Zgjedhjet lokale, tryeza PD-PS pa rezultat
TIRANË- ”Jemi dakord me draft-marrëveshjen. I themi “po”, por me kushte”. Kjo deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në fillim të tryezës që u thirr nga Partia Demokratike ka bërë që diskutimet për zgjedhjet e 8 majit të zgjasin rreth tre orë, dhe pa dhënë rezultat. Në fillim të tryezës, ku morën pjesë edhe drejtuesit e partive të vogla parlamentare, Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, bëri publike një draft-marrëveshje e përbërë nga 16 pika, e cila në thelb kishte të bënte me arritjen e një pakti mirëbesimi mes të gjitha partive politike, për t’u angazhuar në përmbushjen e atyre detyrimeve, që do të mundësonin një proces të lirë dhe të ndershëm. Në anën tjetër, edhe kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh i gatshëm për të dhënë kontributin në adresimin e të gjitha vërejtjeve të raportit të OSBE/ODIHR-it, por me kusht që draft- marrëveshja e propozuar nga Patozi të përfshinte edhe katër çështje kryesore, që në thelb lidheshin me transparencën post-elektorale, transparencën e listës së zgjedhësve, identifikimin e zgjedhësve, si dhe kthimin e ligjshmërisë në KQZ. Kërkesat në fjalë janë konsideruar nga kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, jashtë tagrit të kësaj tryeze. Pas 3 orësh diskutime, tryeza u la të mblidhet sot në të njëjtën orë, duke i dhënë kohë PS-së që të shqyrtojë draft marrëveshjen, si dhe PD-së, të shqyrtojë edhe njëherë kushtet e selisë rozë, pa të cilat Ruçi paraprakisht paralajmëroi se nuk do të kishte firmosje të marrëveshjes. “Ne pikëpamjet tona i thamë, shqetësimet i deklaruam, të takohen përfaqësuesit e dy partive dhe nëse qëndrimet përafrohen, atëherë le të thirret tryeza”, - tha Ruçi.
Debati
Një pjesë e kërkesave të parashtruara dje nga Ruçi, kërkonin edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Por për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, është tepër vonë. Në anën tjetër, Ruçi ka këmbëngulur se PS-ja kërkon ndryshimin në Kod, vetëm sa i përket procesit të transparencës postelektorale, ndërsa në kushtet e tjera, kërkohet vetëm zbatimi i saktë i Kodit Zgjedhor. Gjatë reagimit, kryetari i grupit të demokratëve, Patozi i kujtoi Ruçit se prej një viti e gjysmë, PD-ja nuk ka reshtur së kërkuari PS-së, që të bëjë gati të gjitha propozimet. “Ju e refuzuat këtë ofertë dhe humbët shumë kohë. Çdo ndryshim në Kodin Elektoral, nuk është gjë tjetër vetëm një minë që i vihet procesit”, - tha ndër të tjera Patozi, duke kujtuar se qëndrimin për mosndryshimet në Kod e kishin dhënë edhe ndërkombëtarët, përfshi OSBE/ODIHR. “Në draft-marrëveshjen tonë nuk ka asnjë detyrim për opozitën, por janë detyrime të përbashkëta që rrjedhin nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, - tha Patozi, duke shtuar se kushtet e PS-së nuk kishin lidhje me objektin e kësaj tryeze. Patozi iu referua gjatë debatit të tejzgjatur me Ruçin, edhe disa kërkesave konkrete që Ruçi parashtroi, qoftë për listat e zgjedhësve ashtu edhe për KQZ-në. Për këtë të fundit, Patozi tha se KQZ-ja është një institucion i pavarur që ka vetëm ligjin në themel të vet. Për pasojë, ai sqaroi se të gjitha referencat që kishin lidhje me institucione të pavarura nuk mund të ishin objekt i kësaj tryeze. Ndërsa bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, deklaroi gjatë tryezës se një ligj i mirë nuk mund të zëvendësojë vullnetin e munguar të partive politike. Bylykbashi theksoi se e rëndësishme është zbatimi i Kodit Zgjedhor, përmbajtja e të cilit, sipas tij, premton standardet që kërkon OSBE/ODIHR. Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, citoi se Oerd Bylykbashi është edhe shef i kabinetit të Kryeministrit, duke theksuar për pasojë se qeveria ka për detyrë të bëjë detyrat e shtëpisë, lidhur me zgjedhjet.