Forcimi i faktorit shqiptar
Ndërsa po zhvillohen bisedimet e ashtuquajtura teknike midis Kosovës dhe Serbisë, kohët e fundit Serbia po lëshon disa sinjale të çuditshme sa i takon shtetit fqinj që u shkëput prej saj përfundimisht në 1999-n. Megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar, ambasadorja e Serbisë në OSBE ka lënë të kuptohet se Serbia nuk është krejt kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare në përgjithësi, përfshi OSBE-në. Ky sinjal është në një gjatësi vale me atë që lëshoi pak më parë Presidenti i këtij vendi, Tadiç, në një intervistë për Klan Kosovën, kur përmendi (edhe zëvendëskryeministri serb e kishte cekur diku), një model marrëdhëniesh midis Serbisë dhe Kosovës, që do ti ngjante atij të dy Gjermanive. Përtej planit real që Serbia me Kosovën ska asnjë lidhje me dy Gjermanitë në pikëpamje historike, apo në pikëpamje të afërsive të dy popujve që i popullojnë dy shtetet, momenti që meriton vëmendje në këtë hapje të Serbisë është fakti se dy Gjermanitë ishin që të dyja shtete me jetë normale në bashkësinë ndërkombëtare, duke u bërë anëtarë të OKB-së që të dy në vitin 1973. Ky pozicion i Serbisë, e cila lë të kuptojë se mund ta tolerojë një jetë të Kosovës si shtet, ngjan i ri në raport me qëndrimet e mëparshme, megjithëse Serbia e shoqëron pandashëm këtë lëshim të saj, me idenë e copëtimit të Kosovës. Ndërsa thotë se ka një realitet që shqiptarët sduan të jetojnë nën Serbi, dhe një realitet tjetër të serbëve të Veriut që sduan të jetojnë në Kosovë, apo ndërsa thotë se ka ardhur koha për një marrëveshje historike midis dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve, Tadiç është i qartë: Na jepni Veriun dhe bëni çtë doni!
Bisedimet Serbi-Kosovë, ndërkohë, ndodhin në një kontekst të caktuar në marrëdhëniet midis dy vendeve, në rajon apo në marrëdhëniet e tyre me BE-në. Serbia zyrtare është e interesuar me çdo kusht që të marrë ftesën për statusin e kandidatit brenda shtatorit të këtij viti, dhe pastaj të shkohet në zgjedhje, ndërkohë që opozita kërkon që të shkohet te zgjedhjet e parakohshme pa e marrë këtë ftesë. Në një rrethanë si kjo, premtimi europian për Serbinë përkundër asaj që mendohet nga komentues autoritarë në Prishtinë, nuk e forcon pozicionin serb përballë Kosovës, por e dobëson atë. Serbia është vendosur para alternativës së karotës përballë shkopit: bëj lëshime përfundimtare ndaj Kosovës, ose nuk do ta marrësh ftesën, ndërkohë që opozita serbe i ka shpallur një luftë qeverisë ku faktori kohë është i rëndësishëm – shtatori është shumë afër, por dhe shumë larg. Ndërkohë, dhe vetë Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se e shikon ecurinë e suksesshme të këtyre bisedimeve si arritjen e parë më të rëndësishme të politikës së saj të jashtme të përbashkët.
E pra, në rrethana të tilla, çduhet bërë? Çfarë qëndrimesh ka Kosova, Shqipëria ndaj kësaj hapjeje? A ka një strategji të përbashkët veprimi, apo dy strategji të mirëkuptuara, të konkorduara me njëra-tjetrën? A ka, më gjerë akoma, ndonjë strategji të mirëkuptuar të faktorit shqiptar, duke përfshirë këtu faktorin shqiptar në Mal të Zi, në Kosovën Lindore, në Maqedoni etj? Nëse do të kishte diçka në këtë drejtim, do të ishte marrë vesh, do të ndihej, por në ajër sndihet asgjë.
Në këto rrethana, ndërsa bisedimet janë një detyrim i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2010, Kosova duhet ta forcojë më tej pozitën e saj negociale, për të arritur maksimumin. Ky forcim kalon patjetër nga këta hapa.
Disa hapa të përbashkët
-Koordinimi i çdo hapi të qeverisë me opozitën e brendshme. Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se kundërshtimi i fortë i bisedimeve prej opozitës nuk e dobëson atë në negociatat me Serbinë me ndërmjetësimin europian, përkundrazi, e forcon atë. Nga ana e vet, opozita duhet ta kuptojë se dhe kushtet që ajo i vendos përpara çdo procesi bisedimesh, duhet të trajtohen po me bisedime. Kush do tia thotë Serbisë se duhet të kthejë të zhdukurit, librat kadastralë, se duhet të ndalet kontrabanda në Veri etj.? Më në fund opozita duhet ta qartësojë se cili është prioritet sipas saj: njohja e Kosovës prej Serbisë, apo anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare? Rruga e Kosovës për të harmonizuar qëndrimet në lidhje me këto bisedime, në këtë moment të rëndësishëm historik është krijimi i një komiteti, një tryeze të përbashkët, një komisioni, ku të bëjnë pjesë gjitha figurat më të rëndësishme politike dhe të shoqërisë civile të Kosovës, në modelin e Grupit të Unitetit. Ky propozim i disa politikanëve të Kosovës është pranuar dhe prej një figure të shquar të shoqërisë civile, si Veton Surroi.
Së dyti, Kosova duhet patjetër të forcojë pozicionin e saj negocial duke bashkëpunuar me përfaqësuesit politikë të Kosovës Lindore. E vetmja rrugë për të frenuar shpresat serbe se mund të shkojnë te ndarja e Kosovës, është mobilizimi i faktorit shqiptar në Kosovën Lindore, minoriteti real i Kosovës në Serbi. Disa hapa interesantë janë bërë kohët e fundit, por gjithçka duhet bërë në mirëkuptim të plotë.
Së treti, faktori shqiptar duhet të sigurojë me çdo kusht mirëkuptim mes vedi. Nëse Shqipëria, Kosova dhe faktori shqiptar reagojnë njëzëri kundër idesë së ndarjes së Kosovës, atëherë dhe faktori ndërkombëtar, i cili mund të ishte dakord me një ndarje paqësore, do të tërhiqej nga domino-efekti në gjithë Ballkanin.
Dhe më në fund, faktori shqiptar duhet të koordinojë hapat mes vetes dhe Perëndimit. Aleanca me Perëndimin është një epërsi strategjike e fituar tashmë, nga e cila shqiptarët sduhet të guxojnë të largohen. Kur themi Perëndimin, nënkuptojmë qoftë SHBA-të, qoftë Bashkimin Europian. Ky faktor, i cili ishte vendimtar në pavarësimin e Kosovës, mbetet përsëri vendimtar në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Parë kështu, gjithë kriticizmi ndaj europianëve, amerikanëve në viset tona, duhet të përmbahet pak, apo të kanalizohet në kufijtë e konstruktivitetit pozitiv.
Këto ishin vetëm disa ide modeste në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe të koniunkturës së re të krijuar në rajon. Kur Kadare thotë se shekulli është i shqiptarëve, ai nuk flet në mënyrë metaforike vetëm si shkrimtar. Por askush nuk të dhuron asgjë nëse ti nuk punon për ta merituar edhe atë që të takon.
