E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një premtim i vlefshëm elektoral

ILIR KALEMAJ

Ndërmjet shumë mangësish dhe problematikash që ka prodhuar tranzicioni i stërzgjatur shqiptar, hallkat burokratike që rritin artificialisht kostot e transaksioneve janë ndër reminishencat e fundit alla-bolshevike që duhen luftuar me pasion dhe efikasitet në kushtet e një ekonomie tregu liberale dhe mirëfunksionale. Pa qenë e nevojshme tu hyjmë përcaktimeve Weberiane mbi rolin e burokracisë dhe shtetit në shoqëri, mund të them se këto hallka burokratike i gjen kudo në Shqipëri dhe janë një burim i vazhdueshëm kokëçarje si për qytetarët e thjeshtë, ashtu dhe për biznesin në vend, duke frenuar artificialisht ritmet e zhvillimit.  Ndërsa shumë prej hallkave burokratike janë zgjidhur apo janë drejt zgjidhjes, si për shembull nisma one stop shop, që kufizon listën dhe kohën që iu duhet tashmë njerëzve për të hapur një biznes të ri, apo për licencat, disa handikapë (aspak të neglizhueshëm), vazhdojnë të ekzistojnë ende në disa sektorë shumë jetikë për fatet e ekonomisë së vendit.
Një ndër këta është bllokimi absurd i lejeve të ndërtimit apo atyre të shfrytëzimit nga Bashkia e Tiranës, pas konflikteve absurde apo banale institucionale që, gjithsesi, nuk mund të gjejnë as justifikim dhe as mirëkuptim nga pikëpamja e tregut. Ndërtuesit, ashtu sikundër edhe qytetarët e thjeshtë, po përballen me një treg të bllokuar në një kohë që ky mekanizëm disfunksional ka sjellë dhe rritjen fiktive të çmimeve në tregun e pasurive të patundshme. Ka qenë paradoksal fakti se ndërsa nga njëra anë po legalizoheshin ndërtimet, trojet apo banesat e banorëve të zhvendosur në këto vitet e fundit drejt Tiranës si metropoli kryesor i vendit apo qyteteve të tjera të mëdha, kundrejt dëmshpërblimit monetar për ish-pronarët, shumë banorë të pallateve të reja të ndërtuara vitet e fundit janë në pritje të radhëve infinite për marrjen e hipotekës apo ndërtues që presin radhën për lejet e ndërtimit. Dhe, nëse në rastin e parë, nisma ligjore që u ndërmor nga qeveria për legalizimin, transformimin dhe integrimin e kapitaleve të vdekura për të çliruar një energji që do të shërbejë si infuzion për ekonominë ende infantile shqiptare është për t`u përshëndetur dhe vlerësuar, rasti i dytë, i bllokimeve artificiale që iu bë për mëse një dekadë kapitalit, ka qenë jo vetëm frenues, por edhe i rrezikshëm dhe duhet zhbllokuar një orë e më parë.
Në kushtet ku lejet e ndërtimit kanë mëse dy vjet që pothuajse janë pezulluar komplet dhe ku banorë të ndryshëm nuk mund të përdornin lirisht kapitalet ku kanë investuar për shkak të mungesës së dokumentacionit, nuk është çudi që çmimet e real estate-it në zona të caktuara kanë arritur nivele të denja për Tokion apo zonën e Manhatanit në Nju Jork. Se kujt i intereson kjo farsë dhe ky trend zhvillimi ekonomik që në realitet nuk pasqyrohet kështu në xhepat e shqiptarëve që sa vjen e po boshatisen nga kostoja shtesë, kjo nuk është e vështirë për t`u marrë me mend, sado që është e vështirë të përcaktohet lehtësisht se sa përqindje të fajit ka secili nga aktorët në proces.
Parë nga ky prizëm, një nga risitë jodemagogjike të kësaj fushate ishte dhe premtimi i Bashës për hipotekimin individual të banesave që qytetarët i kanë blerë në mënyrë korrekte, me kontratë të rregullt, por kanë ngelur peng i konfliktit ndërtues-Bashki-Zyrë e Regjistrimit të Paluajtshëm, ku të tre këta aktorë ia hidhnin fajin në mënyrë të ndërsjellë njëri-tjetrit. Ky problem i ngritur nga Shoqata e Ndërtuesve mori si përgjigje nga ana e kreut të Hipotekave, se problemi konsiston kryesisht në problemet e pronësisë (p.sh., konfliktet me pronarët e truallit) apo çështje taksash (kryesisht të papaguara nga ndërtuesit, sado që kjo lihet disi në heshtje nga këta të fundit). Deri në fund të 2003-shit kush përfitoi, përfitoi, dhe aktualisht janë qindra pallate në Tiranë me një situatë të tillë (që kanë bërë dhe shtesa pa leje dhe që nuk janë regjistruar më pas pranë ZRPP). Pra, ndonëse ka banorë që kanë bërë regjistrimet përkatëse vetëm të banesës së tyre deri në vitin 2000, kjo nuk është lejuar më pas. Kjo ka sjellë një situatë mjaft paradoksale, ku për shkaqe të pavarura nga blerësi është ndëshkuar pikërisht ky i fundit. Pra, kostoja shpesh e lakmisë së ndërtuesve për të bërë ndonjë shtesë mbi plan, apo mospagim të rregullt taksash, apo konfliktet që mund të kenë lindur si pasojë e problemeve të pronësisë, ti mbarten banorit që i është përmbajtur qartazi ligjit dhe marrëdhënies kontraktore për të cilat normalisht garant duhet të jetë vetë shteti.
Kështu, Bashkia bllokonte lejen e shfrytëzimit për sa kohë që ndërtuesit nuk paguanin gjoba të majme për shtesa pa leje që kishin bërë në objekt; këta të fundit deklaronin se Bashkia vinte gjobë tejet të lartë, të papagueshme në kushtet ku kishin bllokim likuiditeti, ndërsa Zyra e Regjistrimit ia faturonte Bashkisë, duke vënë theksin pikërisht te mosmiratimi i lejeve të shfrytëzimit te kjo e fundit. Dhe kështu, ky kalvar, që përfshin jo pak, por të paktën 700-800 pallate të reja të Tiranë, me mijëra familje, të hipotekuara si karabina dhe të pajisura me leje të rregullta ndërtimi, vazhdoi për vite me radhë, pa dritë në fund të tunelit. Premtimi i Bashës për ta zgjidhur këtë problem deri në nëntor të këtij viti në rast zgjedhje si kryebashkiak, është një sinjal pozitiv i bërjes së fushatës me premtime konkrete dhe që lidhen me interesa të prekshme nga ana e qytetarëve. Në fund të fundit, fundi i burokracisë (së mbinatyrshme), është dhe fillimi i lirisë (për qytetarët).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›