ZANA TURKU, Ta dirigjosh jetën si partiturë të Moxartit
Petrika GROSI
Dirigjentja Suzana Turku, njëherësh zëvendësministre e Turizmit dhe Kulturës, vjen sot si personazhi i radhës në faqet e suplementit të përjavshëm “Albania Weekend”. Në intervistën që vijon, Zana rrëfen mbi fëmijërinë e saj, dashurinë e hershme për kanton e më pas dirigjimin, momentet e bukura dhe ato të vështira në karrierë, angazhimin në politikë, familjen e dikurshme dhe familjen e sotme, planet për të ardhmen... Gjithçka për të është si një melodi e Moxartit!
Me çfarë po merreni aktualisht sa u përket angazhimeve artistike?
Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje të parën dhe nuk e prisja, pasi shpesh më pyesin për politikën. E gjithë jeta ime është një angazhim për artin. Për momentin nuk kam ndonjë projekt në duar, por mund t’ju them se sapo mbarova një koncert me një kompozitor të njohur turk. Pak kohë më parë kisha një koncert të madh me rastin e përvjetorit të korit “Pax dei”. Ishin të ftuar kori i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe kori i Akademisë së Arteve. Qe një koncert jubilar me një repertor të larmishëm, i cili u mbajt në skenën e TKOB-it. Aktualisht jemi në prag të nisjes së sezonit veror; ndonëse nuk jam e angazhuar direkt, duke qenë në postet drejtuese të kësaj ministrie, po kujdesem që jeta kulturore dhe artistike të jetë sa më e gjallë dhe e pasur. Në të gjitha pikat kryesore të turizmit shqiptar nuk duhet të mungojnë koncertet, ekspozitat, apo edhe aktivitetet ndërkombëtare, siç janë disa festivale që zhvillohen në parqet arkeologjike.
Shumë artistë, pasi e provojnë si përvojë, thonë se politika nuk bën për ta. Po në rastin tuaj?
Më pëlqen politika. Që në fillim e kam pranuar me kënaqësi propozimin e kryeministrit Berisha (në fillim të tetorit) për t’u caktuar në postin e zv.ministres së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. E pranova sepse mendova që mund të jepja shumë për artin dhe kulturën, duke pasur parasysh dhe përvojën e konsiderueshme që nuk më mungon në këtë fushë. Prej shumë vitesh jam pjesë e komunitetit të artistëve shqiptarë dhe ky emërim për mua ishte jo vetëm një përgjegjësi për të realizuar politikat e qeverisë, por edhe një vlerësim që më bëhej nga ana e Doktorit. Nuk ishte se i hyra rastësisht politikës në këto momente. E kam përkrahur menjëherë lëvizjen demokratike të viteve ’90. Në atë kohë sapo isha kthyer nga një specializim për dirigjim kori në Francë dhe jepja mësim në Akademinë e Artit.
Keni dalë në protesta?
Bashkë me studentët i jemi bashkuar Lëvizjes. Nuk besoj se në atë kohë ka pasur ndonjë shqiptar që nuk ka dalë, ose, të paktë ishin ata që nuk u bashkuan me ne. Megjithatë, artistët u pozicionuan në bazë të lëvizjes demokratike. Më pas kam qenë e zgjedhur që nga viti ’95, në Këshillin Kombëtar të PD-së, e më vonë edhe në Kryesi, kur ishim në opozitë.
A nuk ju vjen keq që duhet të lini shpesh shumë aktivitete për shkak të kohës që kërkon politika?
Me muzikën jam marrë qëkur isha gjashtë vjeçe, ndërsa si dirigjente plot 33 vjet. Pra jam lidhur me artin prej gati gjysmë shekulli. Kam pasur edhe kam (nuk më pëlqen të flas në kohën e shkuar) një aktivitet shumë të gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Angazhimet kanë qenë si koncertale, dhe operistike.
Si i kujtoni fillimet me dirigjimin?
Pasi mbarova Konservatorin u emërova në Liceun Artistik. Fillimet e mia janë me korin e vajzave të këtij liceu. Ai ishte për mua si një laborator artistik, ku për herë të parë punova si dirigjente.
Ndonëse isha diplomuar për dirigjim kam mendimin se nuk të bën shkolla dirigjente. Ajo vetëm sa të jep një formim të përgjithshëm muzikor. Dirigjent bëhesh vetëm kur je ngjitur në skenë dhe prek tingullin e gjallë. Nga viti ’76 deri më ’83-shin kam dhënë mësim në Lice, ndërkohë që punoja edhe me korin. Gjatë viteve të para Liceu kishte një bibliotekë të pasur. Në atë kohë, një shoqja ime e Akademisë ishte përgjegjëse e bibliotekës së Liceut. Pas dollapëve të bibliotekës, më kujtohet se kanë qenë disa pirgje me libra të vjetër. Një ditë i them asaj shoqes: “Florika, çfarë janë gjithë këto?” Më përgjigjet se ishin libra të vjetër, që nuk hynin në punë dhe do të hidheshin. Aty gjeta tre libra të tre dirigjentëve rusë. Njëri prej autorëve thoshte që e shkruante këtë libër pas 60 vitesh punë, kurse tjetri pas 40 vitesh përvojë. Të dy librat flisnin për jetën artistike të dy dirigjentëve rusë dhe unë i studiova me shumë zell. Pasi mbaron shkollën dirigjenti do të haset me partitura, stile, kompozitorë dhe epoka të ndryshme muzikore. Më tej do të punojë me kore të ndryshme amatore, deri në momentin që krijon përvojën e një profesionisti.
Çfarë ju intrigon tani në profesionin tuaj?
Në këtë stad që jam tani pranoj vetëm kur më bëhen oferta të kompozitorëve të njohur për vepra të mëdha, të cilat vihen premiera absolute në skenë.
Si e kujtoni vajzërinë?
Që kur isha fëmijë 6 vjeç, përveç shkollës frekuentoja Pallatin e Pionierëve. Bashkë me shoqet e lagjes “Ali Demi” shkonim atje.
Shkollën e kam bërë te “1 Maji” dhe tek “Ali Demi”. Jetonim një shtëpi të madhe me oborr. Ishim 4-5 familje dhe rreth 15 fëmijë, që rrinim së bashku. Njëherë na provoi të gjithëve në piano një zyshë që quhej Petrina Prifti. U pranova aty dhe nisa të aktivizohesha me korin e Pallatit të Pionierëve, e më pas si soliste. Në koncertin e parë këndova këngën “Lepurushi”. Më pas nisa të aktivizohem në festivalet e këngës për fëmijë, që bëheshin në Tiranë dhe në Shkodër. Pak më vonë erdhën aty edhe vajza të tjera të talentuara, si Yllka Mujo, Eva Pëllumbi, Vitore Kapo, Enea Çiço, Lili Cingu etj. Më vonë kam punuar shumë me kompozitorin tonë të njohur, Tonin Arapi.
Marrëdhënia me prindërit?
Nëse kjo marrëdhënie nuk do të ishte e mirë, as unë nuk do ta vazhdoja dot rrugën e artit. Prindërit punonin shumë dhe jemi rritur me gjyshen. Ishim katër motra. Që në moshën 6-vjeçare nuk jam penguar asnjëherë nga prindërit që të frekuentoja aktivitetet jashtëshkollore. Madje ata e gjenin kohën që të më ndiqnin në aktivitetet artistike. Në fakt, më shumë më ndiqte gjyshja. Ajo ishte shumë e përparuar. Gjyshja e vendosi dhe emrin tim, Suzana.
Ndonëse ishim familje e thjeshtë, e varfër, kishte harmoni. Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më tepër i vlerësoj prindërit e mi. Kanë dhënë një kontribut të madh dhe kanë sakrifikuar për fëmijët e tyre. Pa dyshim, familja është faktori kryesor që ndikon në formimin e fëmijës.
Si e keni përjetuar kohën e Revolucionit Kinez dhe më pas Plenumin e famshëm që dënoi intelektualët dhe artistët shqiptarë për tendenca perëndimore?
U ndaluan thuajse të gjithë autorët e huaj. Në atë kohë isha studente në vitin e parë në Akademi. Mbaj mend se pllakat e murrme para Akademisë më dukeshin sikur nxinin. Në atë kohë u dënua Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi dhe shumë të tjerë. Ka qenë një ambient i errët. Ndieja një zbrazëtirë jashtë e brenda, megjithëse isha studente dhe nuk luftohesha unë direkt. Ishte një kohë që studionim dhe punonim shumë. Kisha fatin të isha në një kurs me studentë të talentuar dhe me vullnet. Nga ky kurs dolën kuadro, që vazhdojnë të japin kontributin e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndonjëherë u them studentëve se “me ato kushte që kishim ne, ju nuk mund të krahasoheni kurrë”. Përveç vështirësive dhe pengesave të ndryshme, na ishin krijuar edhe mangësi nga autorët e huaj, të cilët diktatura i kishte ndaluar që të studioheshin. Ishte varfëri e madhe; nuk kisha piano dhe as magnetofon, që ta dëgjoja në shtëpi. Mendoni, vetëm në vitin ’99 arrita të kem një piano timen. Pavarësisht këtyre vështirësive ne punonim me vullnet, disiplinë dhe pasion të madh. Studimin e bënim në shkollë, nga mëngjesi deri në darkë.
Fillimisht ju këndonit. Si ndodhi, pse e latë kanton për dirigjimin?
Për kanto na përgatiste Robert Radoja, të cilit i jam shumë mirënjohëse dhe e kujtoj shpesh. Kur fitova atëherë për kanto, bashkë me Robertin shkuam te babi im dhe ai i tha që kisha fituar konkursin për kanto në Liceun Artistik. Gjatë dy viteve të para atje nuk bëhej kanto, por merrej formimi i përgjithshëm artistik. Në vit të tretë nisa kanton, ndërkohë që bëja dhe të gjitha lëndët e teoritikut, lëndë e cila përgatiste mësuesit e muzikës në Lice. U dhashë më shumë pas studimit. Kam dashur gjithmonë që ajo që bëja të ishte e përkryer. Edhe tani që dirigjoj, kur e shikoj partiturën, them se këtë do ta bëj të përkryer. Nëse nuk e bëj dot një gjë shkëlqyer, nuk e marr fare përsipër. Kështu, gjatë dy viteve të fundit bëra me profesor Kristofor Xhokaxhiun programin e katër viteve për dirigjim koral.
Pra nuk kishit ndonjë arsye tjetër që e braktisët kanton?
Është një gjë e mrekullueshme të jesh këngëtare dhe nuk e mohoj që do të më pëlqente shumë, por e ndieja se në dirigjim isha më mirë se sa në kanto. Ndoshta do të bëhesha një këngëtare e zakonshme, ndoshta një këngëtare e mirë...
A lexoni partitura dhe libra të ndaluar?
Kishte ndonjë gjë të vogël, por ishim shumë të ngarkuar me materialet që na jepnim dhe nuk na dilte koha. I gjithë brezi im kishte se çfarë të mësonte. Megjithatë, flisnim dhe për muzikën e ndaluar.
Fati, sa ka qenë në krahun tuaj?
E quaj veten një grua me fat.
Teksa e vlerësuat në maksimum mënyrën si u rritët nga prindërit, cila është marrëdhënia që sot keni krijuar me fëmijët tuaj?
Familja ku jam rritur ishte një shembull i shkëlqyer, të cilin vazhdoj ta ruaj dhe sot në familjen time. Vajzat i kam të martuara dhe jetoj me djalin dhe me tim shoq. Jemi tre shokë të mirë që e kuptojmë dhe ndihmojmë shumë njëri-tjetrin. Madje ndihem pak e përkëdhelur në familje. Sigurisht, është një kënaqësi kur arrin një marrëdhënie të tillë jo vetëm me bashkëshortin, por edhe me djalin.
Momenti më i vështirë në jetën tuaj?
Jeta është e gjatë dhe njeriu mundohet t’i përballojë të gjitha. Moment të vështirë në profesion do të quaja vitin 2000, kur bashkë me drejtuesit e tjerë kryesorë artistikë u pushuam nga puna. Do ta quaja këtë gjest një goditje ndaj artit shqiptar. Kisha 17 vite që punoja në Opera dhe me thonj e ngrita korin e operas, i cili arriti një stad tepër të lartë të interpretimit. Jeta ime ishte e lidhur me këtë teatër dhe as që e kisha menduar ndonjëherë largimin, aq më tepër në një mënyrë brutale siç ndodhi. Të bëhesh artist nuk ndodh në një ditë. Pas një jete investimi i përkushtimi, pasi ke studiuar, punuar dhe ke dhënë shumë, pasi bëra disa masterklase jashtë, vjen një ish-nxënësja ime e Liceut Artistik dhe të hedh në rrugë.
Për çfarë arsyeje u pushuat nga puna? Apo për politikë?
Ndonëse në letër thuhej që pushimi im bëhej për mungesë disipline, jam e bindur se ky akt kryhej për shkaqe të tjera, patjetër që edhe politike. Në gjithë botën, dirigjenti, qoftë edhe më i dobti, është i disiplinuar. Është profesioni që e kërkon disiplinën. Nëse nuk vendos disiplinë me veten tënde dhe me trupën nuk punon dot. Por kjo çmenduri që ndodhi, pati të mirat e veta. Nga teatri ika unë, dirigjenti i orkestrës Bujar Llapaj, i biri i Çesk Zadesë, Albani, Fatos Jaho, Besnik Dashlani, Ilir Martiri etj. U hoqëm tetë veta nga puna dhe më vonë të gjithë e fituam gjyqin, por nuk u kthyem më aty. Kur shkoi Zhani Ciko në Opera, ma ofroi sërish vendin dhe nuk pranova. Megjithatë, kemi bërë bashkë vepra të mëdhaja në skenë si “Aida”, “Turandot”, “Luçia e Lamermorit” etj. Më vjen keq që Bujari iku në Kanada, Besniku në Zvicër e më vonë, me të njëjtën drejtoreshë, edhe Josif Gjipalit iu mbyllën dyert. Po çfarë të mire solli heqja nga TOB-i? M’u hapën dyert si pedagoge e brendshme në Akademi dhe pastaj u bëra shefe e katedrës. Krijova korin për fëmijë “Engjëjt e vegjël” dhe në vitin 2001 krijova grupin vokal për vajza, “Gjon Simoni”, ndërkohë që vazhdova punën me korin e Akademisë së Arteve dhe me korin “Pax dei”. Pra u përkushtova shumë me mësimdhënien dhe me koncerte të ndryshme brenda e jashtë vendit.
Po mendoni për ndonjë vepër tjetër të madhe, apo nuk ju lë kohë fushata që është afër?
Fushata ka kohën e vet, megjithatë dëshiroj të bëj një koncert tjetër të madh në Shqipëri. Sa u përket ftesave jashtë, kam qenë e rezervuar sepse nuk mund të largohem për shumë kohë dhe t’i lënë punët e mia pezull.
Nëse për një çast do të mbyllnit sytë dhe do të mendonit mbi jetën tuaj, çfarë melodie dëgjoni?
Pyetje e vështirë. Jeta me fazat e saj i ka të gjithë kompozitorët brenda. Secili është i veçantë në llojin e vet; Moxart është Moxart, Bahu është Bah dhe Bethoveni, Bethoven. Veten e gjej te Moxarti. Duke qenë dirigjente kori, kuptohet, jam e lidhur më shumë me muzikën korale. Asgjë tjetër nuk më qetëson dhe as nuk ma prek shpirtin më shumë se kjo muzikë.
2 Maj 2009