E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kondi: Lënia e Kushtetueses pa kryetar, e pajustifikueshme



Ish- kryetari i Gjykatës së Lartë deri në vitin 2008, Thimio Kondi, kritikon Presidentin Bamir Topi për lënien pa kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Në një prononcim për mediat ai thekson se kreu i shtetit duhet t’i niste bisedimet përpara se kryetarit aktual, Vladimir Kristos, t’i përfundonte mandati në këtë pozicion. “është e pajustifuar, që qoftë Gjykata e Lartë, qoftë Gjykata Kushtetuese, të ngelen në një kohë të gjatë pa kryetar të tyre. Unë kam parasysh rastin e Gjykatës së Lartë, pas largimit tim me mbarimin e mandatit 9- vjeçar në 4 qershor 2008, disa muaj rresht kjo gjykatë ngeli pa kryetar. Kjo nuk ishte e justifikueshme. Dihej, që mandati im mbaronte më 4 qershor, që më përpara duhet të fillonin procedurat e seleksionimit të kandidaturave”, - thotë Thimio Kondi. Në të njëjtën kohë, ai shton se “problemi është se kush e pengonte Presidentin që në pranverë ose në dimër të fillonte procesin e seleksionimit të kandidaturave? Dhe procesi i seleksionimit të kandidaturave është shumë i rëndësishëm”. Debati mes maxhorancës dhe Presidencës për dekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka përfshirë një numër të madh juristësh. Ata kanë shprehur qëndrime të ndryshme, lidhur me përcaktimin e nenit 125 të Kushtetutës, nëse kreu i shtetit është i detyruar të zgjedhë kryetarin nga nëntë anëtarët, apo nëse mund ta zgjidhte në një situatë si kjo e tanishmja, ku vetëm pesë nga nëntë anëtarët kanë ende mandat, ndërkohë që katër të tjerëve u ka përfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›