E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, LSI: Debati PD-Presidencë, i padobishëm

Sekretari i përgjithshëm i LSI: Jemi në pritje të lëvizjes së demokratëve të motivuar nga Kushtetuta Rama: Nuk ka shenja krize brenda koalicionit dhe mazhorancës

Lëvizja Socialiste për Integrim do të presë vendimin e mazhorancës javën e ardhshme dhe më pas do të përcaktojë qëndrimin e saj në lidhje me aksionin ligjor që shumica parlamentare do të ideojë për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese brenda muajit gusht. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, komentoi dje debatin më të fundit mes mazhorancës dhe Presidentit. “Raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës, dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit. çdo koment tjetër është i padobishëm”, tha sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë dhe njëherë kundër qëndrimit të Partisë Demokratike. Në lidhje me debatin e fundit për Presidentin dhe zëvendësimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u shpreh se çdo lëvizje e kreut të shtetit duhet parë në kontekst të Kushtetutës. Ndërsa debatin e hapur nga mazhoranca, Rama e cilësoi si të padobishëm. Luan Rama deklaroi se janë në pritje të lëvizjeve të demokratëve, por nga ana tjetër nënvizoi se LSI-ja respekton rreptësisht autoritetin kushtetues, në rastin konkret të Presidentit të Republikës. "është e udhës dhe e domosdoshme që palët të gjykohen dhe të vihen në lëvizje në raport dhe në respekt të Kushtetutës. Unë pres të shoh lëvizjen e radhës së motivuar nga Kushtetuta dhe në vazhdim të saj do të shprehim qëndrimin tonë", është shprehur Luan Rama. Ai ka theksuar se LSI-ja nuk do të merret me debate që dalin jashtë kontekstit që i lidh këto institucione, “në veprim, ndërveprim dhe funksionim të tyre në raport me Kushtetutën”. Luan Rama ka mbrojtur qëndrimin e LSI-së, duke deklaruar se kjo nuk është një shenjë krize apo mes mazhorancës. Rama u shpreh se LSI-ja ka qëndrimet e saj si forcë politike. “Theksoj se këto i kanë të pabaza dhe nuk ka asnjë shenjë të krisjes apo në krizën e marrëdhënieve midis partnerëve në qeverisje”, u shpreh Rama. Më tej, sekretari i LSI-së u shpreh dhe për qëndrimin e fundit të opozitës, duke e cilësuar nisjen e protestave si një mungesë alternative. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i kësaj force bëri të qartë se në të gjitha rastet do të respektohet Kushtetuta dhe marrëdhëniet e ndarja e pushteteve. “çdo qëndrim duhet kushtëzuar nga Kushtetuta dhe çdo qëndrim duhet motivuar me respekt dhe me zbatimin e Kushtetutës. është e udhës dhe e domosdoshme që palët të gjykohen dhe të vihen në lëvizje në raport dhe në respekt të Kushtetutës. Unë pres të shoh lëvizjen e radhës së motivuar nga Kushtetuta dhe në vazhdim të saj do të shprehim qëndrimin tonë”, tha Luan Rama. Ky qëndrim i LSI-së vjen pas interpretimit për krisje të koalicionit qeverisës, pas përçarjes së votave në Parlament dhe qëndrimeve të ndryshme për ligjin e SHISH-it dhe debatin për kushtetuesen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›