E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të sëmurët mendorë hapin ekspozitë pikture

Elbasan

Të sëmurët mendorë duket se e kanë kaluar muajin e nxehtë të korrikut me aktivitete në fushën e artit dhe kuzhinës. Nën moton “ëndërro një botë për të gjithë”, që prej tri vjetësh organizohet nga OBSH, në bashkëpunim me spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi”, Bashkinë Elbasan, organizata të ndryshme joqeveritare, si dhe me praninë e disa piktorëve të njohur të vendit, një laborator arti në ambientet e këtij spitali. Dje, në një ceremoni festive, të sëmurët me probleme mendore kanë marrë pjesë në një aktivitet që është organizuar në qendër të qytetit. Një ekspozitë pikture, sipas aftësisë dhe konceptimit të kësaj kategorie, ku janë vlerësuar me çmime shumë prej tyre dhe po aq janë vlerësuar nga piktorë të njohur. Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, në këtë ceremoni, duke përshëndetur aktivitetin, ka deklaruar: “Kjo veprimtari është mjaft sinjifikative për qytetin, pasi ne tregojmë kujdes për to, që ata të ndjehen mirë dhe aktivë”. Piktori Anastas Kostandini ka thuajse një javë që ka ardhur nga Pogradeci në Elbasan dhe është kujdesur që këta pacientë të kenë mundësi të argëtohen edhe në ditët në vijim. Një tjetër pjesëmarrës që ndihmoi aktivitetin është skulptori i njohur elbasanas, Bujar Kapllani, ndërsa drejtori i spitalit psikiatrik, “Sadik Dinçi”, Kamber Balla, ka përshëndetur stafin mjekësor. Gjithashtu një përshëndetje ka dhënë edhe piktori i njohur Anastas Kostandini, i cili ka deklaruar: “I jam përgjigjur ftesës për t’u kujdesur me këta pacientë dhe them se ka qenë një kënaqësi e madhe për mua t’u jepja atyre mësime pikture”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›