Ambeta Toromani, soliste për Verdin
Ambeta Toromani është shfaqur sërish si balerinë soliste në një opera. Mbrëmë, në festivalin e operës në Sferisterion është ngjitur në skenë opera e Verdit, “I lombardi alla prima crociata”, me regji, skenografi dhe kostume të Pier Luigi Pizzi-t. Vënia në skenë e kësaj opere është komentuar shumë nga mediat italiane, për faktin se ka bërë bashkë emra të njohur të muzikës lirike, por edhe të koreografisë. Opera i kushtohet dashurisë së dy të rinjve me përkatësi të ndryshme fetare, një temë mjaft aktuale për ditët e sotme. Giselda, një e krishterë dashurohet me myslimanin Oronte, interpretuar nga Dimitra Theodossiou dhe Francesco Meli. Ndërkohë balerina shqiptare, Ambeta Toromani, ka punuar si soliste në këtë opera me koreografi të artistit me famë ndërkombëtare, Gheorghe Iancu. Mediat italiane e kanë komentuar një rikthim të rëndësishëm atë të Iancu pas koreografive të disa operave të realizuara më parë në këtë festival. Interpretimi në operën “I lombardi alla prima crociata” të Verdit, për Ambetën vjen pas pjesëmarrjes në operën “Macbeth” në vitin 2007 dhe “Carmen” në vitin 2008. Tormani, një balerinë profesioniste, duket se po kthehet me këto interpretime te baleti klasik, ndërsa ajo është e njohur për të gjithë publikun italian për pjesëmarrjen në programin popullor “Amici”. Gjithsesi, ngjitja në skenën e këtij festivali me një opera të Verdit ka shënuar një tjetër sukses për Toromanin si balerinë.
#