E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush nuk paguan taksën e mirëmbajtjes së pallatit, nuk ka ujë

Dënimi

Administratori i një blloku pallatesh ka vendosur të penalizojë banorët që nuk paguajnë detyrimet mujore prej 700 lekësh për mirëmbajtjen e godinave.

Të paktën 50 familje vuajnë prej disa ditësh mungesën e ujit, pasi rrjeti është mbyllur nga administratori i bllokut, si formë presioni për t’i detyruar banorët që nuk kanë paguar të plotësojnë detyrimin.

Në bllokun e pallateve të reja në Rrugën e Qelqit, në zonën e Kombinatit në Tiranë, disa familje që jetojnë me qira nuk pranojnë të paguajnë tarifën mujore të shërbimit të shkallëve.

Duke shkelur të gjitha ligjet e administrimit të ndërtesave të banimit, “menaxheri” ka vendosur të mos e furnizojë pallatin me ujë, pra ta bllokojë atë. Banorët, edhe pse e paguajnë ujin rregullisht, e mbushin atë nëpër bare, apo lavazhe makinash.

Ndëshkimet kolektive ndaj banorëve deri tani ishin demonstruar nga KESH-i, në rastet kur një pjesë e banorëve nuk paguante energjinë. Por në rastin konkret ndërprerja e furnizimit me ujë nuk është bërë nga autoritetet e ujësjellësit, por nga administratori i pallateve, një veprim ky që bie ndesh me ligjin në fuqi. Jetesa në komunitet bazohet në disa ligje specifike, te të cilat parashikohen edhe detyrimet e përbashkëta, ku përfshihet edhe mirëmbajtja e godinave. Por aktualisht thuhet se në shumë pallate administratorët përballen me banorë që refuzojnë të paguajnë, duke krijuar situata si kjo e banorëve të këtij blloku pallatesh.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›