Kushtet që iu duhen mjekëve për kualifikimin shkencor
Emanuela Sako
Për të marrë tituj dhe grada shkencore duhet që të gjithë personat të ndjekin një cikël të caktuar studimor pasuniversitar. Kushtet e përfitimit të kualifikimeve shkencore për kategoritë e mjekëve janë të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me atë të Ministrisë së Shëndetësisë. Sistemi i kualifikimit shkencor, pasuniversitar ka si qëllim përgatitjen e specialistëve, të aftë për të kryer veprime kërkimore-shkencore e pedagogjike, me rezultate të nivelit bashkëkohor. Ky kualifikim kryhet në dy faza, nëpërmjet dhënies së gradave e titujve shkencore, në përputhje me kriteret dhe klasifikimin e përcaktuar në këtë vendim. Faza e parë e kualifikimit shkencor, pasuniversitar fillon me marrjen e diplomës së studimeve të thelluara pasuniversitare dhe përfundon me mbrojtjen e doktoratës “Doktor i shkencave”. Faza e dytë, e cila lidhet në karrierën shkencore, fillon me mbrojtjen e doktoratës “Doktor i shkencave” dhe përfundon me marrjen e titujve “Profesor” ose “Drejtues kërkimesh”.
Përzgjedhja
Komisioni i Kualifikimit Shkencor, i ngritur me vendimin e Këshillit të Ministrave, cakton institucionet, që kanë të drejtë të organizojnë kualifikimin shkencor, pasuniversitar, të japin diplomën e studimeve të thelluara pasuniversitare për gradën shkencore “Doktor i shkencave”. Ky komision, në përputhje me këtë studim, përcakton kriteret e klasifikimit pedagogjik e shkencor dhe kontrollon zbatimin e tyre në praktikë. Për të marrë një kualifikim shkencor, gjithçka duhet të ndiqet hap pas hapi nëpërmjet studimeve të thelluara dhe marrjes së diplomave. Për marrjen e diplomës së studimeve të thelluara pasuniversitare organizohen shkolla pasuniversitare, pranë shkollave të larta universitare, të përcaktuara me vendim të veçantë të Komisionit të Kualifikimit Shkencor. Qëllimi themelor i shkollave pasuniversitare është përgatitja më e thelluar, teorike e praktike, e kandidatit në fushën që do të lëvrojë, përvetësimi i metodave të punës kërkimore-shkencore dhe përgatitja e një mikroteze, niveli i së cilës përcaktohet me udhëzim të veçantë të Komisionit të Kualifikimit Shkencor. Në përputhje me udhëzimin e Komisionit të Kualifikimit Shkencor dhe të Drejtorisë së Arsimit të Lartë, pranë Ministrisë së Arsimit, institucionet e parashikuara për ngritjen e shkollave pasuniversitare hartojnë planin mësimor, për realizimin e tyre. Përsa i përket planit mësimor, ai miratohet nga dekanati i fakultetit dhe vendoset në dosjen e kandidatit. Në çdo rast, detyrimet e programit të shkollës pasuniversitare ose të programit të veçantë, duhet të shlyhen dy vjet përpara mbrojtjes së disertacionit të doktoratës në jurinë përkatëse.
Kualifikimet
Diploma e studimeve të thelluara pasuniversitare u jepet kandidatëve, që realizojnë me sukses detyrimet e planit mësimor, gjuhën e huaj, si dhe mikrotezën. Mikroteza mbrohet përpara një komisioni të posaçëm dhe në diplomën, që i jepet kandidatit, shënohet fusha dhe specialiteti përkatës. Diploma firmoset, përkatësisht nga dekani i fakultetit, si dhe nga rektori i këtij universiteti apo drejtori i asaj shkolle të lartë. Diploma e studimeve të thelluara pasuniversitare shoqërohet me listën e lëndëve dhe me vlerësimet përkatëse. Ndërsa, Doktorata organizohet pranë shkollave të larta universitare dhe pranë instituteve e qendrave kërkimore. Qëllimi i doktoratës është përgatitja e specialistëve të kualifikuar për punë kërkimore-shkencore, mbi bazën e formimit të fituar në shkollat pasuniversitare, nëpërmjet hartimit të një disertacioni. Tematika e disertacioneve të doktoratës përcaktohet sipas programeve për kërkim e zhvillim, që kanë shkollat e larta dhe institucionet kërkimore e shkencore. Ndërkohë që për përgatitjen dhe mbrojtjen e kualifikimit ka një afat kohor që është 3-5 vjet. Gjatë kësaj periudhe disertanti duhet të ketë botuar të paktën 2 artikuj shkencorë. Disertacioni i doktoratës duhet të ketë nivel të lartë shkencor, të pasqyrojë punën e pavarur kërkimore-shkencore të disertantit, kontributin e tij në zgjidhjen e problemeve, që e çojnë përpara shkencën, teknologjinë, ekonominë e kulturën tonë, si dhe të mbështetet në rezultate origjinale, të krahasueshme me rezultatet shkencore bashkëkohore të vendeve të tjera.
Vlerat që kanë kualifikimet shkencore
Disa nga titujt shkencorë që fituara gjatë karrierës dhe përgatitjes së madhe shkencore janë të barasvlershme. Kështu, emërtimet “Profesor” dhe “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”, janë, në aspektin zyrtar, plotësisht të barasvlershme. Personat që mbajnë titullin “Drejtues kërkimesh” ose “Mjeshtër kërkimesh” dhe që kanë qenë ose janë titullarë lëndësh në shkollat e larta, ose autorë a bashkautorë tekstesh universitare, kanë të drejtë të përdorin përkatësisht titullin "Profesor" ose "Profesor i asociuar".
Për personat, që kanë veprimtari shumë të shquar mësimore-shkencore, kulturore e shoqërore, të ushtruar për një kohë të gjatë, jepet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”. Ky titull jepet nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor, me propozimin e shkollës së lartë ose Akademisë së Shkencave, sipas udhëzimit të posaçëm.
Si njësohen gradat e fituara jashtë vendit
Komisioni i Kualifikimit Shkencor, me një udhëzim të veçantë, ka të drejtë t’i shpallë të barasvlershme me gradën “Doktor” gradat shkencore, të fituara jashtë shtetit. Në këto raste nuk lëshohet diplomë e re doktorate, por mjafton një regjistrim pranë Komisionit të Kualikimit Shkencor. Në rastet, kur kandidati ka kryer një shkollë pasuniversitare jashtë shtetit, dhe dëshiron të ndjekë përgatitjen e doktoratës, i paraqet shkollës së lartë universitare përkatëse dokumentacionin e plotë (diplomën, listën e notave, programin mësimor etj.). Institucioni përkatës ka kompetencë ta vlerësojë këtë dokumentacion dhe të vendosë barazvlefshmërinë e shkollës së huaj me shkollën pasuniversitare. Mbrojtja e disertacioneve para jurive bëhet, si rregull, e hapur, përveç rasteve, kur për natyrën e veçantë të problemeve të trajtuara (konfidenciale, sekrete etj.), drejtuesi i institucionit autorizon mbrojtjen me publik të kufizuar.
Shkollat
Propozimi për hapjen e shkollave pasuniversitare bëhet nga këshillat shkencore të fakulteteve. Këtij propozimi i bashkëlidhet dokumentacioni i mëposhtëm:
Relacioni shpjegues për motivet e hapjes së shkollës pasuniversitare
Plani mësimor i saj
Afatet kohore të realizimit të shkollës pasuniversitare
Titulli i diplomës, që do të jepet nga shkolla pasuniversitare
Gjuha e huaj, me programin pasuniversitar, që duhet të japë kandidati (anglisht, frëngjisht, rusisht, gjermanisht, italisht, spanjisht)
Burimet e financimit të shkollës pasuniversitare
Garancitë për personelin pedagogjik-shkencor, që do të mbulojë realizimin e shkollës pasuniversitare
Në ekipet mësimore mund të përfshihen dhe punonjës të jashtëm, me kualifikim të lartë, pedagogjik e shkencor, të miratuar nga dekani i fakultetit përkatës
Propozimi së bashku me mendimin e senatit të universitetit ose të shkollave të larta, (propozimi shqyrtohet detyrimisht nga senati i universitetit ose i shkollave të larta), i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
Kërkesa
Kërkesa për pranim në shkollën pasuniversitare paraqitet nga të interesuarit, pranë fakultetit përkatës dhe përmban:
Diplomën e shkollës së lartë, së bashku me dëftesën e notave;
Curriculum vitae
Fushën e studimeve për specialistët e dëshiruar;
Rekomandimin nga një institucion ose dy studiues përkatës, me gradë a titull shkencor
Certifikata provimesh a botimesh, të realizuara nga kandidati;
Deklaratën vetjake ose vërtetimin për përballimin e shpenzimeve të shkollës pasuniversitare, të caktuara për çdo kandidat
Vendimi i motivuar, për pranimin ose mospranimin e kërkesës, jepet nga dekani i fakultetit, ku është depozituar kërkesa Ankesat kundrejt këtij vendimi mund të bëhen pranë rektoratit të universitetit, vendimi i të cilit është përfundimtar
2 Maj 2009