E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush nuk paguan borxhin, nuk do të marrë TVSH-në

13/08/2009  Propozohen masa për shmangien e borxheve të këqija të bizneseve

Borxhet e këqija që biznese të ndryshme kanë ndaj njëri-tjetrit janë evidentuar si probleme mjaft serioze nga ana e Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kreu i saj u shpreh se një problem serioz për bizneset bëhen borxhlinjtë e këqij, prandaj qeveria duhet të ndërhyjë për të trajtuar me procedura të caktuara borxhin ndërmjet bizneseve. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se do të veprohet në dy drejtime dhe fillimisht ata që nuk paguajnë borxhliun me dokumente nuk do të marrin TVSH-në derisa të vënë në rrugëzgjidhje çështjen e borxhit. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë kërkoi që të krijohet një sistem, përmes të cilit do të njoftohen të gjitha bankat, pasi për shkak të borxhlinjve të falimentuar mund të rritet krediti jo i mirë. “Ashtu siç ekziston regjistri i kredive kombëtare, ku janë kreditë jo të mira, në të njëjtën mënyrë duhet të ekzistojë edhe regjistri i borxhlinjve jo të mirë, dhe ky regjistër të administrohet nga Banka”, - deklaroi Kryeministri Berisha. Duke mbështetur këtë ide, ai bëri me dije se në këtë drejtim ka praktika të konsoliduara europiane, të cilat parashikojnë paralajmërimin deri në dy herë të borxhliut dhe më pas afishimin e tij në një listë ku bankat nuk të japin më kredi. Duke e konsideruar këtë si një kusht shumë të rëndësishëm për funksionimin e lirë të tregut, kreu i qeverisë vuri në dukje se tregu funksionon mbi bazën e iniciativës dhe suksesit të saj, por edhe falimentimit. “Ai që vetëm merr borxhe, faktikisht falimenton edhe të tjerët, ndaj zgjidhja e këtij problemi është në interesin më të mirë të biznesit. Përgjegjësia e qeverisë është dhe mbrojtja e sistemit bankar, gjë që është një domosdoshmëri për shkak të rëndësisë së tij jetike në stabilitetin ekonomik të vendit”, - deklaroi kreu i qeverisë. Duke folur para ministrave, Berisha solli si shembull borxhet që kompani të caktuara ndërtimi u kanë firmave të prodhimit të betonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›