E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e PS-së për zgjedhjet lokale të 8 majit

Konkretisht:

1. Transparenca postelektorale.

...Transparenca ndikon dukshëm te rritja e besueshmërisë së procesit, në njohjen dhe identifikimin e përgjegjësive politike dhe ligjore të kujtdo subjekti dhe individi të angazhuar në këtë proces, si dhe shërben si një instrument parandalues dhe ndëshkues për këdo që tenton të kompromentojë procesin. Ndaj si shenjë e vullnetit real të politikës, ne ju kërkojmë të bëjmë së bashku çdo lloj ndërhyrje të nevojshme ligjore e institucionale, që mirëpërcakton qartë transparencën postzgjedhore. Kjo realizohet duke kryer ndërhyrjet e duhura ligjore në pjesë të kodit zgjedhor, që rregullojnë ruajtjen dhe administrimin e kutive zgjedhore, duke përcaktuar modalitetet ligjore që mundësojnë aksesin e plotë, për qëllime hetimi nga organet e interesuara, përfshirë edhe komisionet hetimore të kuvendit... Ndërhyrjet ligjore mund të bëhen që tani, pasi nuk ndikojnë në përgatitjet e filluara për zgjedhje dhe as ndryshojnë norma që ndikojnë në procesin zgjedhor...

2. Transparenca e listave zgjedhore.

Listat zgjedhore janë një element kyç i procesit elektoral. Ne jemi të shqetësuar se, përkundër deklarimeve të bëra, procesi për përgatitjen e tyre ka shfaqur shenja të dukshme të përpjekjeve për deformimin e tyre, në funksion të deformimit të procesit. Faktet tona janë të dukshme e publike... Më konkretisht, ne propozojmë krijimin e aksesit të nevojshëm për opozitën në nivel qendror, për të monitoruar apo pasur raportet e nevojshme për të gjitha ndryshimet e ndodhura në listat paraprake zgjedhore për çdo njësi vendore. Kjo do të mundësojë monitorimin, transparencën, si dhe do të mundësojë identifikimin e ndryshimeve jashtë afatit apo në kundërshtim me ligjin...

3. Identifikimi i zgjedhësve.

...Përdorimi i makinave lexuese në qendrat e votimit do të mundësonte identifikimin e plotë të zgjedhësve dhe shmangë përfundimisht votimet fiktive, në emër të të tjerëve apo edhe ato familjare, aq shumë të kritikuar nga raporti i fundit i ODIHR. Përfshirja e tyre, qoftë edhe pjesërisht për këto zgjedhje, do të ishte një garanci minimale për këtë proces.

4. Rikthimi i ligjshmërisë në KQZ.

Kjo kërkon: Revokimin tërësisht të vendimeve të jashtëligjshme.

Kthimin e vendimeve me shumicë të cilësuar, në respektim të detyrimit të Kodit Zgjedhor.

Devijimi i kërkesave të ligjit për vendimmarrjen me shumicë të cilësuar, është evidente në shumë nga aktet e KQZ-së. Janë mbi 18 akte të KQZ-së, të cilat kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar të akteve, të cilat kanë kaluar vetëm me votat e shumicës, duke përbërë një thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor.

Ligjshmëria në aktet e KQZ.

Funksionim i institucionit të KQZ, mbështetur në ligj dhe në rregullore.

KQZ është i vetmi institucion në Shqipëri, i cili nuk ka akoma një rregullore të miratuar, megjithë insistimin e vazhdueshëm të anëtarëve të propozuar nga opozita, që një vit më parë. Miratimi i rregullores është jo vetëm një kërkesë e ligjit, por edhe një kërkesë e domosdoshme për mirëfunksionimin e institucionit.

...Ne jemi të gatshëm, ashtu si dhe më parë, të japim të gjithë kontributin tonë profesional dhe politik, me qëllim adresimin e të gjitha vërejtjeve të raportit të OSBE-ODIHR-it, por edhe përmirësime të mëtejshme, duke filluar që nga pikat që përmendëm më sipër...

Është momenti për të vepruar. Ne kemi vullnetin politik për të bashkëvepruar. Ju keni mundësitë, pasi keni numrat dhe pushtetin qeveritar, si dhe detyrimin për të vepruar. ǒbllokojeni situatën me veprime konkrete. Qytetarët dhe partnerët tanë nuk presin nga ne fjalë të bukura, por veprime konkrete që i shërbejnë realisht një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm...Nesër do të jetë shumë më vonë për fatet e një procesi që garanton zgjedhje të lirë dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›