E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush rrezikohet më shumë nga sëmundja e kockave

Gratë kanë një rrezik 8 herë më të lartë se burrat për të zhvilluar osteoporozë. Këshillat për ta parandaluar dhe trajtuar sëmundjen

Sëmundja e osteoporozës, ose dëmtimi i kockave, nuk është ende e njohur si duhet në vendin tonë. Ndërkohë që, përveç kësaj, mungon informacioni për mënyrat e parandalimit të saj, por edhe për trajtimin e të sëmurëve, i cili tashmë është i mundshëm. Statistikat botërore tregojnë se 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të moshës mbi 50 vjeç janë të prekur nga sëmundja e kockave, ndërsa në vendin tonë, sipas mjekëve, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shkallës së ulët të diagnostikimit. Indi kockor është një ind i organizimit njerëzor që është në ndërtim të vazhdueshëm. Në kushte normale ekziston një ekuilibër midis proceseve që shkatërrojnë kockën dhe atyre që e ndërtojnë atë. Humbja e masës kockore fillon si te burri dhe te gruaja pasi kanë kaluar 35 vjetët. Por te femrat kjo theksohet edhe më shumë në menopauzë e pas saj. Gjashtë vjet pas menopauzës vihet re një humbje e konsiderueshme e masës kockore, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me mungesën e estrogjeneve. Në disa raste humbja e masës kockore mund të jetë aq e madhe, sa mund të çojë në thyerje të kockave në mënyrë spontane (pa ndonjë shkak të vërtetë). Në këtë rast thuhet se gruaja paraqet osteoporozë.

Të rrezikuarit

Gratë kanë një rrezik tetë herë më të lartë se burrat për të zhvilluar osteoporozë. Fillimisht shenjat e osteoporozës janë: pakësim i masës kockore, zvogëlim i gjatësisë së kockës, dëmtime të lokalizuara, shtypje në nivelin e vertebrave, sidomos atyre të mesit, dëmtime të kyçit të dorës, qafës së femurit ose edhe në vende të tjera, kur gruaja pëson një traumë, qoftë edhe të vogël. Osteoporoza shkakton dhimbje vetëm në rastet e thyerjeve dhe të dëmtimit të vertebrave. Dhimbjet e kyçeve, nga të cilat ankohen gratë pas periudhës së menopauzës, nuk janë të lidhura me osteoporozën. Rreth 25-30 për qind e grave në menopauzë preken nga osteoporoza. Sipas mjekëve, për ta parandaluar atë është e rëndësishme që të individualizohen më parë gratë që janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje. Përkrah femrave edhe meshkujt janë të rrezikuar nga sëmundja e osteoporozës. Sipas mjekëve, burrat mbi 50 vjeç janë të rrezikuar për të pësuar fraktura të shkaktuara nga osteoporoza, e cila është edhe më kërcënuese se kanceri i prostatës tek ata. Sipas disa studimeve të ekspertëve amerikane ortopedë, delikatesa e kockës mashkullore është më e rëndomtë sesa mendohet edhe pse disa herë e lënë pas dore, por ata janë më të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje për shkak të alkoolit dhe dietave të rregullta, shpesh me mungesa proteinash, të cilat gjenden shumë te qumështi. Alkooli, në të kundërt, dëmton mëlçinë dhe ndryshon metabolizmin e vitaminës D, e nevojshme për të ngjizur kalciumin në kockë.

Parandalimi

Për të parandaluar osteoporozën, sipas mjekëve, duhet që qysh në periudhën e fëmijërisë dhe adoleshencës të ndiqet një aktivitet fizik i përshtatshëm, si: ecje në këmbë, me biçikletë, bërja e ekskursioneve të përditshme, ose të paktën tri herë në javë dhe ndjekja e një regjimi ushqimor korrekt, me pak mish dhe shumë fruta, perime, zarzavate, qumësht (të skremuar, në qoftë se ekzistojnë probleme të yndyrave në gjak), djathë, kos etj. Gjithashtu, duhet të ndërpritet ose të pakësohet përdorimi i duhanit dhe i alkoolit. Një kujdes i veçantë duhet pasur nga rrëzimet, sepse shtojnë rrezikun e thyerjeve të kockave. Marrja e kalciumit çdo ditë, e shoqëruar me vitaminë D, është gjithashtu e rëndësishme, por për këtë duhet më parë të këshilloheni me mjekun. Për arsyet e përmendura më sipër, është e rëndësishme të ndiqet një regjim ushqimor i ekuilibruar dhe i larmishëm, por në të njëjtën kohë duhet të kryhen ushtrime fizike të paktën tri herë në ditë. Afrimi i periudhës së menopauzës mund të jetë edhe një mundësi për të ndryshuar disa zakone të të ushqyerit jokorrekt. Rregullat e të ushqyerit mund të ndihmojnë gruan për të ndjekur një regjim ushqimor të mirë si për vete, ashtu edhe për të gjithë familjen. Përdorni larmi ushqimesh, por që gjithnjë të jenë sa më të freskëta. Përdorni sa më shumë fruta e zarzavate. Filloni vaktin me sallatë ose me supë me zarzavate. Pakësoni vaktet me mish (jo më shumë se 4 herë në javë) dhe zëvendësojini ato me ushqime me zarzavate. Ulni përdorimin e yndyrave gjatë përgatitjes së ushqimeve. Pakësoni sa më shumë që të jetë e mundur përdorimin e ëmbëlsirave. Hani fruta, por jo menjëherë pas ngrënies së vaktit.

Çfarë është osteoporoza

Osteoporoza është një sëmundje e sistemit skeletor, e karakterizuar nga masa e ulët kockore dhe përkeqësim mikro-arkitekturor i indit kockor, duke rritur brishtësinë e kockës dhe riskun e frakturave. Frakturat në shtyllë, në legen dhe në kyçe janë më të hasurat.

Në gjuhën popullore kjo sëmundje quhet hollim i kockës.

Pasojat e sëmundjes

Dhimbje shpine

Humbje në gjatësinë trupore

Deformim (protuberant abdomen)

Reduktim në funksionet pulmonare

Po ashtu osteoporoza sjell edhe rënie të theksuar të cilësisë së jetesës. Kjo për shkak të humbjes së vetëvlerësimit, deformimit trupor, varësisë nga qetësuesit, çrregullime në gjumë, depresion dhe humbje e pavarësisë.

Si parandalohet osteoporoza

Osteoporoza, që është sëmundje e hasur shumë shpesh dhe mund të prekë çdonjërin prej nesh, mund të parandalohet nëpërmjet disa veprimeve që duhet të njihen dhe zbatohen nga të gjithë:

Ushqime me kalcium, siç janë bulmeti

Marrja e vitaminës D në sasi të mjaftueshme

Ushtrime dhe aktiviteteve fizike

Mospirje e duhanit dhe alkoolit në sasi të tepruara

Jetesë e rregullt

Diagnostikimi në kohë

Përhapja e sëmundjes

Osteoporoza prek më shumë gratë dhe moshat e thyera

200 milionë gra në botë janë të rrezikuara nga osteoporoza

1/3 e grave në moshën 60-70 vjeç janë të prekura nga kjo sëmundje

2/3 e grave mbi 80 vjeç kanë osteoporozë

30 për qind e grave mbi 50 vjeç kanë një ose më shumë fraktura vertebrale

1 në 5 burra mbi moshën 50 vjeç ka një frakturë të shkaktuar nga osteoporoza

Tre llojet e osteoporozës

Osteoporoza që shihet më shpesh te gratë. Një nga faktorët që e mbron kockën prej qelizave shkatërruese është estrogjeni, i cili prodhohet nga vezoret. Funksioni i vezoreve te gratë rreth 45 vjeç vjen duke u pakësuar deri në humbjen e menstruacioneve. Kjo periudhë quhet menopauza. Estrogjeni ulet dhe qelizat shkatërruese rrisin punën e tyre.

Osteoporoza që shihet te moshat e mëdha, sidomos pas moshës 45 vjeç, ku dominon shkatërrimi i kockave, i cili pas moshës 70 vjeç theksohet akoma dhe më shumë, sa që me një rënie edhe nga një lartësi tepër e vogël mund të shkaktojë thyerje të kockës.

Osteoporoza që ka lidhje me përdorimin e kortizonit te personi. Si për shembull te pacientët që për shkak të astmës, alergjisë, sëmundjeve reumatizmale përdorin kortizon për një kohë të gjatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›