E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisen 60 invalidë me mjete të përshtatshme për gjendjen e tyre shëndetësore



Rreth 60 persona me aftësi të kufizuara janë pajisur dje me karroca, krevate e mjete të tjera ndihmëse, si dhe me produkte të ndryshme ushqimore, falë projektit të hartuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC). “Në mbështetje të njerëzve në nevojë” është projekti më i fundit që po zbatohet nga AIITC, për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në kushte të vështira ekonomike, si dhe kategorisë së personave me aftësi të kufizuara. Ky projekt u mundësua nga Shoqata Internacionale Humanitare (IHH) në bashkëpunim me Shoqatën Selam, të cilat sjellin mjete ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara dhe kuti me produkte ushqimore për njerëzit në nevojë. Projekti i realizuar nën kujdesin e AIITC, Shoqatës Kulturore Gruaja, Shoqatës së personave me aftësi të kufizuar, Shoqatës së Fëmijëve të Shqipërisë, u kurorëzua me një ceremoni, e cila u mbajt dje tek Shoqata e Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë, dega e Tiranës. Numri i personave që u pajisen me ndihma humanitare ishte rreth 60, të cilët ishin me statusin e invaliditetit dhe morën pajisje e mjete në përshtatshmëri me gjendjen e tyre shëndetësore. Ata u pajisën me karroca me rrota, krevate invaliditeti për fjetje dhe për larje, pompa ajri, si dhe me një kuti ushqimore që përmbante produkte të llojeve të ndryshme. Gëzim, lumturi dhe mirënjohje shprehej në sytë e këtyre njerëzve, të cilët përballen çdo ditë me ngurtësinë e indiferentizmit pa kufi, përveçse me problemet e tyre shëndetësore e pamundësinë për të bërë një jetë normale. Ata vlerësuan maksimalisht shoqatat që bënë të mundur lehtësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe theksuan se ishte hera e parë që kategoria e tyre përkrahej pa paragjykime e dallime, por në varësi të nevojave të tyre.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›