Kushtetuesja hap shqyrtimin per 5 deputete te PD-se
Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e mandateve të pesë deputetëve të djathtë dhe një deputeti socialist. Në mbledhjen e djeshme, selia rozë kërkoi nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të paralelizojnë çështjen “Beqja” me atë të 5 deputetëve të mazhorancës aktuale që zhvilluan fushatën zgjedhore duke mos dhënë dorëheqje në kohën e duhur nga postet e mëparshme. Socialistët, nëpërmjet deputetit Damian Gjiknuri, kanë raportuar dje në Gjykatë Kushtetuese për interpretimin e neneve 69,70,71, dhe 72 të Kushtetutës. Ndërsa sot, kjo gjykatë do të shqyrtojë raportin e Kuvendit për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Ilir Beqja. Në akuzën e tij, deputeti Gjinkuri theksoi se pesë deputetë të PD-së, gjatë kohës që bënë fushatë për zgjedhjet e 28 qershorit, nuk dhanë në kohën e duhur as dorëheqjen nga postet e mëparshme, madje morën edhe rrogë gjatë muajve të fushatës.
Janë 37 deputetë të Partisë Socialiste që kanë depozituar në Kushtetuese të parët kërkesën për interpretimin e katër neneve, që flasin për mandatin e deputetit. Në mbledhjen e djeshme, deputeti Damian Gjiknuri ka sqaruar edhe faktet dhe arsyet që kanë çuar socialistët drejt interpretimit të katër neneve. “Në 1 dhjetor, një grup deputetësh të PD-së i bënë kërkesë Kryetares së Kuvendit për fillimin e procedurave të parashikuara në nenin 70/4 ndaj deputetit Ilir Beqja. Në 28 shtator 2010, ILDKP-ja njofton fillimin e hetimin për konfliktin e interesit ndaj Beqjas, nisur nga faktet publike. Seancat plenare në muajin tetor, në këshillin e mandateve, u paraqitën dokumente dhe pretendime për ekzistencën e kushteve të pazgjishmërisë për një numër deputetësh të mazhorancës së sotme, të cilët kishin ushtruar funksionet e të zgjedhurit vendor gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Bëhet fjalë për 5 deputetë aktualë. Këto të dhëna faktohen dhe nga dëshmitë e dhëna në ILDKP”, - tha Gjiknuri.
Kërkesa e SocialistëveNë kërkesën e tyre, socialistët kanë kërkuar interpretim për momentin kur fillon ushtrimi dhe efekti juridiko-kushtetues i mandatit të deputetit në momentin e dhënies së mandatit nga KQZ-ja apo pas bërjes së betimit. Deputeti Gjiknuri theksoi dje se, PS-ja kërkon të dijë se “kur fillon efekti dhe mandati, dhe pastaj pasojat që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e këtij mandati apo marrëdhëniet e konfliktit të interesit. Nuk mund t’i shkëputësh dot. Çështjet që ngrita dhe duan interpretim të detajuar, kanë të bëjë edhe me mjetet që kanë kërkuesit. Interpretimi final i tyre do ndihmonte përfundimisht sqarimin e këtyre problemeve. Realisht kërkoj sqarim për të gjitha këto. Janë situata reale dhe nisur nga faktet konkrete”. Pesë deputetët demokratë që ‘rrezikojnë’ mandatin janë Gerti Bogdani, Ndue Paluca, Lefter Maliqi, Bedri Hoxha dhe Besnik Dusha. “Kur përmenda fjalën shkelje, kuptohet shkelja ka të bëjë me konstatimin para se të nisë si procedurë. Ka dhe një ligj, sipas të cilit deputetët janë subjekte që e deklarojnë pasurinë. Ndërkohë që lidhur me pavlefshmërinë, i është lënë vetëm Kuvendit verifikimi”, - përfundoi fjalën e tij deputeti Gjiknuri.