E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush ka të ardhura të larta do të marrë patjetër shërbyese

Duket se qeveria ka vendosur të tregohet shumë bujare. Në korrik të vitit të kaluar, ka urdhëruar sigurimin për pension të të punësuarve pranë familjeve të pasura si dado, roje, shërbyes/e etj., duke i ngarkuar punësuesit me një barrë shumë të lehtë: vetëm 12 mijë lekë të vjetra në muaj. Besohet se janë disa mijëra vetë që janë punësuar pranë familjeve në rolin e ndihmësve, të cilët janë të pasiguruar për arsyen e vetme se një praktikë e tillë nuk njihej në legjislacionin shqiptar.

Sipas Naim Ballukut, drejtor i kontributeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në korrik 2008, qeveria miratoi një vendim, në bazë të së cilit një kryefamiljar që punëson një shërbyese, dado a roje, duhet të shkojë të regjistrojë punësimin pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Aty do t‘i jepet një formular, në bazë të së cilit do të paguajë 1200 lekë në muaj sigurime shoqërore. Kjo shumë është minimale dhe Balluku thotë se sigurimet shoqërore të kësaj kategorie do të subvencionohen nga buxheti i shtetit në masën 75 për qind.

Gjithçka duket e qartë deri në këtë pikë, me përjashtim të faktit se asnjë fushatë informimi për këtë praktikë të re ligjore nuk është kryer dhe askush, as punësuesit dhe as të punësuarit, nuk ia kanë idenë. Për më tepër, udhëzimet e qeverisë nuk parashikojnë ndonjë ndëshkim ligjor për pasunarë të tillë të paskrupullt që refuzojnë të paguajnë 1200 lekë sigurime në muaj për shërbyesit e vet.

"Sigurim për pension? Nuk di gjë!" - thotë një rojë te shtëpia e një pasunari të ri pranë Rrugës së Elbasanit. Roja, banor i fshatit Farkë, zyrtarisht rezulton i vetëpunësuar në bujqësi, por ka gjetur punën e rojës sepse nuk ka tokë për të punuar.

Qeveria shpenzoi disa miliona euro gjatë vitit të fundit për reklama elektorale të financuara nga paratë e tatimpaguesve, duke lajmëruar suksese në të gjitha fushat e jetës, por nuk ka kryer asnjë reklamë për të prezantuar një praktikë të re ligjore, si p.sh. sigurimi për pension i dadove.

Ndërhyn Kryeministri

Situatën e ka marrë në dorë vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili është i mirënjohur për dëshirën për të ofruar spektakël publik. "Nuk ka formë më çnjerëzore se mbajtja e punëtorëve në të zi. Është skllavëri. Zoti ministër i Financave me shpejtësi duhet të bëhen ndryshimet ligjore, ku të përfshihet deklarimi i dadove dhe kujdestarëve të fëmijëve. Ata duhet të jenë të regjistruar. Ai që mban një punonjës në shtëpi për t‘u kujdesur për fëmijën apo shtëpinë, duhet të paguajë për të sigurimet shoqërore. Natyrisht duhet të bëhet diferencimi, por e rëndësishme është që t‘i nxjerrim nga skllavëria", deklaroi Kryeministri në një mbledhje qeverie në tetor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, Berisha ka folur edhe disa herë të tjera, por ende nuk ka asnjë zgjidhje.

"Të parashikohen të gjitha. Familja apo personi që ka mundësinë të marrë një punonjëse, nuk mund të mos ketë mundësi të paguajë sigurimin shoqëror të këtyre punonjësve part-time. Le t‘i kategorizojnë fillimisht në këtë grup dhe le t‘i nxjerrin në dritë", deklaronte Berisha në një mbledhje qeverie.

Shërbyese aforfe

Ndërsa kaosi shtohet, në administratën tatimore dhe në Ministrinë e Financave qarkullojnë fjalë se një vendim i ri mund t‘ia ngarkojë sipas modelit aforfe një kategorie të punësuarish në shtet dhe një kategorie biznesmenësh, sigurimet shoqërore për shërbyeset/it. Sipas modelit të sugjeruar nga Kryeministri, kush ka rrogë të madhe apo biznes të suksesshëm, detyrimisht duhet të ketë edhe shërbyese apo shërbyes. E nëse nuk e kanë një të tillë, atëherë duhet ta marrin patjetër.

Qeveria u ka dhënë përgjigje edhe pyetjeve se si i bëhet nëse shërbyesit janë me kohë të pjesshme apo të plotë, nëse janë punësuar me sigurime gjetkë apo jo.

"Kryefamiljari është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë kontributet për personat që punëson, pavarësisht se mund të jenë të punësuar dhe në punëdhënës të tjerë, ose të vetëpunësuar", thonë zyrtarët.

Zyrtarët e financave duket se po sorollaten me shpresën se Kryeministri do ta harrojë historinë e dados aforfe dhe deri tani kanë ngurruar të hartojnë një udhëzim të tillë qesharak. Megjithatë, duket se kanë filluar t‘ia marrin dorën. Në tetor të vitit të kaluar, financat miratuan një rregullore, ku përcaktonin se sa punëtorë duhej të punësonte biznesi i vogël. Zakonisht çdo lloj biznesi duhej të punësonte së paku dy apo tre vetë. Dhe kur bëhej fjalë për biznese profesionale si teneqepunues, bojaxhi, studio grafike etj., natyrisht ishte e detyrueshme të punësohej një ndihmës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›