bën hapa përpara drejt anëtarësimit në NATO. “Shqipëria jo që nuk do të bëjë hapa prapa, por do të bëjë shumë hapa përpara. Ky është zotimi im para shqiptarëve, para partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë dhe para të gjithë atyre që e duan dhe e mbështesin në rrugën e integrimit euroatlantik”, tha Kryeministri duke garantuar se miqtë e Shqipërisë po shtohen çdo ditë e më shumë.
Kritikat
Vetëm një ditë më parë zyrtarë të lartë amerikanë të akredituar në Shqipëri zhvilluan një bisedë informale me një grup gazetarësh shqiptare. Gjatë kësaj bisede amerikanët bënë me dije disa nga çështjet që krijojnë shqetësim për Uashingtonin. Pikësëpari, sipas tyre, paraqitet shqetësuese fakti se qeveria shqiptare kërkon largimin e OSBE-së duke ngritur dyshime për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vitin 2009. Po kështu, shqetësim për ta përbëjnë raportet e qeverisë me institucionet e tjera të vendit dhe presioni që ushtron qeveria ndaj institucioneve të pavaruara. Diplomatët amerikanë gjithashtu kanë shprehur shqetësimin në lidhje me hartimin e një ligji të ri nga qeveria për prokurorinë. Sipas amerikanëve ky ligj kërkon të ulë profilin e këtij institucioni duke rritur ndikimin e qeverisë. Po kështu me shqetësim po shikohet dhe roli i qeverisë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit si dhe letra që kryetarja e Kuvendit i ka dërguar kryeprokurores Ina Rama. Për këtë çështje diplomatët janë shprehur se Uashingtoni kërkon gjetjen e fajtorëve të Gërdecit, pasi sipas tyre nuk ka rëndësi posti që ata mbajnë.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›