E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndizet alarmi për gjak, nis kriza në spitale

Për çdo vit, stina e verës sjellë krizën për gjak në spitale, pasi rezervat e tij në këtë sezon shkojnë në limite fundore. Ky shqetësim ngrihet edhe nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qëndro, sipas së cilës, muaj që vijnë janë problematik dhe sasia e rezervave të gjakut momentalisht është e vogël. Sipas saj, duhen minimalisht 35 mijë dhurues në vit, ndërkohë që aktualisht ky numër është vetëm 24 mijë dhurues. Duke folur edhe me shifra, Qëndro bën të ditur se 21% e njerëzve japin gjak me dëshirë, 60% që dhurojnë gjak janë familjarët, ndërsa 19% janë ata që paguhen, 5% e të cilëve janë vetëm në Tiranë. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka bërë apel për dhurim vullnetar të gjakut. Ndërkaq, ai u ka vënë në dispozicion autoriteteve shëndetësore edhe një udhëzim të fundit, që është vendosja e një norme për drejtuesit e këtyre institucioneve për të planifikuar sasitë dhe rezervat e gjakut. “I gjithë personeli mjekësor edhe këtë vit do të dhurojë gjak. Gjatë gjithë periudhës së verës do të punohet me një kalendar të mirëorganizuar, duke qenë se vetë kjo periudhë ka një specifikë të vecantë për vetë fluskin e lartë të turistëve, që do të thotë një ridimesionim ndryshe i urgjencës, por dhe ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara”, - ka deklaruar ministri Vasili. Alarmi për mungesën e gjakut vjen në kohën kur vera shënon rritje të aksidenteve automobilistike dhe kur të sëmurët kronikë me anemi, apo talasemikët nuk arrijnë të marrin sasinë e nevojshme të gjakut.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›