Kushtetuesja “betonon” kishën në qendër të Shkupit
Truku i Qeverisë me transferimin e tokës ku është paraparë ndërtimi i kishës në pronësi të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) ka dhënë rezultatin e dëshiruar për KOM-in. Gjykata Kushtetues ka vlerësuar se meqë kjo tokë është transferuar në pronësi të KOM-it, nuk ekziston bazë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ndërtimit të kishës. “Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë iniciativën e Lëvizjes Qytetare ‘Zgjohu’ rreth ndërtimit të kishës Ortodokse Maqedonase në Sheshin e Shkupit, me vlerësimin se më 26 qershor të vitit 2009 me vendim qeveritar toka ndërtimore është dhënë në pronësi të Kishës Ortodokse Maqedonase dhe në këtë rast nuk ekziston akt në bazë të të cilit do të mund te prononcohet Gjykata Kushtetuese”, deklaroi zëdhënësi i gjykatës, Jugosllav Milenkoviç.Ndërkohë, Lëvizja Qytetare “Zgjohu” ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e vlerësuar atë si diskriminues. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë sepse favorizon një komunitet fetar ndaj një tjetri dhe Lëvizja Qytetare Zgjohu do të vazhdoje me aktivitetet e saj kundër këtij vendimi”, deklaroi Ismail Krifca, përfaqësues i LQ “Zgjohu”. Ai paralajmëroi se “Zgjohu” do të shqyrtojë të gjitha format e mundshme për të iniciuar sërish shfuqizimin e vendimit për ndërtimin e kishës ortodokse. Vendimi i Gjykatës kushtetuese paraqet një hap plus në drejtim të qëllimit të qeverisë maqedonase për të diskualifikuar figurën e humanistes së madhe shqiptare, Nënës Terezë, sepse kisha duhet të ndërtohet pikërisht mbi themelet ku ka qenë shtëpia e lindjes së saj. “Në këtë lokacion vendin e ka vetëm shtëpia memorialë e Nënës Terezës si objekt me leverdi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Ky vendim është në kundërshtim të plotë edhe me frymën e tolerancës ndëretnike, ndërfetare dhe ndërkulturore “, theksoi Krifca.