E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja përgatitet për ngritjen e Komitetit Ndërministror për parandalimin e virusit



Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për ngritjen e Komitetit Ndërministror për të shmangur përhapjen e gripit të derrave në popullatë. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli u shpreh se po bëhen përgatitjet për të parandaluar gripin, duke ngritur Komitetin Ndërministror, që do të shërbente për vendimmarrje në çdo rast emergjence. Në një kohë që përhapja e gripit të derrave ka marrë përmasa botërore, në Shqipëri Ministria e Shëndetësisë ka nisur shpërndarjen e materialeve informuese për popullsinë. Shpërndarja e këtyre materialeve, fletëpalosje apo botime të posaçme, përmban informacionin e nevojshëm në lidhje më gripin e derrave, simptomat dhe masat që duhen marrë për parandalimin e tij. Në Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe, janë shpërndarë doreza, maska dhe të gjitha mjetet higjieno-sanitare për të parandaluar infektimin e mundshëm nga kontaktet me pacientët.
Materialet
Materialet që përmbajnë informacionin e nevojshëm rreth virusit të gripit të derrave janë shpërndarë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pikat e kalimit kufitar në shkollat publike e private dhe institucione të tjera. Gjithashtu janë vënë në dispozicion numrat telefonikë për çdo urgjencë si 2374756, në 0682414332 si edhe 0693087781. Njëkohësisht, përmbajtja e fletëpalosjeve përmban të gjitha rregullat që duhen zbatuar nga qytetarët në të gjitha rastet. Zbatimi në imtësi i rregullave të higjienës personale, larja dhe dezifenktimi i vazhdueshëm i duarve, mënjanimi i frekuentimit të vendeve publike, janë disa prej rekomandimeve të specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkaq për gjithë personat që shfaqin simptoma të gripit rekomandohet vizitë e menjëhershme tek mjeku, regjim shtrati, izolim nga të tjerët për disa ditë, përdorimi i lëngjeve me shumicë si dhe konsumim i ushqimeve të pasura me kalori dhe vitamina.
Virusi
Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, deklaroi se specialistët e OBSH-së kanë vënë në dijeni se gripi i derrave pritet të ketë një fazë të dytë në muajin shtator. Ky muaj shënon dhe prekjen e qytetarëve nga virozat e zakonshme gripale. Ndërkohë që Drejtori i ISHP-së, theksoi se nuk dihet ende nëse në fazën e dytë virusi do të jetë me përmasa më të mëdha apo më të vogla. OBSH-ja, po përgatit vaksinat kryesore që do të shërbejnë në rast emergjence, në rast se gripi do të rikthehej përsëri. MSH-ja ka marrë masa në të gjitha pikat kufitare dhe ka dhënë udhëzimet përkatëse për punonjësit sanitarë, si në pikat kufitare, në spitale, shkolla e kopshte. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një fond emergjence, prej 10 milion lekësh, për përballimin e situatës në rast nevoje. Ky fond do të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike dhe do të shpërndahet vetëm në rast se gripi do të evidentohet në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë, nxori urdhrin për shërbimin 24 orësh të shërbimit sanitar në të tëra pikat e kufirit. Gjatë takimit me drejtorët e spitaleve të rretheve specialistët e MSH-së udhëzuan spitalet rajonale, për masat që duhet të ndërmarrin për një situatë hipotetike

OBSH: 331 raste infektimi dhe 10 viktima nga gripi i derrave

Nga Gripi A H1N1, në Meksikë kanë gjetur vdekjen 10 persona dhe janë infektuar 331 të tjerë. Këto janë të dhënat e fundit për pandeminë që raportohen në çdo kohë nga OBSH. Në Europë janë 12 raste të konfirmuara të sëmundjes. Ndërsa, në Gjermani mësohet të jetë infektuar një infermiere, që nuk ishte kthyer nga Meksika, por që e kishte marrë virusin brenda vendit. Edhe pse ky ishte rasti i parë i kalimit të virusit nga njeriu te njeriu në këtë vend, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gruaja tani është shëruar. Në Izrael, dy persona që rezultuan të prekur nga H1N1 tashmë janë larguar nga spitali. Në Serbi është dhënë alarmi për rastin e parë të dyshimtë të prekjes nga sëmundja. Mjekët po i bëjnë analizat një gruaje që kishte ardhur nga Teksasi në qytetin e Novi Sadit, në veri të vendit. Sipas ministrit, përfundimet e analizave do të jepen brenda ditës. Ndërkohë që, është shtuar numri i vendeve europiane, që kanë raportuar për raste të shfaqjes së sëmundjes. Po kështu edhe në Holandë u regjistrua dje i sëmuri i parë me gripin, që është një fëmijë 3-vjeçar. Djali kishte pak kohë që ishte kthyer nga Meksika. Vendet e tjera të prekura nga virusi janë: Meksika, Amerika, Anglia, Austria, Spanja etj. Nga të dhënat e OBSH-së mësohet se në Europë janë konfirmuar gjithsej 27 raste me virusin H1N1.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›