Licencat, Urdhri i Mjekut: Asnjë regjistrim pas 30 qershorit
Urdhri i Mjekut ka vendosur 30 qershorin, si afatin e fundit për pajisjen me licenca të mjekëve e stomatologëve që kanë përfunduar studimet gjatë vitit akademik 2009-2010. Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, në mbledhjen e tij, Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë ka vendosur që në bazë të ligjit 10171, datë 22.10.2009 “Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë nr.73, datë 01.03.2011 “Për praktikën profesionale të profesionistëve të shëndetit”, mjekët e stomatologët e rinj duhet të paraqiten në zyrat qendrore të Urdhrit të Mjekëve, pranë Poliklinikës nr.10, Tiranë, për të bërë regjistrimin provizor dhe pajisur me dokumentet e nevojshme për kryerjen e praktikës profesionale. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve ka vendosur që për mjekët dhe stomatologët që nuk zbatojnë këtë detyrim ligjor, do t’u humbë e drejta e regjistrimit dhe e paraqitjes në provimin e shtetit për këtë vit, si parakusht i detyrueshëm për të fituar të drejtën e profesionit. Disa herë gjatë këtij viti, presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Dine Abazi ka shprehur shqetësimin, në lidhje me neglizhencën nga ana e personelit mjekësor të zbatimit të detyrimit për t’u pajisur me licencë, në bazë të ligjit. Abazi ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për zgjidhjen e këtij ngërçi, pasi sipas tij, nëse një mjek nuk është i pajisur me licencë ai quhet i paligjshëm. Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, situata paraqitet më problematike në sektorin publik shëndetësor, e konkretisht në spitalet publike, madje në QSUT, gati 80% e mjekëve nuk e kanë licencën për ushtrimin e aktivitetit. Kjo licencë rinovohet çdo 5 vjet.