E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E vetmja rrugë e Ramës”, një variant anakronik i monizmit

19-04-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Regjimi monist i Enver Hoxhës kishte një paradigmë: Vetëm me mua. S’keni rrugë tjetër. Përndryshe jeni armiq! Po zgjedhjet? Edhe ato i bëj dhe i numëroj unë, si Stalini!
Në librin haluçinant të Edi Ramës, në faqen 186 të tij, kemi édhe një tregim me titullin „Përralla e peshqve të kuq“. Një alegori antikomuniste, si dhe shkrimet e tjera të këtij libri. Ai që do të mund ta gjejë me anë miku këtë libër do të shohë sesa antikomunist i pashoq ka pas qenë Edvini. Po zbërthejmë personazhet: Enveri jepet si shoku Peshkaqen, i cili, “de jure” quhej Sekretari për mbrojtjen e Pigmentit të kuq. Por de facto ishte pasha i ligjshëm i atij komuniteti peshkuqaloshësh” (cituar). “Republika e Ujit të Kuq”, kuptohet se ishte Shqipëria.
Ja edhe “Akuariumi i Tufave të ushtrisë Nacionalnënujore. E qartë edhe kjo: Kemi të bëjmë, me titullarët e Ushtrisë N.çl., njëri prej të cilëve ishte Ramiz Alia, nën emrin e Rojës Dinake. Jashtë alegorisë, në këtë libër për të cilin autori u bë pishman dhe bëri çmos për ta nxjerrë nga qarkullimi, në faqet e tjera të këtij libri të ekskomunikuar (të  afarosur) nga ai vetë, kishte shkruar se “lufta N.çl. ishte shndërruar në luftë civile, me urdhër të emisarëve të Titos”.  
“Raca e peshkut të kuq është një racë bastarde që jeton për karrierë detare”. Diku tjetër në këtë libër kishte shkruar se “komunistët duhen varur në litar!”. Tanimë bëhet e qartë se përse “Refleksionet” duheshin zhdukur nga qarkullimi. Por le të vijmë tek epilogu i kësaj përralle, kur E.H-ja shfarosi ajkën e Kupolës komuniste: “... U hap gryka legjendare nga hynte dikur shoku Peshkaqen dhe u shfaq prapë Ai, me të qeshurën e Tij karakteristike dhe me dhëmbin e florinjtë në anë të bulçisë. Peshkuqët u tmerruan nga madhështia e thikës që Ai mbante në  kurriz, Ishte ajo që Ai e mprehte gjithherë e lypnin tallazet. Njëzëri i tërë Kuvendi Peshkor bërtiti: “Peshkaqeni solli thikën, përsëri o për Republikën”... Do të ishte një garë shfarosëse për pashallëkun, pasi ata do ta rripnin mishin deri në hala për të treguar besnikërinë ndaj Tij”...” .
Ta lëmë me kaq këtë përrallë, të dhënë shkurtimisht. Kujt mund t’ia merrte mendja se ky armik kaq i papërkulur i Enverit, i komunizmit, i komunistëve, i Ramiz Alisë, i Partisë së Punës, i Partisë Socialiste dhe i nostalgjisë moniste do të ushqehej nga frymëzimet e Ramizit dhe  nga dashuria për mëkatarët e punizmit që, për mbijetesë, u bënë pësëistë? Një hipokrizi e këtyre përmasave mbase nuk është përshkruar gjer tani prej asnjërit prej gjenive të letërsisë  botërore. Një njeri, që dikur donte t’i vinte në litar socialistët emërndërruar, tani nuk pranon asnjë farë hapje të dosjeve për katarsis, ndaj atyre mëkatarëve peshkuq, nën hyqëm të shokut Peshkaqen! Roja Dinake (Ramizi) tani është në rol të ideatorëve për të mbajtur gjallë limfën helmuese të nostalgjisë për shokun Peshkaqen me dhëmb të florinjtë! Këtij përbindëshi  tani i thuren hosaná në Pezë;  legalizohet partia e akuariumit të kuq dhe mezi u hoq noçka e shokut Peshkaqen nga muret e institucionit “demokratik” të shokut Milo. Ish-të përndjekurve politikë, në manifestime të përditshme, ua varën hebet, derisa D. Paku, ia tha shkoqur ish-ministrit të Jashtëm: E teprove!
***
E.R.-ja, ky hipokrit, që mori përsipër të zhdukte nostalgjinë ndaj Peshkaqenit të kuq, tani është  nxitësi ekstremist i kësaj nostalgjie. Është bash kjo nostalgji që i jep dorë këtij ithtari të Peshkaqenit, që e mbushi akuariumin e kuq me bij fanatikë të etërve mëkatarë, që bërtasin me azganllëk se e kanë për nder që janë bij etërish të mbufatur me krime gjatë  Republikës së Ujit të Kuq. I pari, është ai vetë që është infektuar me këtë sëmundje të pashërueshme. Është përgjegjësi kryesor për nëpërkëmbjen e rezolutës së AP-së së KE-së, të 25 janarit të vitit 2006, për dënimin e krimeve të komunizmit. BE-ja nuk ka bërë zë për këtë shpërfillje të vendimeve të saj, se nuk dëshiron të implikohet në punët e brendshme të vendeve aspiruese për në këtë Bashkësi. Jo më kot E. Rama, me antishqiptarë si rumuni Boshtinaru e ndonjë tjetër, do të kundërveprojë më tepër sesa për aderimin në NATO dhe sesa për liberalizimin e vizave, që të mos hyjmë në bashkësinë europiane. Në rastin fatlum që do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, atëherë do të dalë edhe ky problem i Rezolutës së injoruar, për këtë qëndrim antieuropian të E.R.-së. Ai, G. Ruçi, S. Ngjela e propagandistë të tjerë të tij, kanë dalë hapur tani kundër Perëndimit, BE-së dhe SHBA-ve, që po thonë fjalë inkurajuese për sukseset e Qeverisjes dhe, nga ana tjetër, po thonë fjalën e tyre për nihilizmin opozitar të Ramës dhe, sidomos, për  mëtimet kundërligjore të kësaj opozite për të penguar procesin zgjedhor.
Ky njeri i çekuilibruar (siç e pamë), tani është përthithur nga nostalgjia, të cilën e ka stimuluar, gjer te slogani i “Rrugës së vetme”. A nuk e di ai se në zgjedhjet vetëm E. H.-a ballafaqohej me vetveten? Ky slogan i tij i çartur, ka edhe karakter diktues: sikur paskemi një forcë të vetme politike, atë të PS-së, të cilën ER e mallkonte dikur. Kështu ai i kapërcen interesat konkrete të qytetarit dhe e shndërron fushatën sikur të ishte politike, domethënë parlamentare. Sepse bilanci i tij bashkiak në Tiranë, është afër zeros. Dhe flet se ç’do të bëjë, për t’iu larguar bilancit se çka bërë këta katër vitet e fundit, kur e kishte braktisur tërësisht bashkinë. Në të vërtetë kërkon të diktojë që të mos merremi me ajrin asfiksues që po gllabëron dy vite jete nga çdo banor; për të mos përmendur bllokimin e qarkullimit rrugor; që të mos ia nxjerrim në foto një numër të madh  rrugësh të Tiranës, tërë gropa gjer në ditët e sotme, që shndërrohen në liqene, me shiun e parë;  që të mos flasim për taksat e për gjelbërimin e  munguar; të mos përmenden plehrat që kundërmojnë erë dhe që i bën njerëzit të kalojnë me shami në hundë. T’u shmangemi edhe ngushticave nga betonizimi, në mungesë të çdo plani, që nuk lejojnë autocisternat të shuajnë zjarret që flakërojnë banesave... e 100 paudhësira të tjera. Të gjitha këto mbyllen me një budallallëk, duke diktuar: “Fajin e ka Berisha”. Sikur t’i ketë dhënë një fuqi e mbinatyrshme këtij supermegalomani tagrin që të arbitrojë e të japë sentenca si një prokuror, apo si një gjykatës!
Fjala diktat, që përmendet në shkrimin tonë, është karakteristikë e diktaturës, e monizmit. Monizmi e përmban numrin themelor NJË, në vetvete. Edhe fjala “e vetme” në  togfjalëshin Rruga e vetme (NJË rrugë) të kujton monizmin, tipar esencial i diktaturës. Të kujton atë ideologji nostalgjike të cilën, me një hipokrizi të pashoqe E. Rama ishte përbetuar që ta zhdukte nga faqja e dheut!
Kujton se ka me vete shumicën absolute, duke u nisur nga grumbullimi korruptiv i populistëve mitingashë  për të prishur imazhin e vendit të tij. Natyrisht, edhe me ndihmën e antishqiptarëve, si rumuni Boshtinaru dhe ndonjë antishqiptar tjetër.
Komunistët vendas demagogë, një manifestim prej 6000 vetash të tyre, e vlerësojnë në 200.000! Ndërsa manifestimet paqësore të “armiqve të tyre”, prej 400 mijë vetash e pjesëtojnë numrin me 20 dhe e vlerësojnë prej 20 mijë qytetarësh!
Kjo është propaganda e tanishme zgjedhore e E.Ramës, e frymëzuar nga demagogjia enveriste. Nuk ballafaqohet dot me rivalin e drejtpërdrejtë, Lulzim Bashën, se ky e njeh, tanimë, Tiranën, në pëllëmbë të dorës dhe thotë se kryetari i ardhshëm i bashkisë (z. Basha) nuk ekziston(!). Sikur të ketë edhe atributet e kumbarës, ai përmend gjithmonë Salën, në vend të Lulzim Bashës, ndërsa kryeministri e përmend atë, me z. Rama! L. Basha mund t’ia numërojë E.R.-s defektet e bashkisë së tij, të lënë në mëshirë të fatit, një për një.
Por rruga e vetme ( në domethënien e mungesës së kundërshtarëve politikë) nuk mund t’ia mësojë dot atij etikën e përballjes. Ai, ndonëse e ka bjerrë ekuilibrin dhe flet përçart, duket që në fizionomi se e ka të humbur davanë. Dhe që tani po flet se rrëmujat do të vazhdojnë “edhe po të rizgjidhet kryetar bashkie”. Kësisoj njerëzit normalë janë të gjithë të mendimit se ai s’ka për t’i njohur zgjedhjet administrative, ndonëse përgatitjet janë të tilla që të jenë absolutisht më të mirat nga të gjitha paraardhëset. Ai quan zgjedhje të lira e të ndershme, ato që u dashka të jenë në dobi të tij, paçka se në mënyrë të dhunshme! Ai i ka bërë gati kontingjentet e tij. Por edhe demokracia i ka në gatishmëri  ligjet e saj.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›