Kushtet, shkollat dhe kopshtet që mbyllen në shtator
Mungesa e kushteve të përshtatshme për të zhvilluar mësim do të jetë përsëri një problem i pazgjidhur për disa shkolla dhe kopshte në kryeqytet. Të paktën 8 kopshte dhe shkolla nuk do të presin nxënës vitin e ri shkollor dhe ky vendin për mbylljen e tyre ka ardhur pas inspektimeve të kryera nga inspektorët e Drejtorisë së Higjienës në kryeqytet. Më konkretisht bëhet fjalë për dy shkolla në qendër të Tiranës, “Siri Kodra” dhe “Ahmet Gashi”, që rezultojnë jashtë çdo standardi për të zhvilluar mësim. “Lagështira është në vlera tepër të larta nga norma që është e përcaktuar. Qarkullimi i ajrit është shumë i vogël. Të gjitha këto kanë impakt mjaft negativ te fëmijët. Duke parë këtë, kemi bërë disa matje në sezone dhe temperatura të ndryshme dhe kemi arritur në përfundimin që këtë vit shkollor, shkolla ‘Siri Kodra’ nuk do të hapet. Shkolla ‘Ahmet Gashi’ është një shkollë tepër e amortizuar, me bankat, tavolinat, mjetet mësimore, dyert e klasave, palestra”, - shprehet kryeinspektorja e higjienës në shkolla, pranë Drejtorisë së Higjienës, Besa Shehu. Ndërkaq, ajo tregon se kontrollet janë ushtruar dhe në komunat e qarkut Tiranë dhe janë marrë vendime për mbylljen e dy shkollave në Bathore së bashku me kopshtin, shkolla e “Kodër Pezës” dhe një kopsht e një shkollë në Bërxullë. Lagështia tejet normave të lejuara, por dhe ambientet e amortizuara kanë qenë edhe në këto institucione problemet më të shpeshta. “Për tre të Bathores, të Bërxullës kopshtit dhe shkollës dhe për Kodër Kamzë tashmë kemi bërë vendimet e mbylljes dhe do t’i ndjekim hap pas hapi. Para fillimit të vitit shkollor, nëse nuk merren masa për riparim të gjendjes nuk do të lejohen të hapen”, - thotë Shehu. Për një hark kohor 3-mujor janë inspektuar të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut Tiranë, 72 në qytet dhe 166 në fshatra. Në këto shkolla mësojnë 72 mijë nxënës dhe për një pjesë të madhe të tyre pushteti vendor duhet të gjejë zgjidhje, pasi me mbylljen e disa prej shkollave mendohet se shumë nxënës nuk do të kenë ambiente për të zhvilluar mësimin në shtator. Përveç shkollave 9-vjeçare, tepër problematike situata paraqitet edhe për mjaft kopshte dhe çerdhe, që për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare kanë vënë në rrezik shëndetin e fëmijëve. Kontrollet e kryera nga ekspertët e higjienës kanë treguar se pothuajse në të gjitha këto institucione ka mungesa të theksuara, duke filluar nga niveli i lartë i lagështirës, rënia e suvave, krevatet kolektive prej dërrase, si dhe rastet e vendosjes së dyshekëve në dysheme për të fjetur, mungesë të pajisjeve në kuzhinë, veçanërisht të rafteve për të mbajtur ushqimet dhe enët, probleme të lagështirës dhe mungesës së higjienës nëpër banja etj. Shqetësuese situata rezulton të jetë dhe në një sërë kopshtesh e çerdhesh, që, pas evidentimit të këtyre problemeve një vit më parë, iu nënshtruan edhe rikonstruksioneve. Por monitorimi i radhës në këto të fundit ka treguar se puna e bërë është jashtë standardeve të duhura, pasi problemet, e sidomos lagështira, mbeten në nivele të larta.