Restorantet dhe fast food-et në kontroll
Të gjitha restorantet, fast food-et apo subjektet tregtare do të jenë në monitorim të rreptë gjatë muajit korrik dhe gusht. Kontrollet do të kryhen nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që në veçanti do të ndalen për zonat turistike, që gjatë këtyre muajve janë edhe më shumë të frekuentuara nga pushuesit. “Ka gjithmonë subjekte të cilat nuk janë konform kërkesave ligjore. Kemi gjetur shkelje dhe normalisht kemi marrë masa duke bllokuar aktivitetin e shitjes së biznesit dhe duke sekuestruar ato produkte ushqimore që ne i konsiderojmë se janë jashtë kushteve të tregtimit”, - thotë Rezart Kthupi, drejtor i Drejtorisë së Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut. Pjesë e këtyre monitorimeve do të jenë edhe tregjet që aktualisht plotësojnë pjesërisht standardet, për kushtet në të cilat tregtojnë mallrat ushqimore për konsumatorët shqiptarë. “Le të themi që janë relativisht afër standardeve. S’mund të themi që i plotësojnë të gjitha, sepse duke pasur parasysh që administrimi është zakonisht publik, edhe vetë tregtarët nuk janë të gatshëm të respektojnë kushtet thelbësore”, - thekson ai. Masa më ndëshkuese për ato subjekte që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare do të jetë ajo e pezullimit të përkohshëm të aktivitetit. Ndërkohë që për cilësinë e ushqimeve do të kalojnë në “sitë” edhe hotelet dhe restorantet, sidomos ato që ushtrojnë veprimtarinë në zonat turistike të vendit. Drejtoria e Shëndetit Publik ka bërë të ditur se do të ushtrojë kontrolle të rrepta në ditët në vijim, jo vetëm te të gjitha subjektet tregtare që ofrojnë produkte ushqimore për konsumatorët, por edhe në hotele e restorante. Një nga arsyet e ushtrimit të kontrollit në këto subjekte tregtare jo pak të frekuentuara gjatë verës është se ato duhet të pajisen me libreza shëndetësore, si dhe leje higjieno-sanitare; në të kundërt, atyre do t’u rrezikohet aktiviteti. Gjatë muajve të kaluar Drejtoria e Shëndetit Publik ka evidentuar edhe raste të personave që kanë falsifikuar këto libreza, të cilët janë për ndjekje penale.