Në stacionin e ruletave të politikës

Ndryshime ngjyrash, kapërdimje të spektreve politikë, parti të reja – pjella të së vjetrës. Pelivanizëm politik apo për të mos folur për lëvizjet “free” të një pjese të konsiderueshme politikanësh. Kjo tollovi ngjarjesh përditë shënon një zhvillim të ri, i cili, paskëtaj bëhet objekti diskutues i zjarrmimit të bisedave të opinionit. Kushdo i ka parasysh “artikulimet zhargon” të akuzave e fyerjeve të aq e kaq përsëritura të forcave politike karshi njëra – tjetrës, deri në cakun e antietikës. Ky ka qenë problemi tradicional që ka shoqëruar kahershëm marrëdhëniet pozitë – opozitë, të cilat paqtojnë e nemiten tepër rrallë e, kjo në më të shumtën e rasteve, para kushteve të organizmave ndërkombëtare. (Një antitezë “e paqme”: Në dhjetor të vitit 1933, Noli, teksa jetonte në ekzil, u sëmur rëndë dhe nuk i përballonte dot shpenzimet e kurimit. “Armiku i tij i betuar”, Ahmet Zogu, i dërgon si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria). Duket si një mungesë orientimi e vullnetit politik, haraçet e së cilës duhet ti paguajë plebishiti shqiptar, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se po e humb përditë e më tepër vullnetin dhe interesin elektoral. Dhe jo pa të drejtë, indiferentizmi, neutraliteti dhe asnjaniteti politik i votuesve po pëson gradualisht rritje në çdo fushatë zgjedhore, në çdo kohë që politika kujtohet se erdhi koha e fushatave. Sduhen kërkuar gjetiu shkaqet e këtij fenomeni; mjafton të vësh në balasto premtimet dhe realizimet e çdo kahu politik përgjatë viteve të pas 90 – tës. Po le të rikthehemi edhe njëherë te fjalori poli – ti – kor, që me “komoditetin” e vrazhdësisë së tij, tmerr, tkurr e largon të frikur e, pse jo të pashpresë, elektoratin shqiptar. “Elokuenca” e këtij fjalori (përjashto rastet premtuese pragelektorale) ka qenë e blatuar dikur pa preferenca ngjyrimesh në gojën e çdo oratori – aktor të politikës sonë : “Monstër! Protektorë e baronë të krimit! Terroristë!”, teksa tanimë duket se kemi një politikë cazë si më të zbutur e, me demek, më të modernizuar në qëndrimin përballë rivalit – kundërshtar politik. Kjo normë komunikative injektohet pastaj në çdo ndarje rrethi (jo danteske) të strukturave funksionale të një force politike, duke krijuar maniera e bruto – shprehje të gatshme, njësoj si krerët më të lartë të kupolës së vet. Është e vetmja gjuhë me të cilën mund të mposhtësh kundërshtarët. “Kush bërtet e kush shan, ka të drejtë!” – kjo mund të quhet “aksiomë politike”, e formulësuar nga “arkitektë” që sduan tia dijnë për fjalën “fakt” apo termin “argument” dhe gatitur si recetë për një plate auditive që është mësuar me servirje të gatshme. Dhe, kur çdo strukturë funksionale prezantohet me të njëjtën fytyrë, përfytyroni një çast sa produktive do të jetë ajo forcë politike në shërbesat dhe përkushtesat e saj ndaj një populli, qoftë parti pushtetare, qoftë edhe opozitare. Janë asi politikanësh që mendojnë se sejmenët e vet do ti kenë kudo dhe kurdo; mjafton që të ketë fushata dhe kësi fanatikësh duartrokitës do ti gjesh “manarë” e turravrapës të karizmës politike të oratorit. Pa gjykime. Pa analiza. A thua se sdo të ndërgjegjësohen kurrë. Fatkeqësi, por një pjesë e mirë e kastës politike mendon vërtet kështu, duke harruar se përllogaritjet i bëjnë sipas sistemit të vjetër dhe se votuesit sjanë më të dikurshmit, por, pak nga pak, kanë filluar ta vlerësojnë më realisht e me konseguencë frytin politik. Dhe kjo, për faktin, se “ustallarët e mirë”, në më të shumtën e rasteve, e kanë shpërdoruar votën pa kriter, pa pyetur shumë për shijen e votëdhënësit. Sa herë ka fushata, të shfaqen mori kandidaturash, turlifarësoj kandidatësh në sfilatat (vetë)deklaruese të garimit “garant me fitore” për kryekomunarë, kryebashkiakë a deputet qoftë. Betohen nën avenirin e ndershmërisë se “do të shkrihen” për komunitetin
dhe tregojnë “duart e Pons Pilatit”: “Ecco homo!” (“Lum” Shqipëria që ia arriti ditës!). E çjanë këto syfete? Politikanë që u është kalbur prapanica në karrigen e pushtetit, (pseudo)politikanë që në xhepat e brendshëm të xhaketës, kanë akoma fjalimin e fushatës së kaluar, madje ka edhe një “grupim të moderuar zotërinj Zylosh” që paguajnë “majmshëm” “Demkat” “për tu punuar dora dhe mbyllur goja”. Ka nga ata që konkurojnë për herë të katërt për tu bërë “pak” kryetar komune a bashkie, se “ska të tjerë partia jonë” (kujtoni kryeplakun e dikurshëm të një fshati që tha : “Si do bëjë fshati, kur të vdes unë?”). Përdoren lloj – soj kinezërish për të arritur daljen kandidat, për të konkuruar nën siglën e forcës politike. (Nuk kanë munguar e as do të mungojnë dhe “dëshpërimtarët” e të pakënaqurit nga partitë, që, me besimin e patundur në fitore dhe, për të treguar forcën e vet, konkurojnë të pavarur).
Edhe diçka tjetër: Jo për bum mediatik, por përflitet se mbi çdo lloj zgjedhjesh që do të zhvillohen në Shqipëri, do të rëndojë mavro – hija e dosjeve. Jo e atyre të para 90 – tës, jo. Do të shpiket një “fjalor i ri”, më “kontemporan”, ku, për herë të parë, politikanët do ta përdorin kundër njëri – tjetrit, edhe brenda së njëjtës forcë politike. Natyrshëm, sipas teorisë: “Baltavit të tjerët, që të fitosh vetë!” (Më vonë mendo për sloganin elektoral). Dhe këtë herë hapen “dosjet” e kafeve, ryshfeteve, korrupsionit, aferave e shpërdorimit të detyrës Të gjithë besojnë se do të fitojnë, të gjithë besojnë se janë më të mirët, të gjithë përgatisin platformat elektorale me premtimet e radhës. E, ata që humbasin, e dinë “Avazin e Mukës” : “Manipulime, trafik votash, pirateri, dhunim të drejtash?”. Eh, çudi gjëra që ndodhin “ekskluzivisht” vetëm në Shqipëri!…Dhe 8 maji po afron.