E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshjet nga BE, tarifa doganore zero nga janari 2012

Çmimet e veshjeve të gatshme në tregun e brendshëm pritet të ulen, pasi qeveria ka pranuar të heqë tarifën doganore për këto produkte. Masa e cila do të votohet me paketën e re fiskale, por që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm e bën tarifën doganore për veshjet e importuara nga vendet e Bashkimit Europian, nga 10 për qind që është aktualisht, në 0. Kjo do të thotë se minimalisht çmimet e veshjeve në tregun e brendshëm pritet të ulen me 12 për qind, duke përfshihet dhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Për shkak të natyrës specifike që ka industria e veshjeve, shumë prej produkteve të saj paguajnë tarifë doganore dy herë. Përgjithësisht kompanitë europiane që prodhojnë veshje i kanë linjat e prodhimit në vende të tjera jashtë BE-së, ku shfrytëzojnë koston e ulët. Kjo bën që tarifa doganore për këto produkte të paguhet dy herë, njëherë kur hyjnë nga vendi prodhues në Bashkimin Europian më pas kur importohen nga BE-ja drejt Shqipërisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thonë kjo ka sjelle një çmim të lartë të veshjeve të gatshme në tregun vendas, duke bërë që mjaft dyqane të shitjes me pakicë që tregtojnë veshje të mbyllen. Sipas të dhënave zyrtare, bizneset e shitjes me pakicë të veshjeve paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total, ku përfshihet tarifa dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Në të njëjtin draft, qeveria parashikon edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para që importohen nga industria e fasonit, edhe kjo një masë lehtësuese për të stimuluar industrinë e prodhimit të veshjeve në vend. Sipas relacionit të draftit në total, efekti negativ në buxhet i këtyre dy masave pritet të jetë 1.2 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›