E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ka interes të minojë procesin zgjedhor?

19-04-2011 / Redaksionale

Fushata zgjedhore ka hyrë në një fazë tejet interesante, ku pothuajse të gjithë kandidatët e partive janë profilizuar në votuesit e 8 majit. Gjuha politike e liderëve të partive kryesore ka nxjerrë fjalime thumbuese, por asnjëherë fyese, degraduese, çka ka ulur nivelin e tensionimit politik. Mirëpo një fenomen i ri po merr jetë përgjatë kësaj fushate. Janë incidentet e ndryshme anembanë Shqipërisë të militantëve që zihen dhe fyhen për flamuj dhe postera. Janë incidente pa ndonjë lidhje mes tyre, por që amplifikohen dhe instrumentalizohen në media sikur të kishin një regji të mirëfilltë nga prapa. Për të zbuluar cilët janë të interesuar për të përfituar nga incidentet do të marrim këshillë nga latinët e vjetër, që për të zbuluar një ngjarje bënin pyetje cui prodest, kujt i intereson? Domethënë atij që krimi i sjell avantazhe, është ai që e ka bërë ose e ka diktuar.
Sakaq zanafilla e incidenteve ka nisur me 10 prill, ku në Bathore dhe Kashar, dy bastione të Partisë Demokratike, ka pasur përplasje militantësh të dy partive të mëdha për çështje flamuri. Në Kashar për motive të dobëta, djali i kandidatit të PS-së ka kanosur me armë dhe goditur me sende të forta vëllezërit F. dhe G. Kamberi, përkatësisht 26 dhe 33 vjeç; që të dy banues në Kashar, që në lokalin e tyre kishin vendosur një flamur të PD-së. Në Bathore është simpatizantët e Partisë Socialiste kanë valëvitur flamujt e tyre nëpër rrugët e zonës duke irrituar banorët, që e kanë konsideruar gjestin e tyre si provokues dhe fyes. Një ditë më pas organi zyrtar i Partisë Socialiste ZP, shkruante: “Berisha në panik nga humbja në Kamëz”. Me 14 prill Policia Bashkiake e Tiranës nisi aksionin heqjes së flamurëve të LSI dhe PD në rrugët dhe lagjet kryesore të Tiranës. Me 15 prill persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë drejtorin e Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Ardit Kaja. Kreu i PS-së dhe kreu i Bashkisë  politizoi çështjen duke  lidhur plagosjen e Kajës me heqjen e flamurëve të LSI-së dhe jo atyre të PD-së që edhe ato ishin hequr, edhe pse plagosja e Kajës duket si ishte në të njëjtën rrjedhë të atentateve ndaj Tan Leprit, klient i privilegjuar i Bashkisë së Edi Ramës. Vatra të tjera incidenteve me aktorë simpatizantë lokalë janë parë nëpër media që i amplifikojnë ngjarjet sikur të ishin ngjarje të mirë-planëzuar për të frikësuar kandidatët e opozitës. Lidhur me incidentet e ndodhura raporti i parë i misionit vëzhgues të OSBE-së përmendin vetëm ato të dy javëve më parë ndërsa shpjegohet se në shumë raste vendosja e flamujve dhe e banderolave është bërë objekt grindjesh.
Mirëpo cui prodest? Kujt i intereson të minojë procesin elektoral. Sepse të gjithë e dinë se Qeveria Berisha ka përgjegjësinë për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore dhe kuptohet vetiu se s’ka asnjë interes të provokojë incidente që do të minonin besueshmërinë  e saj në sytë e ndërkombëtarëve. Do të ishte një atentat kamikaz ndaj gjithçka ka ndërtuar në 6 vjet qeverisje. Ndonëse është kjo shtysa kryesore e incidenteve të ndryshme të militantëve që duan të minojnë kredencialet e Qeverisë në kancelaritë perëndimore, duke u thënë atyre ja shikoni sesi frikëson pozita opozitën. Afërmendsh krimi i organizuar  ka të gjitha motivet të destabilizojë vendin me mjetet që i kanë punë të përditshme, pra dhunën ndaj tjetrit, për të dhënë idenë e paligjshmërie në të cilën mund të abuzohet sipas qejfit. Prandaj shfrytëzojnë fushatën elektorale për të larë hesapet e tyre të pista sepse ka ca politikanë të papërgjegjshëm që janë të gatshëm që të politizojnë çdo gjë që sjell vota në torbën e tyre pa fishekë. Krijimi i kaosit me mjete artificiale me akte dhune të përqendruara  synon krijimin e panikut dhe ndjenjën e frikës. Shpërthimet e fundit me eksploziv të risjell në vëmendje ca raste të tjera të pazbuluara si eksplozivi në makinën e Erjon Braçes por Erioni nuk ishte aty. Eksploziv në makinën e Kryetarit të PS-së së Vlorës Eltar Deda por edhe ai nuk ishte aty. Po ashtu eksploziv në banesën e atij militantit të PS në Pogradec. Por pa viktima e lëndime. Dhe përsëri eksploziv në një tjetër kandidat të PS-së në Tiranë, por si gjithmonë pa viktima. Përveçse skenarit të tensionimit artificial s’ka asnjë sjellje tjetër që mund të thotë ndryshe. Koalicioni PD-LSI, s’kanë asnjë interes të krijojnë trazira , e para sepse ky koalicion po funksionon më së miri prej dy vitesh dhe e dyta qeverisja e Berishës ka patur disa ngjarje pozitive me rëndësi historike për vendin si: Anëtarësim në NATO, Liberalizim vizash, Investime etj ,që e vë në pozita komode dhe aspak inferiore! Po kujt i intereson dhuna?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›