E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët që nuk i deklarojnë, do të largohen nga puna

13/08/2009  Qeveria vendos sigurimin e detyruar për punonjësit shtëpiakë

Të gjithë zyrtarët e administratës shtetërore që mbajnë punonjës shtëpiakë duhet të kryejnë regjistrimin e tyre, në mënyrë që të paguajnë sigurimet shoqërore deri më datën 1 shtator 2009. Ky është urdhri që ka lëshuar Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Sipas tij, në qoftë se një gjë e tillë nuk do të zbatohet nga zyrtarët, atëherë ata do të largohen menjëherë nga puna. Kryeministri ka theksuar se deklarimi i punonjësve të shtëpisë do të jetë e detyrueshme për këdo që i punëson. “Zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi. Afati për t’i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Sipas tij, kur të vendoset ndryshimi në ligjin për konfliktin e interesit, kjo pikë do të jetë pjesë e saj dhe do të përbëjë konfliktin më madhor. Por kreu i qeverisë përmes këtij urdhri nuk ka pasur parasysh vetëm masat që mund të merren ndaj zyrtarëve, por sigurimin e punonjësve shtëpiakë. Kryeministri ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm sigurimin e kësaj kategorie punonjësish. Ai tha se sigurimi duhet kryer edhe nga personat privatë. Për këtë ai tha se do të aplikohet praktika e modulit. “Për ata që nuk i deklarojnë punonjësit shtëpiakë, do të përpunohet moduli. Moduli do të thotë që ata, me deklarim apo anonimat, do ta paguajnë punonjësin”, - deklaroi Kryeministri. Ai sqaroi se qeveria ka vendosur pagesën më minimale dhe nuk ka asnjë synim tjetër veçse aspektit humanitar. “Nuk duhet lejuar që punonjësit shtëpiakë të rrinë pa asnjë kontribut për pensionin, në një kohë kur ne kemi përcaktuar për kontributin shumën më minimale: 80 apo 100 mijë lekë në vit. Nuk mund të mos tregosh ndaj tyre ndjenjat njerëzore, t’i kesh si pjesëtarë të familjes dhe të mos u paguash asnjë kontribut për sigurime shoqërore minimale dhe t’u shprehësh një respekt njerëzor”, - deklaroi Kryeministri. “Është pashpirtësi e vërtetë të mbash në të zi në shtëpi dikë që të ndihmon, të mban dhe rrit fëmijën, të mban shtëpinë”, - tha Kryeministri.

Ndëshkimi

“Zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi. Afati për t’i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq.”

Qeveria miraton formulën e primatizimit të INSIG-ut

Përzgjedhja e investitorëve, tender i hapur ndërkombëtar

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme projektligjin “Për përcaktimin e formës dhe formulës së INSIG sh.a”. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ky projektligj vjen pasi privatizimi i mëparshëm i shoqërisë së sigurimeve nuk u arrit dot, për shkak se kompania që kishte fituar tenderin ndërkombëtar falimentoi për shkak të krizës financiare ndërkombëtare. Në draftin ligjor, që mori mbështetjen e qeverisë, theksohet se struktura e formulës së privatizimit të INSIG-ut është që deri në 100% të aksioneve t’u ofrohen për shitje investitorëve, të cilët përzgjidhen me tender të hapur ndërkombëtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në projektligj theksohet se, nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar. Kriteri i përzgjedhjes së blerësit/blerësve do të jetë çmimi, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera mesatare e përcaktuar në raportin e vlerësuesit ndërkombëtar, duhet të jetë më i lartë nga ai i ofruara nga blerësit e kualifikuar në fazat e mëparshme të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Projektmarrëveshja miratohet në qeveri se marrëveshja e shitjes së aksioneve të INSIG-ut nënshkruhet nga ministri i Financave dhe përfaqësuesi i blerësit. Në projektligj theksohet se investitorët pjesëmarrës në procesin e shitjes së aksioneve të INSIG-ut duhet të respektojnë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe në mënyrë të veçantë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni tregtar dhe ai i sigurimeve në Republikën e Shqipërisë. Investitorët e përzgjedhur sipas këtij ligji, për zotërimin e aksioneve të INSIG-ut duhet të bien dakord paraprakisht për të miratuar çdo ndryshim të nevojshëm në statusin e kësaj shoqërie, për nënshkrimin e aksioneve të shoqërisë nga aksionerët e rinj, siç parashikohet në këtë ligj dhe të mbrojnë të drejtat e aksionerëve në minorancë të shoqërisë, sipas standardeve bashkëkohore të drejtimit të përbashkët.

enderi

Forma e transferimit të 100 për qind të aksioneve të shoqërisë tregtare INSIG, sh.a, të cilat zotërohen nga shteti shqiptar, është transferimi me anë të shitjes në favor të investitorëve nëpërmjet procedurës “tender i hapur ndërkombëtar”.

Kostoja

Shpenzimet e lidhura me pagesën e këshilltarit të privatizimit dhe ato të lidhura me suksesin e privatizimit përballohen nga arkëtimet prej shitjes së aksioneve të INSIG, sh.a-së. Shpenzimet e tjera, të nevojshme gjatë fazës së parë, përpara transferimit të aksioneve në favor të blerësit/blerësve përballohen si pjesë e kostos operacionale të INSIG, sh.a-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›