E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Mjeku është mision me sakrifica dhe jo privilegj”, Draçini: Problemi, jo vetëm i studentëve por i gjithë shoqërisë

Mungesa e mjekëve nuk është problem shqiptar por mbarë botëror. Aktualisht në sistemin shëndetësor botëror janë 10 milion vende vakante pune.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof.Xheladin Draçini në një intervistë ekskluzive për RTSH thekson se studentët nuk duhen stigmatizuar sikur ky është problem vetëm i tyre, por i gjithë shoqërisë.

“Mos të harrojmë se studentët janë një pjesa më e mirë e shoqërisë. Pra mos ta stigmatizojmë dhe ta konsiderojmë sikur ky është vetëm një problem i studentëve. Ata thjesht mundohen të dialogojnë me pjesën tjetër të shoqërisë dhe sigurisht shoqëria do të ketë parasysh kërkesat e tyre por duke ju vënë atyre përballë dhe cili është misioni i mjekut. Mjeku nuk është një profesion, mjeku është një mision dhe sigurisht ky mision ka disa sakrifica . Natyrisht nuk mund ta konceptojmë që të punosh në vendin tënd është sakrificë, përkundrazi. Por gjithsesi mendoj se diskursi dhe debati publik i nisur do të finalizohet me përfshirjen aktive të studentëve në këtë proces.”

Prof. Draçini është i bindur se studentët do t’i përgjigjen pozitivisht nevojave të shtuara që ka vendi për mjekë.

“Fakti që ata marrin pjesë aktive në përgjegjësinë e sistemeve shëndetësore, studentët tanë e treguan gjatë pandemisë së COVID 19 ku ata ju përgjigjën kërkesës së sistemit shëndetësor për ndihmë. Pra jam i bindur se studentët kërkesës për shërbim shëndetësor të popullatës do t’i përgjigjen pozitivisht. Natyrisht që të gjithë elementët që funksionojnë për mbajtjen e trurit në Shqipëri ne do t’i përdorim, duke filluar që nga ngritja e cilësisë së nivelit universitar”, tha profesori.

Në cilësinë e dekanit por edhe të një pedagogu të vjetër jep mesazhin që “profesioni mjekut nuk është një privilegj por një profesion i nevojshëm dhe i domosdoshëm që ofron përgjegjësi të mëdha kundrejt pacientit dhe gjithë shoqërisë”.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›