E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyten varret monumentale të Kamenicës

13/08/2009  Fshatarët e zonës ujitën të mbjellat. Arkeologu Aliu: Rrezikohet shkatërrimi

KORÇE- Mëngjesin e ditës së martë varret monumentale të tumës së Kamenicës janë gjetur të përmbytura nga uji dhe balta, duke rrezikuar kështu seriozisht strukturat monumentale të varrit qendror (ose varrit të parë apo fillestar të tumës), por në të njëjtën kohë po kaq të rrezikuar mbeten edhe strukturat e varreve të tjerë rreth varrit të parë. Nisur nga situata e krijuar, uji dhe balta mund të sjellin shkatërrimin e të gjitha vlerave që mbart tuma e Kamenicës, e kthyer tashmë në një muze arkeologjik natyror e vizitueshme nga vendasit dhe të huajt. Alarmi mbi këtë situatë të krijuar është dhënë nga vetë përgjegjësi i këtij muzeu, arkeologu, prof.as.dr Skënder Aliu

Shkaku i përmbytjes

Sipas prof. as. dr. Skënder Aliut, përmbytja e varreve monumental është shkaktuar nga banorë të fshatit Kamenicë, të cilët ujitin të mbjellat e tyre që gjenden rreth e përqark këtij muzeu. Gjatë natës ata kishin marrë ujë nga një kanal kryesor që njihet si “kanali i Gjançit”, ku një pjesë e ujërave të tij ishte derdhur në brendësi të tumës aty ku ndodhet varri qendror dhe strukturat monumentale të tij. Por sipas Aliut, në këtë përmbytje nuk është vetëm faji i fermerëve, por edhe i firmës që realizoi sistemim -asfaltimin e rrugës që të çon te kjo tumë, pasi nuk u mendua për krijimin e pusetave nga do të merrnin ujin fshatarët që këta të fundit të mos kërkonin rrugë të tjera për të siguruar ujin për vaditje Megjithatë në këtë rast mund të thuhet se fermerët janë treguar të papërgjegjshëm. “Gjithsesi tashmë kërkohet marrja e masave të menjëhershme, me qëllim që të dilet nga kjo situatë, pasi përmbytja e tumës mund të ndodhë sërish dhe atëherë do të kishim një shkatërrim të vlerave që ruan ky muze”. Uji dhe balta, shpjegoi Aliu bën që bazamenti ku gjendet varri qendror dhe strukturat e tjera të zbutet dhe gurët të lëvizin nga pozicionet e tyre, kur këtë gurë janë ruajtur ashtu siç kanë qenë vendosur që në shek XII p.e.s.

PËRMBYTJA

Sipas prof. as. dr. Skënder Aliut, përmbytja e varreve monumental është shkaktuar nga banorë të fshatit Kamenicë, të cilët ujitin të mbjellat e tyre që gjenden rreth e përqark këtij muzeu. Gjatë natës ata kishin marrë ujë nga një kanal kryesor që njihet si “kanali i Gjançit”, ku një pjesë e ujërave të tij ishte derdhur në brendësi të tumës

SHKAQET

Sipas Aliut, në këtë përmbytje nuk është vetëm faji i fermerëve, por edhe i firmës që realizoi sistemim -asfaltimin e rrugës që të çon te kjo tumë, pasi nuk u mendua për krijimin e pusetave nga do të merrnin ujin fshatarët që këta të fundit të mos kërkonin rrugë të tjera për të siguruar vaditjen.

Vlerat historike të tumës së Kamenicës

Tuma e Kamenicës është një nga tumat më të mëdha të njohura deri më tani, në të cilën u evidentuan 400 varre, mbetje skeletorë të 430 individëve dhë më shumë se 3500 objekte. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s. Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare. Në këtë tumë gjenden të konservuara si, Unaza e varrit qendror të tumës, grupi i parë dhe i dytë i varreve me strukturë monumentale si dhe pjesa tjetër që është lënë e pa gërmuar, ku mendohet se në atë pjesë të tumës ekzistojnë edhe 400 varre të tjerë. Duke qenë një muze tepër i veçantë, ai ka qenë gjatë gjithë kohës i frekuentuar nga vizitorë vendas dhe nga turistë të huaj, pasi përveç vlerave arkeologjike aty gjen një mjedis mjaft të këndshëm, çlodhës dhe të gjelbëruar. Për plotësimin e të gjitha kushteve është investuar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa së fundi për ndërtimin e rrugës u investuan 15 milionë lekë. Megjithatë, duket se përmbytja e muzeut nga fshatarët e Kamenicës mbetet një akt i papërgjegjshëm, pasi duhet të jenë vetë fshatarët ata që duhet të kontrollojnë ujitjen dhe të disiplinojnë këto ujëra. Aktualisht pritet të merren masa për parandalimin e situatave të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›